Dr. Musli Vërbani
Ligji i fjalës specifikuese
Fjala specifikuese përdoret në formën e prerë dhe bindëse, përderisa nuk vjen ndonjë argument tjetër i cili i jep kuptim tjetër.
Me fjalën “në formë të prerë” kemi për qëllim të themi se nuk mund të ketë kuptim tjetër, i cili buron nga argumenti, ndërsa nuk kemi për qëllim të themi se kurrë nuk mund të ketë kuptim tjetër.
Shembull:
Zoti i Lartmadhëruar thotë: “Agjërimi i tij (duhet të jetë) tri ditë.”
Fjala “tri ditë” në ajet ka kuptim të prerë dhe nuk lejohet as më pak as më shumë, sepse fjala është specifike dhe nuk mund t’i jepet kuptimi për më pak ose për më shumë, sepse tregueshmëria është e prerë
Shembull tjetër:
Fjala “dhjetë” në ajetin ku Zoti i Lartmadhëruar thotë:
“Dhe kompensimi i tij është të ushqyerit e dhjetë të varfërve.”
Fjala “dhjetë” ka kuptim të prerë.
Fjala në kuptim të prerë nuk lejohet as më pak as më shumë sepse fjala është specifike dhe nuk mund t’i jepet kuptimi për më pak ose për më shumë sepse tregueshmëria është e prerë.
Shembull tjetër:
Ajeti kur’anor:
“Të shkurorëzuarat le të presin me vetveten e tyre tre kuruë.”
Fjala “Kuruë” (periodë kohore) është specifike dhe nuk mund t’i jepet kuptimi për më pak ose për më shumë sepse tregueshmëria është e prerë. Parashtrohet pyetja çfarë interpretimi duhet t’i jepet fjalës “kuruë”?
Fjala “kuruë” (periodë kohore) është fjalë dykuptimëshe:
– përdoret për ciklin e menstruacionit
– përdoret për kohën e pastërtisë (në mes dy menstruacioneve).
Qëllimi është për njërin kuptim të caktuar.
Ajeti fisnik ka nënvizuar se ideti (koha e pritjes) i gruas së shkurorëzuar, pas kontaktimit, është tre “kuruë”. Në thënien e Zotit të Lartmadhëruar:
“Të shkurorëzuarat le të presin me vetveten e tyre tre kuruë.”
“Kurui” është periodë kohore. Kuptimi i periodës kohore ka kuptimin e menstruacionit, sepse fjala “tre” është fjalë specifike dhe në mënyrë të prerë tregon për obligueshmërinë për tri perioda kohore (kuruë) të plota.
Perioda kohore e plotë, që do të thotë se nuk lejohet as shtimi në më shumë se tre, as pakësimi në më pak se tre.
Po të kishte fjala kuruë për qëllim kuptimin “pastrim”, do të ishte nënvlerësuar obligueshmëria e fjalës specifike, e ajo është “tre”, sepse “pastrimi”, në të cilin veç ka ndodhur shkurorëzimi, nëse llogaritet “ideti” (pastrimi), atëherë afati i pritjes së saj do të ishte tri pastrime të plota dhe një pjesë e pastrimit të katërt.
Po nëse llogaritet, atëherë afati i pritjes te ajo do të ishte dy pastrime të plota dhe një pjesë e pastrimit të tretë. Nuk ka dallim në mes të pastrimit të parë dhe të tretë. Mjafton që në të tretën të jetë një pjesë e pastrimit, dhe atëherë, nëse në të tretën kalon një pjesë sado e shkurtër e kohës, duhet t’i lejohet gruas që të martohet. Ndërkaq, këtë nuk e pranon Ixhmai i dijetarëve.
Do të duhej që, nëse interpretohet fjala “kuruë” me kuptimin e “pastrimit”, shkurorëzimi, i cili duhet të jetë i ligjësuar, të jetë në momentin deri sa femra është në kohën e pastrimit, e kjo do ta kishte nënvlerësuar obligueshmërinë e fjalës specifike me shtesë ose pakësim, e kjo nuk është e lejuar.