Shuajbi a.s.

Shuajbi a.s.

Shuajbi a.s. jetonte në qytetin Medjen.

Ky qytet merrej me bujqësi. Kishin kopshte të gjera dhe fryte të llojllojshme.

Ishin edhe tregtarë.

Mirëpo nuk e falënderonin Allahun.

Ky popull kishte vese të këqija. Prej veseve të këqija po i përmendim:

– Nuk e adhuronin Allahun.

– Nuk e falënderonin për të mirat e Tij.

– Ishin tregtarë tradhtarë.

– Kur shitnin e linin masën e mallrave mangët.

– Kur blinin, merrnin më shumë se sa u takonte.

– Ishin kriminelë, i pengonin udhëtarët, i ndalnin, i maltretonin dhe ua merrnin pasurinë.

– Talleshin me pejgamberin e Zotit.

Shuajbi, për t’i drejtuar në rrugën e drejtë u thoshte:

– O populli im, adhurojeni Allahun. Nuk ka zot tjetër përpos Tij.

Kur matni mos pakësoni as në masë, as në peshë.

Mos ia pakësoni njerëzve pasurinë e tyre, duke i tradhtuar.

Mos shkaktoni rrëmujë në tokë.

Populli i tij duke u tallur i thanë:

– O Shuajb, nuk po të kuptojmë asgjë çka po flet ti, ne e dimë se ti je i dobët në mesin tonë. E sikur të mos ishte farefisi i yt, ne do të të kishim mbytur me gurë.

Shuajbi a.s. iu tha:

– Unë dëshiroj vetëm mirë për juve. Unë jam i dërguar besnik për juve, dëgjoni urdhrat e Allahut dhe frikohuni prej dënimit të Tij.

Kokëfortësia e tyre prapë nuk dëgjoi por tha:

– Lëshoje prej qielli ndonjë dënim nëse e flet të vërtetën.

Shuajbi a.s prapë me butësi u tha:

– Unë frikohem për juve se do të dënoheni siç është dënuar më herët populli i Nuhit, Hudit dhe Lutit.

Udhëheqësit e popullit i thanë Shuajbit a.s.:

– O Shuajb, ose do të të dëbojmë nga qyteti ynë ty me besimtarët ose do të të kthejmë në fenë tonë.

Kur Shuajbi a.s. përfundimisht e pa se nuk dëshirojnë të kuptojnë, iu lut Zotit ta dënojë atë popull.

Atëherë filloi një nxehtësi e madhe deri sa iu ngushtua frymëmarrja, iu djeg lëkura në trup, djersiteshin e djersët ishin të nxehta si vala.

Kështu vazhdoi shtatë ditë.

Në ditën e tetë e panë një mjegull të zezë.

Menduan se do të bjerë shi, por jo. Në vend të shiut mjegulla lëshonte zjarr, toka dridhej.

Nuk kishin mundësi të iknin, kështu që u shkatërruan të gjithë.

Shuajbi a.s. me besimtarët shpëtuan. Kështu Zoti i shpëton besimtarët e i shkatërron pabesimtarët.

Dr. Musli Vërbani

“365 tregime për fëmijën tuaj brenda 12 muajve të vitit”

Lini një koment