Muhamed Muteveli Esh-Shaëravi Përktheu: Dr. Musli Vërbani
Kontrata (tregtia) e hipokritëve
Në thënien e Zotit të Lartmadhëruar:
أُولَٰئِكَ الَّذِينَ اشْتَرَوُا الضَّلَالَةَ بِالْهُدَىٰ
“Ata janë të cilët kanë kontraktuar (tregtuar) humbjen me udhëzimin.” (El-Bekare : 16)
Kur të dëgjosh fjalën “ka tregtuar”, e nënkupton kontratën e cila shërbehet me monedhë (të holla), mirëpo, në të kaluarën ka ekzistuar këmbimi i mallrave, pra këmbim mall me mall. Para se të zbulohen letrat me vlerë është bërë këmbimi mall me mall, mirëpo më vonë letrat me vlerë janë bërë përcaktues i çmimit, që do të thotë, të hollat.
Procesi i “blerjes” tregon njëkohësisht procesin e “shitjes”:
“E kanë blerë humbjen me udhëzimin.”
E kemi paguar “udhëzimin” në këmbim të “humbjes”.
Parafjala “bi” tregon çështjen e dorëzuar – udhëzimin, që nënkupton, kur të blesh diçka, i dorëzon të hollat. Pra, e “dorëzuar” janë të hollat. Në këtë rast “humbja” është malli (artikulli). Kushtëzohet që ti t’i kesh të hollat për të paguar mallin. Mirëpo parashtrohet pyetja: A ka qenë me ta “udhëzimi”?.
(Përgjigjja) Patjetër se kjo tregon se te ta ka qenë udhëzimi, ata e kanë poseduar “udhëzimin”, këshillat, librat e shpallura, ndërsa ata e kanë dorëzuar “udhëzimin” dhe e kanë pranuar “humbjen”:
فَمَا رَبِحَت تِّجَارَتُهُمْ
“Nuk ju ka sjellë profit tregtia e tyre.”
Shikojeni se çfarë preciziteti ngërthen në vete ajeti fisnik, saqë koncepti i tregtisë është shitja dhe blerja.
Blerësi është konsumator, ndërsa shitësi ndonjëherë mund të jetë prodhues dhe ndonjëherë ndërmjetësues ndërmjet prodhuesit dhe konsumatorit.
Ndërmjetësuesi në këtë proces është tregtari dhe ky proces quhet tregti. Kështu pra, tregtia është mesi i prodhuesit dhe konsumatorit, mirëpo ai për të realizuar këtë është i varur që të ndërlidhet me ndërmjetësuesin prodhues dhe pas kësaj fillon që artikulli të kalon deri te konsumatori. Cila është detyra jote në këtë proces?
Nëse fiton, thuhet, ka përfituar nga tregtia, që do të thotë, nuk ka dështuar. Kështu pra, kushtoi vëmendje çka vjen pas kësaj:
وَمَا كَانُوا مُهْتَدِينَ
“Dhe nuk janë të udhëzuar.” (El-Bekare : 16)
Kjo nënkupton se nuk ju ka mbetur asgjë përderisa e kanë blerë humbjen me udhëzimin. Ata, jo vetëm që kanë humbur, por kanë mbetur edhe pa bazë.