Beteja e Hunejnit

Beteja e Hunejnit

Muhamedi a.s. e çliroi Mekën.

Të gjitha fiset e pranuan Islamin grupe-grupe, përpos disa fiseve të Havazinit.

Fiset e Havazinit jo vetëm se nuk e pranuan Islamin por edhe u përgatitën për t’i luftuar të gjithë muslimanët.

Në këtë kohë numri i muslimanëve ishte shumë i madh, ndërsa fiset e pabesimtarëve ishin shumë të paktë në numër.

Muslimanët e harruan mbështetjen dhe ndihmën e Zotit dhe thanë:

– Sot fitorja është e jona se jemi ushtri e madhe dhe e fortë.

Kur u ndeshën me pabesimtarët në vendin “Hunejn”, hasën në rezistencë të fortë, hyri frika në zemrat e tyre dhe kështu e lëshuan frontin duke ikur me të katërtat.

Ata e kuptuan se fitorja nuk varet prej forcës dhe prej shumës së madhe, por varet prej vendosmërisë dhe mbështetjes në Allahun.

Pastaj Muhamedi a.s. hipi mbi një shkëmb dhe i thirri të gjitha fiset një nga një dhe u tha që të kthehen në front.

Të gjitha fiset e pranuan thirrjen e Muhamedit a.s. dhe iu vërsulën pabesimtarëve, e edhe pse e humbën betejën e parë, në fund e fituan luftën.

Këtë ngjarje e përshkruan edhe Kur’ani në Suretu Tevbe si vijon:

“Vërtetë Allahu ju ka ndihmuar në shumë vende dhe në shumë raste, e po ashtu iu ka ndihmuar në vendin Hunejn. (Në atë vend) Ju u krenuat me shumën e madhe tuajën, mirëpo numri i madh nuk iu bëri aspak dobi juve sepse (nga frika duke ikur) ju ngushtua aq shumë toka edhe pse është e gjerë, e ju pastaj ia kthyet shpinën frontit dhe ikët. Pastaj Allahu zbriti qetësi te i Dërguari i tij dhe te besimtarët, (po ashtu) zbriti ushtri (të Melekëve) të cilën ju nuk e keni parë dhe i dënoi pabesimtarët. Kështu Zoti i ka ndëshkuar pabesimtarët, pastaj Zoti ia pranon pendimin kujt të dojë Ai. Allahu është falës, i Mëshirshëm (për besimtarët gjithmonë)”.

Dr. Musli Vërbani

“365 tregime për fëmijën tuaj brenda 12 muajve të vitit”

Lini një koment