“HUTBE NGA TREGIMET E SURES KEHF DHE SPROVAT E KOHËS DHE REALITETI I SOTIT”
Autor: Dr. Musli Vërbani
–
Falënderojmë Allahun, i Cili i bëri tregimet ushqim të mendjes dhe shpirtit.
Përshëndetjet dhe selamet qofshin për Pejgamberin a.s., për familjen e tij, shokët e tij të mirë e të pastër dhe për ata të cilët i pasojnë ata deri në Ditën e Gjykimit.
Besimtarë të nderuar!
Mendja dhe shpirti ushqehen siç ushqehen trupat, mendja dhe shpirti mbushen siç mbushen trupat, mendja dhe shpirti forcohen ashtu siç forcohet hekuri. Për këtë arsye, patjetër duhet mësuar tregimet kur’anore dhe ngjarjet historike kur’anore me urtësi.
Tregimet kur’anore janë ushtri prej ushtrive të Allahut të Madhërishëm. Zoti i Madhërishëm me tregimet nga jeta e pejgamberëve dhe me tregimet kur’anore forcon zemrat e besimtarëve, siç thotë Zoti i Madhërishëm: “Të gjitha këto që t’i tregojmë ty nga lajmet e pejgamberëve, janë që të forcojnë zemrën tënde.” (Hud, 120)
Surja Kehf është plot mësime e këshilla.
Surja Kehf është një sure jashtëzakonisht prekëse dhe mbresëlënëse.
Kjo sure trajton tema të ndryshme, por temat kryesore janë katër tregime, secili tregim më interesant se tjetri.
Surja Kehf është sure e cila përmbledh katër sprova me të cilat ballafaqohet njeriu.
Në Suren Kehf janë përmendur bazat dhe themelet e të gjitha sprovave me të cilat ballafaqohet njeriu në këtë botë.
Sot do të flasim vetëm për sprovën e tretë e cila trajtohet në këtë sure.
Do të flasim vetëm për sprovën e diturisë, të cilën sprovë e trajton surja Kehf.
Sprova e tretë e cila trajtohet në këtë sure është sprova e diturisë me të cilën ballafaqohen dijetarët.
Vëllezër të nderuar!
Ky është tregimi i tretë, të cilit i ka paraprirë tregimi i banorëve të shpellës dhe i pronarit të dy plantacioneve.
Këto tregime bashkohen në një pikë:
- Në pikën e thjeshtësisë në këtë botë;
- Në pikën e largimit nga krekosja; dhe
- Në pikën e besimit në Zotin dhe në Ditën e Gjykimit.
Një ditë, Musa a.s. ishte ulur në një kuvend dhe po mbante një fjalim.
I është parashtruar një pyetje: “A e di ndonjë njeri i cili është më i ditur se ti?”
“Jo” — është përgjigjur Musa a.s.
Atëherë Allahu i ka shpallur se ka më të ditur, e ai është Hidri.
Musa thotë: “O Zoti im, më trego një mënyrë që të takohem me të.”
Allahu i Madhërishëm e ka inspiruar që të shëtisë përgjatë gjithë bregut të detit, derisa të arrijë te vendi ku bashkohen dy detet dhe derisa t’i humbasë peshku. E pastaj e kupton se ai është në atë vend.
Pastaj është urdhëruar që të përgatitet dhe të presë në atë vend, e të mos largohet pa u takuar.
Musa a.s. veproi ashtu dhe i thotë djaloshit të tij me vendosmëri e me seriozitet: “Nuk do të ndërpres rrugën (këtë e kishte thënë pasi ai ishte duke ecur dhe e kishte tejkaluar vendin e caktuar)”.
Shikoni vëllezër,
Musa a.s., edhe pse ka folur me Allahun, edhe pse ka pasur shumë dituri dhe njohuri të thellë, Allahu e ka urdhëruar që të takohet me njeriun e drejtë, i cili mendohet se është Hidri a.s.
E ka urdhëruar për një udhëtim studimor, në një shëtitje praktike, i cili udhëtim tregon për atë se devotshmëria është më e mirë se mendjemadhësia dhe lavdërimi me vetveten.
Besimtarë të nderuar!
Në histori shohim tregime, ngjarje dhe ndodhi interesante. Prej atyre ngjarjeve interesante është tregimi i Musait a.s. me Hidrin, i cili është rob i drejtë.
Tregimi i cili na mëson se si duhet të mësojë ai i cili është më i vogël nga më i madhi.
Tregimi i cili na mëson se si duhet të mësojë ai i cili është në nivel më të ulët të diturisë nga ai që ka nivel më të lartë të diturisë.
Sprova e tretë e cila trajtohet në këtë sure është sprova e diturisë; testi i diturisë.
Kjo sprovë trajtohet nëpërmjet historisë së Musait me Hidrin.
Sprova e diturisë trajtohet si çështje jo përballë paditurisë, por si çështje në vete.
Vet dituria është sprovë në vete nëse nuk ta forcon imanin.
Vet dituria është test në vete nëse nuk ta forcon besimin.
Vet dituria është sfidë në vete nëse nuk ta forcon imanin.
Vet dituria është sprovë në vete nëse nuk ta forcon devotshmërinë.
Parashtrohet pyetja:
Pse është sprovë e madhe dituria e paktë?
Përgjigjja:
Dituria e paktë është sprovë e madhe ngase jep fetva të ngutshme.
Dituria e paktë është sprovë e madhe ngase jep fetva të gabuar.
Dituria e paktë është sprovë e madhe ngase përshpejton në fetva, etj.
Duhet pranuar se ke pak dituri.
Nëse ne kemi dije të theksuar, dikush do t’i ketë më të thelluara, dhe mbi të gjithë është Zoti, Krijuesi i gjithësisë, i Gjithdijshmi.
Zoti i Madhërishëm thotë: “Atij (Hidrit – njeriut të mirë e të dijshëm) Musai i tha: “A pranon të vij me ty, që të më mësosh nga ajo që je mësuar (i dhuruar) ti: dituri të drejtë e të vërtetë?”. (Kehf, 66)
Besimtarë të nderuar!
Dituria i ka kushtet e saj, e njëri prej kushteve më të rëndësishme është kushti i durimit.
Musa a.s. është përballur me një test të vështirë. Për të mësuar se sa ka duruar ai nga ajo çfarë është paraqitur te njeriu i mirë, Hidri, kanë ndodhur tri ngjarje interesante, të cilat nuk janë në harmoni me bazat e njohurisë dhe të sheriatit, gjë që ka ndikuar të mos i pranojë ato veprime të atyre ngjarjeve, duke e harruar premtimin e dhënë te Hidri se nuk do ta kundërshtonte derisa t’ia sqaronte atij arsyet sekrete dhe atë çfarë fshihet nga ana e jashtme e tyre.
Në tregimin e Musait me Hidrin tregohen tri ngjarje:
- Dëmtimi i anijes;
- Mbytja e fëmijës; dhe
- Riparimi i murit.
Të gjitha këto ngjarje nga aspekti i jashtëm janë në kundërshtim me të drejtën, për këtë arsye Musa nuk ka mundur të durojë, kjo për shkak se ka pasur dituri të pamjaftueshme.
Hidri përgjigjet:
Ti nuk mund të më shoqërosh;
Nuk ke kapacitet që të durosh atë që do të shohësh tek unë, sepse unë pajisem me diturinë e Allahut; më ka mësuar atë që ty nuk ta ka mësuar.
Edhe ti ke dituri prej Allahut të cilën unë nuk e di, secili prej nesh është i ngarkuar me urdhër të Allahut. Për këtë arsye nuk ke kapacitet që të më shoqërosh.
Ti nuk mund të durosh për diçka për të cilën nuk e di urtësinë e saj dhe rrugën e saj të drejtë.
Musa i thotë:
“Nëse do Allahu, do të shohësh se do të duroj në veprimet e tua dhe nuk do të të kundërshtoj.”
Hidri, duke e kushtëzuar Musaun, i thotë:
“Nëse udhëton së bashku me mua, mos më pyet për çështje të cilat ndodhin derisa unë nuk filloj i pari të sqaroj atë çështje, pa më pyetur mua.”
Këto ngjarje i ka komentuar Hidri a.s. në prezencën e Musait a.s., për të cilat nuk ishte pajtuar dhe nuk kishte duruar, për shkak se ligjërisht, nga aspekti i jashtëm, ishin vepra të papranueshme, sepse në përgjithësi ligjet bazohen në aspektin e jashtëm; mirëpo vetëm Allahu i di të fshehtat, pra çfarë fshihet pas tyre.
Sa i përket dëmtimit të anijes:
Hidri ka pasur për qëllim ta dëmtonte për ta mbrojtur dhe për ta siguruar, sepse ka qenë pronë e jetimëve të dobët. Ata janë furnizuar, kanë siguruar ekzistencën dhe kanë përfituar vetëm prej saj, e nuk kanë pasur fuqi të ballafaqohen me ata të cilët kanë dashur t’u bëjnë padrejtësi.
Atë anije e përdornin për transport njerëzor dhe paguheshin.
Hidri e ka dëmtuar pjesërisht që të dukej e padobishme dhe me të metë, sepse para vendit të zbarkimit të udhëtarëve qëndronte një mbret i drejtuar nga padrejtësia, i cili e konfiskonte çdo anije pa të meta.
Mbreti i uzurponte anijet pa të drejtë.
Hidri ka vepruar në atë mënyrë për ta mbrojtur atë anije dhe për ta siguruar për të mirën e të dobëtëve. Ky veprim është i llojit të shkaktimit të dëmit më të vogël për të larguar dëmin më të madh.
Sa i përket vrasjes së fëmijës:
Kjo për shkak se ai fëmijë do të bëhej pabesimtar, ndërsa prindërit e tij ishin besimtarë të cilët e donin dhe kishte drojë se mund ta pasonin në pabesim, në padrejtësi dhe në mëkate atëherë kur ai do të rritej.
Kjo sepse dashuria ndaj fëmijës është e thellë dhe prindërit mund të bien në gabim nga dashuria për të, ndërsa vrasja e tij është bërë për të siguruar besimin e prindërve të tij. Pra, është veprim i llojit të parandalimit të së keqes, pra për të penguar mjetin i cili çon në atë që ligjërisht është e ndaluar.
Allahu ka dashur që këta prindër t’i furnizojë me një fëmijë tjetër më të mirë në vend të tij, si në besim, ashtu edhe në mirësjellje ndaj prindërve e në shoqëri. “Atyre u është zëvendësuar me një fëmijë musliman”.
Sa i përket çështjes së rindërtimit të murit pa kompensim:
Ai mur, për të cilin mendohet të ishte në qytetin e Antakisë, ishte në rrënim e sipër. Nën themelet e murit të atij qyteti ishte i fshehur thesari i dy djemve jetimë, ndërsa babai i tyre ishte njeri i mirë. Allahu ka dashur që të sigurohet thesari i atyre jetimëve nën themelet e murit derisa të rriten. Allahu e ka urdhëruar Hidrin që ta rindërtojë atë mur, sepse po të rrëzohej, do të zbulohej thesari dhe do të merrej nga aty. Kështu që Hidri e rrëzon në tërësi dhe e rindërton nga fillimi që të sigurohet thesari i jetimëve derisa të rriteshin, ta nxirrnin thesarin e ta shfrytëzonin për veten e tyre.
Këtu shihet interesi i qartë, të cilin nuk mund ta kuptojë askush përpos atij që Allahu i jep njohuri nga dituria e Tij dhe inspirim të drejtë nga Zoti. Këto veprime Hidri ia mbështet vetes së tij, përpos ndodhisë së arritjes së moshës së pjekurisë, të cilën nuk mund ta arrijë askush përpos me caktimin e Allahut, duke u bazuar në edukatën njerëzore, e cila bazohet në atë se e mira është prej Allahut, ndërsa e keqja nga njerëzit.
Mësimi i diturisë është i përkufizuar. Nga aspekti i jashtëm, veprimet e Hidrit në të tri rastet kanë qenë të papranueshme; mirëpo këto veprime ligjërisht janë lejuar në bazë të inspirimit prej Allahut të Madhërishëm dhe në bazë të parimit: “të vepruarit me dëmin më të lehtë nga dy dëme”, ose “të vepruarit e të keqes më të lehtë për të mënjanuar të keqen më të madhe”.
Dyshimi është mënjanuar më pas nga mendja e Musait a.s. Kjo pasi Hidri i ka shpjeguar arsyet se pse i ka bërë ato veprime jo të rregullta, për të cilat Musai a.s. paraprakisht nuk kishte duruar.
Besimtarë të nderuar!
Musai a.s., edhe pse ka folur me Zotin, prapëseprapë ka kërkuar dituri nga robi i Zotit. Ai i tha: “Nëse më shoqëron ti mua, atëherë mos më pyet për asgjë, derisa unë vetë të të tregoj për të.” (Kehf, 70)
Hidri ato tri veprime nuk i ka bërë në bazë të mendimit të tij personal dhe me angazhimin e tij, ose me të drejtën për t’i kundërshtuar, por i ka bërë me urdhër të Allahut, me udhëzimin e Tij dhe me inspirimin e Tij; sepse atakimi ndaj pasurisë, jetëve dhe rindërtimi i murit falas, pa kompensim, ka qenë me argument të qartë, e ai argument është inspirimi i cili është i ngjashëm me shpalljen.
Ky është interpretimi i cili e ka amortizuar durimin e Musait për atë çështje dhe nuk ka mundur të heshtë. Mirëpo Musai a.s., pas sqarimit të shkaqeve të atyre veprimeve dhe pasi ka mësuar urtësinë e tyre, i është qetësuar zemra, i ka pushuar hidhërimi dhe i është larguar ndjenja se patjetër duhej t’i refuzonte, kur e ka llogaritur vetëm aspektin e jashtëm të çështjeve.
Përfundim
Nëse do të kemi durim, mund të mësojmë më shumë prej njëri-tjetrit.
Nëse do të kemi vetëdije, do të mësojmë më shumë prej njëri-tjetrit.
Ne nuk mund t’i dimë të gjitha.
Musai a.s., duke kaluar nëpër ato eksperienca, i mësoi ngjarjet.
Të gjitha tregimet e kaptinës Kehf flasin për njërën nga këto katër sprova, e pas saj vjen mbrojtja prej tyre; tregohet mënyra e shpëtimit nga sprova e diturisë. Tregohet sigurimi nga kjo sprovë.
Tregohet shpëtimi nga sprova e diturisë:
- Sinqeriteti
- Falënderimi
- Devotshmëria
- Të pranosh se nuk je i gjithëdijshëm
- Të kesh mendim të mirë ndaj kaderit të Zotit
Durimi. Në këtë tregim e kemi ajetin e mbrojtjes nga kjo sprovë: “(Musai) Tha: “Në dashtë Allahu, do të shohësh se do të jem i durueshëm dhe nuk do të të kundërshtoj ty në asgjë!” (Kehf, 69)
Mbrojtja nga sprova në dituri është modestia dhe të mos biesh në kurthin e vetëpëlqimit.
Mbrojtja nga sprova në dituri është edhe shfrytëzimi për mirësi.
Në fund të tregimeve vjen ajeti i mbrojtjes: “Thuaj: “A t’ju tregojmë për më të dëshpëruarit në veprat e tyre?” Ata janë, veprimi i të cilëve u asgjësua në jetën e kësaj bote, e megjithatë ata mendojnë se janë kah bëjnë mirë.” (Kehf, 103-104)
Zoti ynë!
- Na e mundëso ta perceptojmë të vërtetën dhe të veprojmë me të!
- Na e mundëso ta kuptojmë të pavërtetën dhe të largohemi prej saj!
Zoti ynë!
- Na forco në fenë tonë, e cila është mbrojtje dhe siguri e çështjes sonë;
- Na e rregullo këtë botë në të cilën është jeta jonë;
- Na përgatit për jetën tonë në botën në të cilën është kthimi ynë;
- Na e bëj jetën ambient të përshtatshëm për çdo punë të mirë; dhe
- Na e bëj vdekjen qetësi, pushim dhe shpëtim nga çdo e keqe.