Fëmija i cili dëshironte të falej natën
Ebu Jezid Tajfur bin Isa Bestamiu kur ishte i vogël e ka lexuar ajetin: “O ti i mbuluar, zgjohu natën e falu, përpos një pjese…”, andaj i thotë babit të tij: – O baba im! Kujt i drejtohet Allahu me këtë ajet?
Ai i thotë: – I drejtohet pejgamberit, Muhamedit a.s.
Fëmija i thotë: – O baba, po pse ti nuk vepron siç ka vepruar Muhamedi a.s..
Baba i përgjigjet: – O biri im! Falja e namazit të mesnatës është specifikë e Muhamedit a.s., e kjo nuk është për umetin e tij.
Fëmija heshti. Më vonë, kur e lexoi ajetin kur’anor ku Zoti i Lartmadhëruar thotë: “Vërtetë, Zoti yt e di se ti falesh më pak se një të tretën e natës, edhe gjysmë nate, e një të tretën e natës, e njësoj si ti edhe një grup të cilët janë me ty.”
Fëmija i thotë babit të tij: – O babi im! Unë po e dëgjoj dhe po e lexoj se një grup janë falur natën, po kush janë ata?
Babai i thotë: – O biri im! Ata janë sahabët, Zoti qoftë i kënaqur me ta.
I biri pyet: – O baba im! Po çfarë dobie kemi nëse nuk veprojmë ashtu siç ka vepruar Pejgamberi a.s. dhe sahabët e tij?
I ati i përgjigjet: – E fole të vërtetën o biri im. Pas këtij rasti babai zgjohej natën dhe falej.
U zgjua edhe Jezidi natën dhe kur e sheh babanë duke falur i thotë: – O babai im! Më mëso të pastrohem dhe të falem me ty.
Kurse babai i thotë: – O biri im fli, se ti je ende i vogël.
E ai i thotë: – O babai im! Kur të vijë Dita, kur njerëzit do të dalin para Zotit veç e veç për t’i parë veprat e tyre, do t’i them Zotit: – O Zoti im! Unë e kam pyetur babin tim si të pastrohem e të falem me të, por më ka refuzuar duke më thënë se jam ende i vogël. A ke dëshirë që kjo të të ndodhë?
Babai i thotë: – Jo për Zotin o biri im, assesi nuk dua të ndodhë ashtu.
Kështu që babai e mësoi të birin dhe ai filloi të falej me të.
–
Dr. Musli Vërbani
“365 tregime për fëmijën tuaj brenda 12 muajve të vitit”