Marrëveshja e Hudejbijes

Marrëveshja e Hudejbijes

Muhamedi a.s. shtatëmbëdhjetë muaj është falur duke u kthyer në drejtim të Mesxhidi Aksas në Jerusalem.

Pastaj Zoti i Madhëruar e urdhëroi që gjatë faljes të kthehej në drejtim të Qabes në Mekë.

Kjo e gëzoi Muhamedin a.s. pa masë sepse Meka ishte vendlindja e tij e dashur.

Meka ishte shpresa e fundit e Muhamedit a.s.

Kthimi në vendlindje duhet të jetë shpresë e vetme e çdo besimtari.

Në vitin e gjashtë të hixhretit, Muhamedi a.s. kishte parë ëndërr se e ka vizituar Qaben. Mirëpo Qabja ende ishte nën thundrat e pabesimtarëve.

Pabesimtarët ende qëllim kryesor e kishin mbytjen e Muhamedit a.s., por Muhamedi a.s. me vendosmëri, i pa armatosur, me shokët e tij u nis për ta kryer Umren në Qabe.

Kur arriti në vendin Hudejbije, pabesimtarët menduan se Muhamedi a.s. ishte nisur që ta sulmojë Mekën.

Muhamedi a.s. e dërgoi Uthmanin si delegacion për t’u treguar pabesimtarëve të Mekës se ai me shokët ishin të paarmatosur dhe se ata ishin nisur vetëm që ta vizitojnë Qaben e shenjtë.

Pas një vonese të gjatë, Uthmani u kthye dhe pas tij erdhi një delegacion prej pabesimtarëve të Mekës dhe lidhën një marrëveshje për paqe.

Kjo marrëveshje u quajt “Marrëveshja e Hudejbijes”.

Në marrëveshje u nënshkruan katër kushte kryesore të marrëveshje, e ato ishin:

  • Armëpushimi i të dy palëve për dhjetë vjet, d.m.th. dhjetë vjet jetesë në paqe.
  • Lejohet që kush dëshiron prej fiseve t’i bashkohet muslimanëve dhe kush dëshiron t’i bashkohet pabesimtarëve.
  • Çdo pabesimtar i Mekës i cili shkon te Muhamedi a.s. duhet t’i dorëzohet Mekasve. Ndërsa kush prej shokëve të Muhamedit a.s. ikë dhe shkon në Mekë, Mekasit të mos i dorëzohet Muhamedit a.s.
  • Në vitin tjetër i lejohet Muhamedit a.s. me shokët e tij që ta vizitojnë Qaben me kusht që të qëndrojnë në Mekë vetëm tri ditë.

Nëse i shikojmë këto kushte, në shikim të parë kanë qenë në dëm të muslimanëve e në dobi të pabesimtarëve, saqë disa prej shokëve të Muhamedit a.s. në krye me Umerin u hidhëruan, por Muhamedi a.s. i qetësoi duke iu treguar se në paqe për shumë vite, muslimanët do të arrinin më shumë fitore dhe ardhmëri të lumtur.

–

Dr. Musli Vërbani

“365 tregime për fëmijën tuaj brenda 12 muajve të vitit”

Lini një Përgjigje