“HUTBE NGA TREGIMET E SURES KEHF DHE SPROVAT E KOHËS DHE REALITETI I SOTIT”
Autor: Dr. Musli Vërbani
–
Falënderojmë Allahun, i Cili i ka bërë tregimet ushqim të mendjes dhe shpirtit.
Përshëndetjet dhe selamet qofshin për Pejgamberin a.s., për familjen e tij, shokët e tij të mirë e të pastër dhe për ata të cilët i pasojnë ata deri në Ditën e Gjykimit.
Besimtarë të nderuar!
Mendja dhe shpirti ushqehen siç ushqehen trupat, mendja dhe shpirti mbushen siç mbushen trupat, mendja dhe shpirti forcohen ashtu siç forcohet hekuri. Për këtë arsye, patjetër duhet mësuar tregimet kur’anore dhe ngjarjet historike kur’anore me urtësi.
Tregimet kur’anore janë ushtri prej ushtrive të Allahut të Madhërishëm. Zoti i Madhërishëm me tregimet nga jeta e pejgamberëve dhe me tregimet kur’anore forcon zemrat e besimtarëve, siç thotë Zoti i Madhërishëm: “Të gjitha këto që t’i tregojmë ty nga lajmet e pejgamberëve, janë që të forcojnë zemrën tënde.” (Hud, 120)
Surja Kehf është plot mësime e këshilla.
Surja Kehf është një sure jashtëzakonisht prekëse dhe mbresëlënëse.
Kjo sure trajton tema të ndryshme, por temat kryesore janë katër tregime, secili tregim më interesant se tjetri.
Surja Kehf është sure e cila përmbledh katër sprova me të cilat ballafaqohet njeriu.
Në Suren Kehf janë përmendur bazat dhe themelet e të gjitha sprovave me të cilat ballafaqohet njeriu në këtë botë.
Sot do të flasim vetëm për sprovën e katërt e cila trajtohet në këtë sure.
Do të flasim vetëm për sprovën e pushtetit, me të cilën sprovë merret surja Kehf.
Sprova e katërt e cila trajtohet në këtë sure është sprova e pushtetit me të cilën ballafaqohen pushtetarët.
Kështu që të gjitha sprovat janë për njeriun, edhe pse sigurisht ato nuk janë të njëjta, por robi nuk mund të zgjedhë se me cilën do të përballet e me cilën jo, cilës mund t’i ikë e cilën mund ta presë me durim.
Në këtë rend sprovash hyn edhe sprova e pushtetit, qoftë marrja e tij, qoftë përballja me të.
Pushteti është sprovë.
Pushteti nuk e ndryshon gjithmonë njeriun, por shpesh nxjerr në pah atë që ai fsheh brenda vetes.
Sa më i madh të bëhet pushteti, aq më e madhe bëhet edhe sprova e tij.
Kur njeriu ndjen kontroll dhe autoritet, rrezikon të humbasë ndjenjën e kufirit dhe të përgjegjësisë.
Pa vetëdije dhe frikë ndaj Allahut, pushteti mund të kthehet lehtë në mjet padrejtësie.
Pushteti është provë, jo lavdi. Kush nuk e kontrollon veten, nuk mund të kontrollojë me drejtësi asgjë tjetër.
Besimtarë të nderuar!
Sprova e katërt e cila trajtohet në këtë sure është sprova e pushtetit.
Dhulkarnejni, i cili përmendet në këtë sure, ishte mbret i drejtë dhe i cili posedonte dituri.
Në tregimin e kësaj sureje shohim edukatën e udhëheqësit.
E shohim edukatën e kryeministrit.
E shohim edukatën e kryetarit besimtar.
Dhulkarnejni, i cili përmendet në këtë sure, lëvizte prej lindjes në perëndim.
Dhulkarnejni thërriste në rrugën e Allahut.
Dhulkarnejni përhapte të mirën.
Zoti i Madhërishëm thotë:
“Ne i mundësuam atij forcë në tokë dhe i dhamë mundësi për çdo send që të mund ta arrijë.” (Kehf, 84)
Besimtarë të nderuar!
Surja Kehf tregon:
- Se si udhëheqësi duhet të jetë udhëheqës i drejtë;
- Se si duhet të udhëheqë;
- Se si ta përhapë të mirën.
Dhulkarnejni dëshironte që e gjithë bota të besonte Allahun e Madhëruar.
Dhulkarnejni nuk ka ndërtuar perandori, por ka shpëtuar nga sprova e pushtetit kur ka thënë: “Kjo është mëshirë e Zotit tim”.
Dhulkarnejni dëshironte që e gjithë bota ta adhuronte Allahun e Madhëruar.
“Ne i mundësuam atij forcë në tokë dhe i dhamë mundësi për çdo send që të mund ta arrijë.” (Kehf, 84)
Ai përgatiti ushtri të madhe për t’i thirrur njerëzit në adhurimin e Allahut.
Allahu i Madhëruar e nderoi atë dhe ia lehtësoi rrugët të cilat do t’i ndihmojnë në transmetimin e kësaj thirrjeje të bekuar.
Ai i gjykoi njerëzit me drejtësi dhe mëshirë, derisa e mori në sundim tërë tokën.
- Udhëtimi në drejtim të perëndimit.
- Udhëtimi në drejtim të lindjes.
- Udhëtimi mes lindjes dhe perëndimit nga ana e veriut.
Besimtarë të nderuar!
Sa i përket udhëtimit të parë, Dhulkarnejni a.s. me ushtrinë e tij udhëtoi në drejtim të perëndimit derisa arriti në vendin më të largët në tokë nga ana e perëndimit.
Në atë vend e gjeti një popull pabesimtar.
Hyri tek ta, kurse Allahu ia mundësoi që të triumfojë mbi ta.
Dhulkarnejni a.s. u tha atyre:
Sa i përket atij që bën padrejtësi dhe vazhdon t’i bëjë ortak Allahut, do ta dënojmë.
E pastaj, kur të vdesë, Allahu do ta dënojë me një dënim të rëndë.
Sa i përket atij që beson dhe na ndjek neve në besim, këtij Allahu do t’i japë shpërblim të madh në xhenet.
Pastaj i la të zgjedhin:
- Ose të dënohen,
- Ose të falen dhe të përhapet mes tyre drejtësia.
Besimtarë të nderuar!
Sa i përket udhëtimit të dytë, Dhulkarnejni udhëtoi në drejtim të lindjes derisa arriti në lindjen më të largët.
Në atë vend jetonte një popull këmbëzbathur.
Jetonte një popull i zhveshur.
Nuk kishin shtëpi, pemë, etj.
Kishin hapur tunele nën tokë që të futeshin në to në mënyrë që të mbroheshin nga vapa e diellit.
Nganjëherë zhyteshin në ujë.
Nuk punonin asgjë.
Nuk angazhoheshin për sigurimin e furnizimit të tyre derisa perëndonte dielli.
Pasi perëndonte dielli, dilnin dhe e fillonin punën.
Pastaj, Dhulkarnejni i mësoi si të ndërtonin shtëpi:
I mësoi si të mbrohen nga vapa e diellit.
I mësoi si të siguroheshin nga i ftohti.
I thirri për të besuar në Zotin.
E kanë pranuar thirrjen e tij dhe të gjithë i kanë besuar Zotit.
Zemrat e tyre janë mbushur me besim dhe kanë jetuar të lumtur.
Besimtarë të nderuar!
Sa i përket udhëtimit të tretë, Dhulkarnejni ka shkuar mes lindjes dhe perëndimit nga ana e veriut.
Në këtë udhëtim ka mbërritur tek dy bjeshkë të larta dhe të forta. Aty ka ndeshur një popull të prapambetur.
Dhulkarnejni e kupton se ata jetonin në një gjendje të vështirë për shkak se sulmoheshin nga një popull i vrazhdë. Sulmoheshin nga Jexhuxhët dhe Mexhuxhët.
Jexhuxhët dhe Mexhuxhët kishin forma dhe madhësi shumë interesante.
Trupat e tyre ishin shumë të çuditshëm.
Ata ishin pabesimtarë dhe hajdutë; përndryshe, jetonin nga hajnitë dhe plaçkitjet.
Ky popull ishte i varfër dhe i shkretë. Jetonin jetë të vështirë, ngase kur vinte mbrëmja, jexhuxhët dhe mexhuxhët dilnin pas kodrave, vinin tek këta njerëz dhe ua merrnin të mbjellat e pemët.
Jetonin jetë të vështirë, ngase kur vinte mbrëmja, jexhuxhët dhe mexhuxhët dilnin pas kodrave, vinin tek këta njerëz dhe ua vidhnin pasuritë e kafshët.
Ky popull mbeti i varfër e i uritur për shkak të gjithë kësaj që ua bënin jexhuxhët dhe mexhuxhët.
Dhulkarnejni a.s. e kuptoi tregimin e këtyre njerëzve.
Vendosi të qëndrojë afër tyre.
Vendosi të qëndrojë t’u ndihmojë me kusht që ata ta besojnë Allahun e Lartmadhëruar.
Të gjithë i besuan Allahut. Të gjithë besuan Allahun dhe filluan ta adhurojnë me përkushtim.
Përfundim
Të gjitha tregimet e sures Kehf flasin për njërën nga këto katër sprova, e pas saj vjen mbrojtja prej tyre.
Pas tregimit të sprovës së pushtetit në suren Kehf tregohet mënyra e shpëtimit dhe e mbrojtjes nga kjo sprovë, ku Zoti i Madhërishëm thotë:
“Thuaj: “A t’ju tregojmë për më të dëshpëruarit në veprat e tyre?” Ata janë, veprimi i të cilëve u asgjësua në jetën e kësaj bote, e megjithatë ata mendojnë se janë kah bëjnë mirë.” (Kehf, 103-104)
- Sinqeriteti
- Falënderimi
- Devotshmëria
- Shfrytëzimi për mirësi
Shpëtimi nga sprova e pushtetit arrihet duke u kujtuar se pushteti absolut i takon vetëm Allahut.
Shfrytëzimi i pushtetit duke vendosur drejtësi.
Vlera e vërtetë nuk është në atë se sa pushtet ka njeriu, por si e përdor atë. Pushtetari duhet ta shohë pushtetin si amanet, kështu që ruhet nga devijimi.
Pushtetari i cili e sheh veten si privilegj, rrezikon të bjerë në padrejtësi.
Shfrytëzimi i pushtetit duke vendosur barazi.
Shfrytëzimi i pushtetit duke i ndihmuar atij të cilit i bëhet e drejta dhe duke pasur frikë se do të japë llogari para Zotit.
Zoti ynë!
- Na e mundëso ta perceptojmë të vërtetën dhe të veprojmë me të!
- Na e mundëso ta kuptojmë të pavërtetën dhe të largohemi prej saj!
Zoti ynë!
- Na forco në fenë tonë, e cila është mbrojtje dhe siguri e çështjes sonë;
- Na e rregullo këtë botë në të cilën është jeta jonë;
- Na përgatit për jetën tonë në botën në të cilën është kthimi ynë;
- Na e bëj jetën ambient të përshtatshëm për çdo punë të mirë; dhe
- Na e bëj vdekjen qetësi, pushim dhe shpëtim nga çdo e keqe.