Kur ndryshojnë ligji dhe shkaku

Dr. Musli Vërbani

 

Kur ndryshojnë ligji dhe shkaku

 

Shembull:

Thënia e Zotit të Lartmadhëruar për vjedhësin:

“Vjedhësit dhe vjedhëses preuani duart e tyre”.

 

Thënia e Zotit të Lartmadhëruar në ajetin e abdesit:

“Dhe pastroni fytyrat e juaja dhe duart e juaja deri në bërryla”.

 

Në ajetin e parë fjala “duart e tyre” është e papërcaktuar.

Në ajetin tjetër fjala “duart e juaja deri në bërryla” është e përcaktuar.

 

Në të dy ajetet shkaku është i ndryshëm.

Në ajetin e parë “vjedhja”,

në ajetin dytë “papastërtia dhe orientimi për namaz”.

 

Në të dy ajetet ligji është për raste të ndryshme.

Në ajetin e parë është: “Dënimi i prerjes së dorës së vjedhësit”.

Në ajetin e dytë është: “pastrimi i duarve”.

 

Duke shikuar ndryshimin e tyre në shkak dhe ligj, e papërcaktuara nuk bartet (nuk konvertohet) në të përcaktuarën, pasi që nuk bëhet bashkimi i tyre.

 

Suneti e ka caktuar vendin e prerjes së dorës, e ai vend është e tërë shuplaka, sepse Pejgamberi s.a.v.s. ka urdhëruar që të pritet shuplaka e vjedhësit.

 

Në tejemum mes’hi i jepet duarve deri në bërryla, pasi që kështu bëhet bartja e (konvertimi) të papërcaktuarës në përcaktor.

Është thënë se në tejemum i jepet mes’h vetëm shuplakave të duarve, sepse kjo është pjesa të cilën e ka nënvizuar teksti, është bërë specifikimi i shuplakave deri në kyç, e jo deri në bërryla, duke u bërë analogji me prerjen e dorës së vjedhësit.

 

Shembull tjetër:

Obligueshmëria e agjërimit të dy muajve rresht në rastin e kompensimit të vrasjes gabimisht, në thënien e Zotit të Lartmadhëruar:

“Dhe kush nuk ka mundësi (të paguajë me pasuri), le të agjërojë dy muaj rresht”.

Dhe obligueshmëria e agjërimit të tri ditëve, por pa qenë i kushtëzuar rreshtimi në thënien e Zotit të Lartmadhëruar:

“Dhe kush nuk ka mundësi (të paguajë me mjete materiale), le të agjërojë tri ditë”.

 

Ligji është për raste të ndryshme.

Në ajetin e parë është “agjërimi dy muaj”, përderisa

në ajetin e dytë është “agjërimi tri ditë”.

 

Shkaqet janë të ndryshme.

Në ajetin e parë është shkak “vrasja gabimisht”,

Në ajetin e dytë është shkak “thyerja e betimit”.

 

Në këto raste papërcaktuesi i të dytës nuk bartet në përcaktorin e të parës, e kjo sipas shumicës absolute të dijetarëve, përpos Hanefijve.

 

Hanefijtë e kanë bërë obligim agjërimin e kompensimit të thyerjes së betimit, duke u bazuar në Kiraetin e vetmuar (Shadhë) të Ibni Mes’udit: “Dhe kush nuk ka mundësi (të paguajë me mjete materiale), le të agjërojë tri ditë (rresht)”.

 

 

 

 

 

 

Lini një koment