Skena e dënimit të disa dukurive negative të pasqyruara në Natën e Miraxhit

Dr. Musli Vërbani

 

Skena e dënimit të disa dukurive negative të paqyruara në Natën e Miraxhit

 

Në natën e miraxhit, Muhamedi a.s. ka parë ndodhi të shumta e në to bën pjesë edhe shfaqja e disa dukurive negative dhe dënimi për to.

Këto dukuri negative përmbysin shoqëri, andaj me qëllim të parandalimit të humbjes që vjen nga këto dukuri negative të cilat janë të përhapura në shoqëri duhet që shkaqet e tyre të parandalohen që në fillim.

Konkretisht, dukuritë apo llojet e njerëzve të cilat Muhamedi a.s. i ka parë janë:

 

1. Njerëz të cilëve u priten me gërshërë buzët dhe gjuhët e tyre.

 

Në Natën e Miraxhit, i dërguari i Allahut s.a.v.s. ka parë njerëz të cilëve u janë prerë me gërshërë buzët dhe gjuhët e tyre.

 

Kush janë kjo kategori e njerëzve?

 

Kjo kategori e njerëzve janë ata që ligjërojnë e që ligjërimin nuk e bëjnë për hir të Allahut por për interes material të tyre. Këto njerëz shkaktojnë përçarje dhe huti në popull. Me një fjalë, ky lloj i ligjëruesve është shkaktar i fitneve.

 

Pse do të ndodhë kjo mënyrë e ndëshkimit?

 

Buza dhe gjuha janë mjete komunikimi.

Ligjërimi është një mjet prej mjeteve sqaruese për disa çështje të rëndësishme, të cilat kanë të bëjnë me thirrjen islame.

Kjo është kategoria e njerëzve të cilët e thonë atë që nuk e veprojnë.

Kjo është kategoria e njerëzve të cilët fjalët i kanë më të ëmbël se mjalti, ndërsa veprat më të hidhura se e hidhura e rrënjëve.

Ligjëruesit përfitues shkaktojnë fitne e çrregullime.

Për ata, njerëzit mendojnë se janë thirrës, ndërsa ata flasin dhe njerëzit i dëgjojnë, por veprimtaria e tyre është në kundërshtim me fjalët e tyre. Por, kur njerëzit fillojnë t’i krahasojnë fjalët e tyre me veprën e tyre, e kuptojnë se fjala flitet, e vepra veprohet, dhe kur ndërmjet këtyre dyjave ka kundërshtim, atëherë çdo gjë çrregullohet.

Skena e dënimit e kësaj dukurie na bën ta kuptojmë rëndësinë e këtyre veprimeve negative.

Skena e këtij dënimi na mëson se këtë lloj veprimtarësh duhet ta dënojmë.

Skena e kësaj ngjarje na e bën me dije se këtë dukuri negative që shkakton fitne e çrregullime duhet ta largojmë sa më parë.

Duhet pasur kujdes të shtuar, duhet ta bëjmë mirë dallimin në mes pozitives e negatives, formales e substanciales. Kjo skenë e shfaqur në Natën e Miraxhit na mëson se, mund të ndodhë që dukuria negative të përhapet duke qenë e mbështjellë me pozitivitet, andaj duhet të jemi syçelë e ta parandalojmë dhe luftojmë me kohë që të mos përhapet në shoqëri.

 

2. Njeriu i cili qëndron mbi lum me gjak, e pastaj gjuhet me gurë.

Në Natën e Miraxhit, i dërguari i Allahut s.a.v.s. ka parë një lum prej gjaku. Në mes të atij lumi qëndronte një njeri, e në breg të lumit qëndronte një tjetër, përpara të cilit gjendeshin gurë. Sa herë që njeriu në mes të lumit tentonte të dilte, tjetri nga bregu i lumit e gjuante me gurë në gojë dhe e kthente në vendin ku qëndronte. Kështu vepronte sa herë që tentonte të dilte, e gjuante me gurë në gojë dhe njeriu kthehej përsëri në mes të lumit me gjak.

 

Kush janë kjo kategori e njerëzve?

 

Kjo kategori e njerëzve janë ushqyesit me mjete të kamatës (fajdes), janë ata të cilët e kanë ngrënë kamatën.

Allahu i Lartmadhëruar thotë: “O ju që besuat, kijeni frikë Allahun dhe nëse jeni besimtarë hiqni dorë prej asaj që ka mbetur nga kamata.” (El-Bekare : 278)

Allahu i Lartmadhëruar thotë: “E në qoftë se nuk e bënë këtë (nuk hiqni dorë nga kamata), ta dini se do të jeni në konflikt me Allahun dhe të dërguarin e Tij.” (El-Bekare : 279)

Ata që ngulmojnë në këtë vepër do të jenë në zjarr të xhehenemit. Allahu i Lartmadhëruar thotë: “E kujtdo që i vjen këshilla nga Zot i Tij e shmanget prej kamatës, malli i tij, i fituar më parë (para ndalimit të kamatës) është i tij dhe çështja për këtë i takon Allahut. E, kushdo që i kthehet (punës me kamatë, pas ndalimit) ai do të jetë banues i zjarrit, në të cilin do të qëndron përgjithmonë.” (El-Bekare : 275)

Kamata(Fajdja) është bërë dukuri e zakonshme, dukuri e rëndomtë dhe si diçka pozitive, por duhet të bëjmë dallimin në mes pozitives e negatives. Për këtë dukuri thuhet se është pozitive dhe është e përhapur në shoqëri, ndërsa skena e saj e paraqitur para të dërguarit s.a.v.s. në Natën e Miraxhit na mëson se, ata të cilët veprojnë me kamatë duhet të largohen sa më parë nga kjo dukuri negative përndryshe dënimi është i tmerrshëm.

 

3. Njerëz të cilët me thonj prej bakri do ta gërvishtin fytyrën dhe trupin e tyre.

 

Në natën e Miraxhit Muhamedi a.s. ka parë disa njerëz me thonj prej bakri të cilët gërvishtnin fytyrën dhe trupin e tyre. Po ashtu, Muhamedi a.s. na ka treguar se në Natën e Miraxhit ka kaluar pranë një grupi njerëzish të cilët e copëtonin mishin nga pjesët e trupit të tyre dhe e përtypnin, dhe u thuhej: “Hani, ashtu siç e keni ngrënë mishin e vëllait tuaj.”

 

Kush janë kjo kategori e njerëzve?

 

Kjo kategori e njerëzve janë përgojuesit. Janë njerëzit që përgojojnë të tjerët. Për shkak të krimit të madh të përgojimit ata e merrnin mishin e njerëzve dhe e hanin.

Zoti i Lartmadhëruar në Kur’an thotë: “… dhe mos përgojoni njëri-tjetrin, a mos ndonjëri prej jush dëshiron të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur? Atë (dukuri) pra urrejeni!” (El-Huxhuratë : 12)

Kjo dukuri negative, në ditët e sotme, në rrethin ku jetojmë, ekziston dhe çdo ditë e më tepër po e përmbys shoqërinë.

Besimtari duhet t’i kupton ose t’i dënon ata të cilët veprojnë ashtu, dhe reagimi kundër tyre duhet të jetë në formën më të rreptë në mënyrë që sa më parë të largohen ato dukuri negative.

 

4. Kategoria e njerëzve të cilët para vetes kanë mish të pastër dhe nuk e hanë, por shkojnë dhe e hanë mishin e ndotur, të përlyer dhe jo të pastër.

Në natën e Miraxhit, Muhamedi a.s. ka parë një popull, i cili para vetes kishte mish të pastër dhe nuk e hante, por shkonte e hante mishin e ndotur, të përlyer dhe jo të pastër.

 

Kush janë kjo kategori e njerëzve?

 

Kjo kategori e njerëzve janë njerëzit që kanë bërë imoralitet, e kanë shkelur kurorën martesore, pra kanë lënë mishin hallall e të pastër dhe kanë ngrënë mish haram e të ndotur.

Skena e kësaj ngjarje, pra shfaqja e dënimit të këtij lloji njerëzish, na e shfaq realitetin e vërtetë të këtij veprimi, na e shfaq shkallën e vërtetë të gabimit dhe poshtërsisë që mbart ky veprim, pra imoraliteti.

 

5. Lopa e madhe, e cila del prej një vrime dhe dëshiron të hyn prapë në atë vrimë, por nuk mundet.

Muhamedi a.s. ka parë një lopë të madhe, e cila del prej një vrime dhe dëshiron të hyn prapë në atë vrimë por nuk mundet.

Kjo skenë shfaq realitetin e njerëzve që e thonë një fjalë pa e menduar e pastaj dëshirojnë ta kthejnë mbrapa, pra kjo skenë ka të bëjë me ata të cilët nuk i masin fjalët e tyre.

Edhe kjo është një dukuri që fatkeqësisht është përhapur në masë të madhe, andaj duhet që urgjentisht të luftohet ky fenomen negativ dhe shkaqet e saj duhet të priten në mënyrë që të ndalohet dëmi.

 

6. Njerëzit të cilët kanë barrë në shpinën e tyre dhe të cilën mezi e bartin, mirëpo këta prapë e zgjasin dorën për të marrë edhe një barrë tjetër për ta vendosur në kraharor.

Në natën e Miraxhit ka parë një njeri i cili kishte një barrë të rëndë në shpinën e tij që nuk mund ta bartte, mirëpo prapë e zgjaste dorën për të marrë edhe një barrë tjetër për ta vendosur në kraharorin e tij.

 

Kush janë kjo kategori e njerëzve?

 

Janë ata të cilët marrin detyra me përgjegjësi (emanete), kërkojnë dhe mbajnë pozita, ndërsa në fakt janë të paaftë për t’i kryer ato. Edhe përkundër kësaj, ata dëshirojnë përgjegjësi tjera e emanete tjera.

Dukuria e kësaj ngjarje në Natën e Miraxhit, na mëson ta largojmë sa më parë këtë dukuri negative.

Ne çdo ditë po shohim se si njerëzit po marrin pozita udhëheqëse duke mos qenë të aftë, dhe po e shohim se si po shkakton dëm në shoqëri, andaj kjo skenë dhe kjo ngjarje, duhet të shërben që ta kuptojmë rëndësinë e kësaj çështje, në mënyrë që t’i shmangemi këtij dënimi të rëndë dhe në mënyrë që të shtrihet drejtësia në tokë.

 

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s