Xhurejxhi

Xhurejxhi

Xhurejxhi ka qenë një rob i devotshëm.

Ai është vetmuar në një faltore vetëm për adhurim.

Deri sa ishte duke u falur, i shkon nëna dhe e thërret:

– O Xhurejxh!

E ai në namaz thotë: – O Zoti im, nëna ime dhe namazi im, në të njëjtën kohë. Kështu ai vendos ta falë namazin, e nëna kthehet (pa përgjigje).

Të nesërmen prapë, përderisa ai ishte duke u falur, i vjen nëna dhe e thërret:

– O Xhurejxh!

E ai i thotë: – O Zoti im, nëna ime dhe namazi im, në të njëjtën kohë (cilës t’i përgjigjem dhe çka është më së miri?) – dhe e vazhdon namazin, e nëna prapë kthehet pa përgjigje.

Po ashtu prapë të nesërmen, deri sa ishte duke u falur, i shkon nëna dhe e thërret:

– O Xhurejxh!

E ai prapë thotë:

– O Zoti im! Nëna ime dhe namazi im, dhe e vazhdon namazin.

Nëna tha: – Mos vdeksh, derisa të shohësh fytyrat e lavireve!

Bëni israilët e përmendin shumë me nam Xhurejxhin dhe ibadetin e tij.

Në mesin e tyre ka qenë një grua lavire, e cila shquhej me bukurinë e saj. Ajo u thotë atyre:

– Nëse doni, unë do ta lajkatoj dhe do ta mashtroj. Pastaj ajo shkon dhe i paraqitet atij, por ai as që ia vuri veshin. Atëherë aty pari kalon një bari me një tufë delesh, i cili vendstrehohet në faltoren e tij, e ajo bën marrëdhënie intime me bariun dhe mbetet shtatzënë. Kur e lind fëmijën ajo tha: – Këtë fëmijë e kam me Xhurejxhin.

Pastaj shkojnë njerëzit, e largojnë prej faltores së tij, ia prishin faltoren dhe e rrahin.

Ai pyet: – Çka është puna me ju?

Ata i thonë: – Ti ke bërë prostitucion me këtë lavire dhe ajo ka lindur fëmijë prej kontaktimit tënd.

Ai pyet: – Ku është foshnja?

Kur ja sjellin foshnjën përpara tha: – Më lejoni vetëm deri sa të falem – dhe falet.

Pasi e përfundon namazin shkon te fëmija, e prek në stomak dhe i thotë: – Oj foshnje e porsalindur, cili është babai i yt?

Foshnja përgjigjet: – Filani, i cili është bari.

Kur e dëgjuan njerëzit shkuan dhe filluan ta puthin dhe ta përqafojnë Xhurejxhin dhe i thanë: – Do ta ndërtojmë faltoren tënde prej arit.

Xhurejxhi u tha: – Jo, ndërtojeni me aso materiali siç ka qenë më parë, prej balte.

Dhe ashtu edhe ia ndërtuan.

–

Dr. Musli Vërbani

“365 tregime për fëmijën tuaj brenda 12 muajve të vitit”

Lini një Përgjigje