ÇKA PASQYRON HIXHRETI?

ÇKA PASQYRON HIXHRETI?

Hixhreti pasqyron:

– LIRINË E BESIMIT;

– DURIMIN PËR BESIM;

– SAKRIFICËN PËR BESIM;

– DASHURINË PËR BESIMIN;

– NDIHMËN E ZOTIT;

– VLERËN E JETËS, etj.

PASQYRIMI I LIRISË SË BESIMIT

Nuk mund të llogaritet liri e besimit nëse thuhet: “Ne kemi fenë tonë, ndërsa ju nuk e keni fenë tuaj”, por liri e besimit është kur thuhet “JU KENI FENË TUAJ, UNË KAM FENË TIME” (El-Kafirunë, 6)

Si mund të konsiderohen mendime të drejta kur në njërën anë të thuhet liri e besimit, ndërsa në anën tjetër të thuhet: Mos e dëgjoni Kur’anin, mos i dëgjoni thëniet e Ligjeve të Kur’anit sepse janë ligje të prapambetura!?. Mendimet e tilla nuk pasqyrojnë liri të mendimit.

Zoti i Lartmadhëruar thotë:

“Ata që nuk besuan thanë: Mos dëgjoni këtë Kur’an dhe kur të lexohet ai, ju bëni zhurmë (bërtitni) ashtu që ta pengoni!” (Fussilet, 26)

Liria e mendimit buron nga Kur’ani ku Zoti i Lartmadhëruar thotë:

“Thuaj: “Kush ju furnizon nga qiejt e nga toka?” Thuaj: “All-llahu”. E atëherë, ose ne ose ju jemi në rrugë të drejtë, apo në një humbje të dukshme! Thuaj: “Ju nuk jeni përgjegjës për gabimet tona, e as ne nuk përgjigjemi për atë që veproni ju!” (Sebeë,24- 25).

PASQYRIMI I DURIMIT PËR BESIM

13 vite, muslimanët e dobët u maltretuan vetëm pse besuan, por ata e ruajtën BESIMIN, u torturuan por ata e ruajtën BESIMIN , ata qëndronin përballë torturave vetëm për të ruajtur BESIMIN dhe kur erdh koha, ata bënë hixhretin, sepse BESIMI ishte më i rëndësishëm se pasuria e tyre.

PASQYRIMI I SAKRIFICËS PËR BESIM

Hixhreti pasqyron sakrificën për besim. Sakrifica për besim pasqyrohet me rastin e Aliut r.a. i cili ishte i sigurt se mbi mbulojën e shtratit të Muhamedit a.s. do të ngrihen shpatat, por ai me bindje të thellë dhe i qetë vendoset nën mbulojën e shtratit të Muhamedit a.s.

PASQYRIMI I DASHURISË PËR BESIMIN

Madhështia e dashurisë kurorëzohet kur bëhet me qëllim të dobisë së përgjithshme. Gjatë hixhretit, Ebu Bekri i qëndronte si mburojë Muhamedit a.s.,: ndonjëherë para tij; herën tjetër pas tij; herën tjetër para dhe herën tjetër pas Muhamedit a.s. Kur e pyeti Muhamedi a.s. se pse po vepron kështu. Ebu Bekri i është përgjigjur: “Nëse mbytem unë, mbytem vetëm unë, ndërsa nëse mbytesh ti, shkatërrohet umeti i Muhamedit a.s”.

PASQYRIMI I NDIHMËS SË ZOTIT

Ndihma e Zotit fitohet duke ndihmuar fenë e cila i ka zbritur Muhamedit a.s.

Zoti Lartmadhëruar thotë:

“Nëse nuk e ndihmoni atë (Muhamedin a.s.), atë pra e ka ndihmuar All-llahu, kur e përzunë ata që nuk besuan të dytin prej dyve. Kur ishin në shpellë, ai (Muhamedi a.s.) i tha shokut të vet (Ebu Bekrit r. a.): “Mos u brengos, vërtet All-llahu është me ne!” (et-Tevbe, 40)

PASQYRIMI I VLERËS SË JETËS

Vlera e jetës pasqyrohet me Hixhretin sepse Kalendari i jetës fillon me ndodhinë e HIXHRETIT dhe nuk fillon me datën e lindjes së Muhamedit a.s. sepse me rastin e HIXHRETIT fillon një jetë e re ku vëllazërohen muslimanët, fillojnë jetën e re për këtë botë dhe për botën tjetër sepse kjo jetë është bahçe për të mbjellë ndërsa frytet mblidhen në botën tjetër.

Dr. Musli Vërbani

Lini një koment