Në organizimin e raporteve në shoqëri, Islami i ka vendosur tri parime kryesore:
– Adhurimi në vetëm Allahun Një, të paortak dhe frikën në Zotin Famëlartë.
– Krijimi i besueshmërisë në mes të individëve të familjes dhe shoqërisë, duke filluar nga fqinji më i afërt dhe duke përfunduar te udhëtari i huaj, të cilit i janë shpenzuar mjetet e udhëtimit.
– Bujaria dhe fisnikëria në shpenzimin dhe investimin në çështje të arsyeshme dhe reagimin ndaj koprracisë, syfaqësisë dhe zemërngushtësisë sepse kjo është poshtërsi dhe njollosje e burrërisë dhe krenarisë.
Duke sqaruar këto baza Allahu i Madhërishëm thotë:
Ajetet 36-39:
Adhurojeni Allahun e mos i shoqëroni Atij asnjë send, silluni mirë ndaj prindërve, ndaj të afërmve, ndaj jetimëve, ndaj të varfërve, ndaj fqinjit të afërt, ndaj fqinjit të largët, ndaj shokut pranë vetes, ndaj udhëtarit të largët dhe ndaj robërve. Allahu nuk e do atë që është kryelartë dhe atë që lavdërohet. (36) Ata që vetë janë koprracë dhe urdhërojnë njerëzit për koprraci, dhe e fshehin atë që ju ka dhënë Allahu nga mirësitë e veta. Ne kemi përgatitur dënim të turpshëm për jobesimtarët; (37) Edhe ata që e japin pasurinë e tyre për sy e faqe të botës, e nuk e besojnë Allahun as ditën e fundit. E ai që e ka shok djallin, ai pra është shok i shëmtuar. (38) Dhe çka do t’i gjente ata, po ta besonin Allahun, ditën e gjykimit dhe të jepnin nga ajo që i dhuroi Allahu? Po Allahu di më së miri për ta. (39)
Ajetet e koprracisë dhe syfaqësisë kanë zbritur për dijetarët e bijve të Israilit, të cilët ishin koprrac me diturinë të cilën e posedonin dhe i këshillonin ensarët (medinasët) që të mos shpenzojnë pasurinë e tyre sepse sipas tyre ekziston mundësia që të varfëroheshin.
Allahu i Madhërishëm, të gjithë njerëzit në shoqëri i ka udhëzuar në disa cilësi të dobishme dhe të mirësisë:
E para: Adhurimin në vetëm Allahun Një, duke mos i përshkruar idhuj.
Adhurim do të thotë nënshtrim i plotë ndaj Allahut, me ndjenja të shpirtit duke e madhëruar Allahun fshehtazi dhe haptazi. Vetëm Atij i duhet frikësuar.
Adhurimi ndaj Allahut realizohet duke vepruar atë çka ka urdhëruar Allahu të veprohet dhe duke u larguar nga ajo çka ka ndaluar, pa marrë parasysh a janë çështje të zemrës si f.v., zilia, urrejtja, xhelozia ose veprimet fizike të cilat zbatohen fizikisht.
Ajeti fillon në rend të parë me adhurimin ndaj Allahut sepse është burim inspirimi i veprimit të çdo mirësie dhe largimit nga çdo e keqe dhe angazhimin për vlera.
Detyra e dytë: Bamirësia ndaj prindërve dhe mirësia për ta, që do të thotë: Dëgjueshmëria dhe përkujdesi për ta dhe plotësimin e dëshirave të tyre dhe largimi nga çdo gjë që i lëndon sepse ata janë shkaktarë i ekzistimit të fëmijës dhe e edukojnë fëmijën me sinqeritet dhe mëshirë dhe dashuri të përgjithmonshme dhe sakrifikimin për familje.
Detyra e tretë: Bamirësia ndaj të afërmve, këtu bën pjesë ndërlidhja farefisnore si f.v.: vëllai, motra, axha, daja dhe fëmijët e tyre.
Duke i dashur ata dhe ndihmën morale dhe materiale ndaj tyre.
Detyra e katërt: Bamirësia ndaj jetimëve, prej tyre ata të cilët i kanë humbur prindërit e tyre dhe kanë rënë dëshmorë në luftë për të ngritur fjalën e Allahut ose në mbrojtje të atdheut sepse ata jetim janë të dobët dhe ngjashëm me ta fëmijët e invalidëve, pra ata të cilët kanë humbur mbështetjen nga prindi.
Invalid quhet ai i cili e ka humbur aftësinë fizike për të punuar punë të ndershme dhe fisnike.
Detyra e pestë: Bamirësia ndaj të varfërve dhe të gjorëve: Janë nevojtarët, të cilët nuk i mbulojnë nevojat elementare të tyre. Atyre u ndihmohet nëpërmjet lëmoshës ose duke folur mirë me ta, siç thotë Zoti i Madhërishëm: “Dhe lypësit mos i bërtit.” (Ed-Duha: 10)
Kjo realizohet nëpërmjet parimit të sigurimit shoqëror islam.
Detyra e gjashtë: Bamirësia ndaj fqinjëve, siç e tregon Kur’ani ata janë trellojesh:
1. Fqinji i afërt, fqinji familjar dhe i fesë;
2. Fqinji i largët, largësia për nga objekti i banimit;
3. Shoku i afërt – është shoku i rrugëtimit.
Bamirësia ndaj fqinjëve realizohet duke mos e penguar dhe duke e larguar dëmin prej tij, ndërlidhjen dhe forcimin e raporteve me të, simpatinë ndaj tij dhe ndarjen e gëzimit me të, bashkëjetesën e mirë me të, këmbimi i dhuratave dhe vizitat e ndërsjella, në përgëzime, në festa, në rast sëmundjeje, e të ngjashme.
Detyra e shtatë: Bamirësia ndaj udhëtarëve: Është udhëtari të cilit i janë harxhuar mjetet e udhëtimit ose respektimi i musafirit dhe ndihmesa për t’u kthyer në vendlindje. Ngjashëm ndihmesa për lirimin e robërve siç ka qenë në të kaluarën dhe shërbëtorëve në të sotmen.
Pastaj ajetet kur’anore tërheqin vërejtjen për dy çështje të këqija: Koprracinë dhe syfaqësinë në shpenzime të pasurisë.
Sa i përket koprracisë: Është cilësi dhe dukuri e poshtër. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Ruajuni koprracisë sepse koprracia i ka shkatërruar (zhdukur) popujt para jush, janë mësuar për koprraci dhe janë bërë koprrac, janë mësuar për ndërprerjen e lidhjeve mes vete dhe i kanë ndërprerë lidhjet mes vete. Janë mësuar për imoralitet dhe janë treguar të pamoralshëm”. Allahu i ka kërcënuar koprracët për ndëshkim ku thotë: “Dhe ne kemi përgatitur për pabesimtarët dënim poshtërues.”
Sa i përket syfaqësisë: Është çështje e mallkuar, e cila i zhduk veprat dhe shpërblimin sepse syfaqësuesi nuk ka për qëllim të veprojë diçka për Allah, por vepron vetëm për famë, popullaritet dhe lavdërim dhe jo të falënderojë Allahun për begatitë që ia ka dhënë dhe as nuk e pranon si të drejtë adhurimin ndaj Allahut. Sikurse koprracin edhe syfaqësuesin Allahu e ndëshkon. Është idhujtari e fshehur, dëshiron të afrohet diku tjetër dhe jo tek Allahu.
Sa i përket besimtarit të vërtetë, i cili beson në Allahun dhe në ditën e gjykimit, ai është bujar dhe nuk është koprrac, ai shpenzon pasurinë e tij me qëllim të mirë, ka për qëllim t’i afrohet Allahut Një. Allahu i di më së miri qëllimet.
–
Dr. Vehbetu Zuhejli
“Tefsiri i Kur’anit fisnik (niveli mesatar)”
Vëllim i 2
Përktheu: Dr. Musli Vërbani
–