Pajtimi është i lejuar, pos pajtimit i cili e lejon të ndaluarën apo e ndalon të lejuarën

Dr. Musli Vërbani

 

Es-sulhu xhaaizun bejnel muslimiine il-laa sulhan harreme halaalen ev ehal-le haraamen
Pajtimi është i lejuar, pos pajtimit i cili e lejon të ndaluarën apo e ndalon të lejuarën

 

 

Pajimi është akt i cili me kushte ligjore eliminon armiqësinë në mes të armiqësuarve.

 

Pajtimi është i ligjësuar:

– me Kur’an;

– me sunet;

– me ixhmaë.

Edhe argumentet logjike janë argument për pajtimin.

 

 

Argumentet nga Kur’ani:

 

Zoti i Lartmadhëruar thotë:

“Nëse ndonjë grua i frikësohet largimit për shkak të ftohjes së burrit të vet ndaj asaj, atëherë nuk gabojnë poqëse bëjnë mes vete mbarim (pajtim). PAJTIMI është më i dobishmi.” (En-Nisa : 128)

 

Pastaj e kemi ajetin tjetër fisnik ku Zoti i Lartmadhëruar thotë:

“Nuk ka kurrfarë dobie në shumë biseda të tyre të fshehta, pos:

– kush këshillon për sadaka,

– për ndonjë të mirë ose

– PAJTIM mes njerëzve” (En-Nisa : 114)

 

Kemi edhe ajetin tjetër në Kur’anin Fisnik:

“Nëse dy grupe besimtarësh tentojnë të luftojnë ndërmjet vete, ju PAJTONI ata, e në qoftë se ndonjëri prej tyre e sulmon tjetrin, atëherë luftojeni atë grup që vërsulet me pa të drejtë, derisa t’i bindet udhëzimit të All-llahut, e nëse ktheheni, atëherë me drejtësi bëni PAJTIMIN ndërmjet tyre, mbajeni drejtësinë, se vërtet All-llahu i do të drejtit.”  (El-Huxherat : 9)

 

Pastaj edhe ajetin tjetër:

“S’ka dyshim se besimtarët janë vëllezër, pra bëni PAJTIM ndërmjet vëllezërve tuaj dhe kijeni frikë All-llahun, që të jeni të mëshiruar.”  (El-Huxherat : 10)

 

 

 

Argument nga hadithi

 

Buhariu në sahihun e tij transmeton se Keab bin Maliku është konfrontuar me ibn Ebi Hududin për një borxh të cilin ia kishte dhënë. Pejgamberi s.a.v.s i pajtoi ata në atë mënyrë që ibn Keabi të hiqte dorë nga një pjesë e borxhit ndërsa ibn Ebi Hududin e urdhëroi që pjesën tjetër t’ia paguan.

 

 

Argument nga ixhmai

 

Janë pajtuar sehabet në lejimin e pajtimit në përgjithësi edhe pse për disa forma të pajtimit nuk janë pajtuar.

 

 

Argumenti logjik

 

Logjika e pranon lejimin e pajtimit në mes njerëzve sepse kjo e largon çrregullimin i cili veç ka ndodhur, ose e parandalon çrregullimin i cili mund të ndodhë sepse pajtimi ndalon acarimin e mëtutjeshëm, ndërsa acarimi është shkak i çrregullimit.

 

Pajtimi është shumëllojësh:

  1. Pajtimi i lejuar;
  2. Pajtimi i pëlqyer;
  3. Pajtimi obligativ;
  4. Pajtimi mekruh;
  5. Pajtimi haram;

 

Pajtimi i lejuar është pajtimi i cili është në kënaqësinë e Allahut dhe në kënaqësinë e dy të ngatërruarve. Baza e këtij pajtimi është barazia dhe drejtësia. Zoti i Lartmadhërishëm thotë: “Dhe PAJTONI në mes tyre dhe bëjeni me drejtësi.”

Baza e pajtimit është lejimi i pajtimit në mes njerëzve.

Ka mendime se baza e pajtimit është mendub.

 

Llojet e të drejtave dhe pajtimit

 

Të drejtat për pajtim janë tri llojesh:

  1. Të drejtat e njeriut ndaj Krijuesit;
  2. Të drejtat e njeriut ndaj njeriut;
  3. Të drejtat që ndërlidhen në mes njerëzve dhe Krijuesit.

 

  1. Të drejtat e njeriut ndaj Krijuesit

 

Nuk lejohet pajtimi në një të drejtë prej të drejtave të Allahut.

Kjo është aprovuar nga ixhmai si f.v.:

– Nuk lejohet pajtimi për dënimin e prostitucionit.

– Nuk lejohet pajtimi për dënimin për vjedhje.

– Nuk lejohet pajtimi për dënimin e pirjes se alkoolit.

 

Shembull:

– Prostituti i cili ka bërë prostitucion thotë: Merreni këtë pasuri që të mos ngrihet padia në prokurori, e kjo nuk lejohet nga shkaku se e drejta e Allahut është e prerë dhe absolute, andaj nuk ka amnisti.

– Hajni i cili ka vjedhur të thotë: Merreni këtë pasuri që të mos ngrihet padia në prokurori.

Kjo nuk lejohet nga shkaku se e drejta e Allahut nuk lejon amnisti.

Në raste të ngjashme, as gjykata as prokuroria, as qeveritari, nuk e kanë të drejtën e faljes apo të amnistisë.

Kjo është e njohur me Kur’an dhe me Sunetin e Muhamedit a.s.

 

 

  1. Të drejtat e njeriut ndaj njeriut

 

Pajtimi të cilin e parasheh ligji islam ka të bëjë me të drejtën e njeriut, nga shkaku se pajtimi është i ndërlidhur me të drejtën e njerëzve:

– ose faljen në tërësi;

– ose faljen e një pjese të fajit;

– ose faljen me kompensim.

 

 

  1. Të drejtat që ndërlidhen në mes njerëzve dhe Krijuesit

 

– Nëse është e drejta e Allahut me të drejtën e robit, nuk lejohet falja apo amnistia, sepse dominon e drejta e Allahut ndaj të drejtës së njeriut si f.v.: shpifja për prostitucion:

Në shpifjen për prostitucion kemi dy të drejta:

– e drejta e Allahut.

– e drejta e njeriut.

Për shpifje për prostitucion dominon e drejta e Krijuesit ndaj të drejtës së njerëzve.

Në këtë çështje nuk lejohet pajtimi, as amnistia por vetëm realizohet dënimi për shpifje.

 

Lini një koment