SUREJA JASINË: HUTBEJA E GJASHTË

Komentim në formë hutbeje i sures Jasinë

Ajetet 41-48:

41. Argument për ta është se Ne, pasardhësit e tyre i bartëm në një anije të stërmbushur.

42. Dhe për ta krijuam ngjashëm me të, që ata të hipin.

43. Dhe po të dëshirojmë do t’i fundosim ata, e nuk do të kishte ndikim as lutja e tyre, dhe nuk do të shpëtonin.

44. Përpos mëshirës Tonë ndaj tyre, dhe që të përjetojnë kënaqësi deri në afatin e caktuar.

45. E kur u thuhet atyre kini frikë asaj që ndodhi para jush (që të mos ju ndodhë edhe juve) ndoshta do të mëshiroheni.

46. Nuk ka asnjë argument që u erdhi atyre nga argumentet e Zotit, e që ata nuk ua kthyen shpinën.

47. Dhe kur u thuhej: “Shpenzoni nga të mirat që Allahu ju furnizoi”, jobesimtarët thanë: “E, si ta ushqejmë atë, të cilin po të kishte dashur Allahu Vet do ta ushqente. Me të vërtetë ju jeni në humbje të sigurt”.

48. Dhe thonë: “Kur do të jetë ai premtim nëse e thoni të vërtetën”.

Besimtarë të nderuar!

Ne jemi pasardhës të prindërve besimtarë.

Ne jemi pasardhës të anijes së Nuhut, të cilët kanë shpëtuar.

Ne ishim në kurrizin e tyre grimcë e vogël, të cilën nuk mund ta shihte asnjë mikroskop.

Ne ishim në kurrizin e tyre qelizë e vogël, të cilën nuk mund ta shihte dhe as nuk mund ta dinte askush pos Allahut.

Kemi qenë të hipur në anijen e Nuhut a.s. Jemi transportuar nga kurrizi i baballarëve tanë.

Kemi qenë të hipur në anijen e Nuhut a.s. Jemi transportuar nga kurrizi i gjyshërve dhe stërgjyshërve tanë.

Zoti i Madhërishëm thotë:

41. “Argument për ta është se Ne, pasardhësit e tyre i bartëm në një anije të stërmbushur.”

(41) Ve aajetun lehum ennaa hamelnaa dhurr-rrijjetehum fil fulkil mesh-huun.

Fakt për njerëzimin, për të vërtetuar fuqinë e Allahut, është: nënshtrimi i oqeaneve e deteve për të lundruar anijet e ngarkuara me njerëz.

Argument për njerëzimin, për të vërtetuar mëshirën e Zotit, është: nënshtrimi i oqeaneve e deteve për të lundruar anijet e ngarkuara me mallra.

Pjesa e ajetit “bartja e pasardhësve” ka për qëllim: bartjen e pasardhësve të llojit të tyre, apo të tyre, kjo për të siguruar furnizimin për jetë, apo jetesën.

Nënshtrimi i deteve është bërë për të lundruar anijet e ngarkuara me mallra.

Nënshtrimi i deteve është bërë për bartjen e njerëzve dhe pasardhësve të tyre.

Ndoshta anija e përplot që ceket këtu mund të jetë ajo e Nuhut, babait të dytë të njerëzimit, e cila i barti pasardhësit e Ademit.

Kështu ajeti ka kuptim të dyfishtë.

Zoti e mundësoi që me anije të kapërcehen valët!

Ata i mbajti fuqia e Zotit xh.sh., i cili ka krijuar rregulla për gjithësinë.

Fuqia e Tij e bëri njerëzinë të lundrojë në ujë.

Horizontet e gjithësisë, ujit, erës, avullit e fuqisë nga atomi ose fuqive të tjera janë çështje, krijesa dhe caktime të Zotit!

Ekziston vetëm një oqean global, trupi i madh i ujit që mbulon 70 përqind të Tokës, por është i ndarë gjeografikisht në zona të ndryshme. Pra, oqeanet e planetit tonë zënë më shumë se 70% të sipërfaqes sonë.

Kemi një oqean të madh prej të cilit ndahen pesë të tjerë, e prej atyre pesë oqeaneve më të njohurit janë:

  • Oqeani Paqësor;
  • Oqeani Atlantik; dhe
  • Oqeani Indian.

E vërteta është se të pesë oqeanet, apo të tre oqeanet, janë në të njëjtin oqean, por në varësi të zonës ku janë, ata marrin një emër tjetër për të qenë në gjendje t’i lokalizojmë ata më saktësisht.

Kufijtë midis këtyre rajoneve kanë evoluar me kalimin e kohës për një larmi arsyesh historike, kulturore, gjeografike dhe shkencore.

Pastaj Zoti i Madhërishëm thotë:

42. “Dhe për ta krijuam ngjashëm me të, që ata të hipin.”

(42) Ve haleknaa lehum min mithlihii maa jerkebuun.

Sikurse anijet, Allahu ka krijuar edhe transportin tokësor, e ato janë:

  • Devetë, të cilat përdoren për transport të njerëzve dhe të mallrave;
  • Kuajt, të cilët përdoren për transport të njerëzve dhe të mallrave;
  • Automjetet e komunikacionit, të cilat përdoren për transport të njerëzve dhe të mallrave;
  • Trenat, pra transporti hekurudhor, i cili përdoret për transportin e njerëzve dhe të mallrave, e kështu me radhë.

Ajo që kuptohet është se Allahu ka krijuar anije të cilat ekzistojnë në kohën e tyre.

Besimtarë të nderuar!

Pastaj, Zoti i Madhërishëm thotë:

43. “Dhe po të dëshirojmë do t’i fundosim ata, e nuk do të kishte ndikim as lutja e tyre, dhe nuk do të shpëtonin,”

(43) Ve in nesheë nugrikhum felaa sariiha lehum ve laa hum junkadhuun.

Në periudhën kohore prej kohës së Ademit a.s. e deri në Ditën e Gjykimit, po të dëshironte Allahu, do t’i fundoste njerëzit të cilët lundrojnë me anije.

Po të dëshironte Allahu, do t’i fundoste anijet me ta dhe me mallrat e tyre.

Po të dëshironte Allahu, do t’i fundoste anijet dhe nuk do të kishin ndihmëtar i cili do t’u ndihmonte.

Po të dëshironte Allahu, do t’i fundoste anijet dhe nuk do të kishte ndihmëtar që do t’i shpëtonte nga përmbytja, dhe as vetë nuk mund të shpëtonin nga ajo tragjedi.

Anija në oqean është sikur gjethja në ajër, pa marrë parasysh madhësinë e saj.

Anijet në oqean janë sikurse gjethet në ajër, pa marrë parasysh madhësitë e tyre, por mëshira e Zotit i mbron.

Anija në oqean është sikur gjethja në ajër dhe do të fluturonte sikurse gjethja në ajër, pa marrë parasysh efikasitetin e saj, por mëshira e Zotit e mbron, sepse ajo mund të shkatërrohet në çdo çast të natës apo të ditës.

Besimtarë të nderuar!

Udhëtarët që hipin në anije të madhe e cila lundron në oqean, e kuptojnë frikën nga deti dhe i kuptojnë mundësitë e kufizuara për t’u mbrojtur nga rreziku dhe tërbimi i madh i ujit. Në këtë rast ata e ndiejnë domethënien e mëshirës së Allahut.

Në këtë rast e kuptojnë se mbrojtja prej Zotit është mbrojtja e vetme për ta kur rrezikohen nga stuhitë dhe shtrëngatat, siç thotë Zoti i Madhërishëm:

44. “Përpos mëshirës Tonë ndaj tyre, dhe që të përjetojnë kënaqësi deri në afatin e caktuar.”

(44) Il-laa rahmeten minnaa ve metaa’an ilaa hiin.

Mëshira e Allahut është ajo e cila ju mundëson që të udhëtoni dhe të transportoni mallra në tokë, e ju siguron që të mos përmbyteni.

Mëshira e Allahut është ajo e cila ju mundëson që të udhëtoni dhe të transportoni mallra në det, e ju siguron që të mos përmbyteni.

Mëshira e Allahut është ajo e cila ju mundëson që të udhëtoni dhe të transportoni mallra në udhën ajrore, e ju siguron që të mos përmbyteni.

Allahu ju siguron ekzistencën në këtë botë deri në kohën kur është e përcaktuar me përcaktimin e Allahut. Ai përcaktim është vdekja.

Ekziston një lidhshmëri e bukur mes yjeve e planetëve lundrues dhe anijes së mbushur përplot e që lundron me pasardhësit e Ademit! Kjo është lidhshmëri në formë, në lëvizje, në nënshtrimin e të dyjave para urdhrit të Zotit të Madhërishëm dhe nën mbrojtjen e Tij të qiejve dhe të Tokës.

Edhe këtë shenjë e shohin njerëzit, por nuk e analizojnë. Kjo do të ishte më e lehtë në qoftë se i hapin zemrat para shenjave!

Këtë krijesë madhështore e mbron mëshira hyjnore e jo ndonjë fuqi tjetër, qoftë në tokë apo në qiell, deri në një kohë të caktuar kur do të realizohet premtimi i të Urtit dhe të Gjithëditurit: “Deri në një kohë të caktuar.” 

Besimtarë të nderuar!

Pastaj, Zoti i Madhërishëm thotë:

45. “E kur u thuhet atyre: ‘Kini frikë asaj që ndodhi para jush (që të mos ju ndodhë edhe juve), ndoshta do të mëshiroheni’”

(45) Ve idhaa kiile lehumut-tekuu maa bejne ejdiikum ve maa halfekum le’al-lekum turhamuun.

Ajetet nuk ndikojnë në zemrat e përgënjeshtarëve që të analizojnë.

Ajetet nuk ndikojnë në zemrat e mëkatarëve që të jenë të devotshëm.

Ajetet në natyrë dhe në gjithësi ndikojnë në zemrën e hapur.

Ajetet kur’anore ndikojnë në zemrën e hapur.

Në këtë libër të hapur, çdo faqe tregon madhërinë dhe fuqinë e Krijuesit, mirëpo të verbrit këtë nuk e shohin.

Në Kur’an, çdo faqe tregon krijimin e përpiktë dhe fuqinë e Krijuesit, mirëpo të verbrit këtë nuk e analizojnë.

Në Kur’an, çdo faqe tregon krijimin e përpiktë dhe fuqinë e Krijuesit, mirëpo të verbrit këtë nuk e shohin, e nëse e shohin, nuk e analizojnë.

Besimtarë të nderuar!

Zoti i Madhërishëm, për shkak të mëshirës së Vet të madhe, nuk i la njerëzit pa pejgamber që ua tërheq vërejtjen, i udhëzon dhe i thërret në Zotin e kësaj gjithësie dhe Krijuesin e ekzistencës.

Zoti i Madhërishëm, për shkak të mëshirës së Vet të madhe, nuk i la njerëzit pa pejgamber që t’ua nxisë ndjenjat dhe zemrat e tyre me frikë e devotshmëri, dhe njëkohësisht t’ua tërheqë vërejtjen nga pasojat e hidhërimit dhe dëmit.

Argumentet janë përreth tyre, para syve dhe pas shpine; edhe pse nuk i vërejnë, ata i hasin në çdo hap prej hapave të tyre; ajetet kozmologjike shtohen edhe më tepër.

Zoti i Madhërishëm thotë:

46. “Nuk ka asnjë argument që u erdhi atyre nga argumentet e Zotit, e që ata nuk ia kthyen shpinën.”

(46) Ve maa teëtiihim min aajetin min aajaati rabbihim il-laa kaanuu ‘anhaa muëridiin.

Edhe pse ekzistojnë argumente të qarta, përsëri njerëzit janë në gjumë, nuk shohin, nuk i zgjojnë zemrat dhe nuk përfundojnë me talljet e përgënjeshtrimet, bile kërkojnë që të shpejtohet dënimi, për të cilin të dërguarit u tërhoqën vërejtjen.

Idhujtarët janë të lajthitur, ata nuk i mendojnë gabimet e së kaluarës.

Pabesimtarët nuk i vlerësojnë rreziqet e së ardhmes me të cilat do të ballafaqohen në botën tjetër.

Kështu, i sheh ata, nëse u thuhet atyre: “Frikësojuni Allahut, pra kujdesuni që të mos ju godasë dënimi siç u ka ndodhur popujve të mëhershëm”, ata nuk e pranojnë.

Kështu, i sheh ata, nëse u thuhet atyre: “Frikësojuni dënimit të botës tjetër, i cili mund t’ju përfshijë nëse insistoni në pabesim derisa të vdisni”, ata nuk e besojnë.

Edhe në të kaluarën popujt i kanë kundërshtuar argumentet e Zotit.

Edhe sot popujt i kundërshtojnë argumentet e Zotit.

Këtë më së miri e dëshmon sureja Jasin.

Këtë e dëshmojnë edhe shumë ajete të tjera kur’anore.

Kundërshtimi i vazhdueshëm ndaj argumenteve për ekzistimin e Zotit vazhdon edhe sot.

Sa herë që u afrohen njohuri nëpërmjet ajeteve të cilat dëshmojnë për Njëshmërinë e Allahut, ata çdo herë kanë kundërshtuar. Kjo nga shkaku se e kanë paralizuar dhe i paralizojnë aftësitë e mendjes.

Sa herë që u afrohen njohuri nëpërmjet ajeteve të cilat dëshmojnë për vërtetësinë e pejgamberëve, nuk i kanë kushtuar dhe nuk i kushtojnë vëmendje. Kjo nga shkaku se e kanë paralizuar dhe e paralizojnë aftësinë e të logjikuarit.

Besimtarë të nderuar!

Islamin e kanë pranuar edhe të pasurit e Mekës.

Islamin e kanë pranuar edhe të varfrit e Mekës.

Islamin e kanë pranuar edhe të afërmit e idhujtarëve të pasur.

Islamin e kanë pranuar edhe të dobëtit e Mekës.

Kurejshitët, për shkak se të varfrit dhe të dobëtit e kanë pranuar Islamin, ua kanë ndërprerë ndihmat atyre, bile edhe çdo marrëdhënie tjetër me ta.

Besimtarët, në ditët e ndarjes me ta, kanë kërkuar që të vazhdonte ndihma ndaj tyre dhe që të shpenzonin nga ajo që i ka furnizuar Allahu, siç thotë ajeti kur’anor:

47. Dhe kur u thuhej: “Shpenzoni nga të mirat që Allahu ju furnizoi”, jobesimtarët thanë: “E, si ta ushqejmë atë, të cilin po të kishte dashur Allahu Vet do ta ushqente. Me të vërtetë ju jeni në humbje të sigurt”.

(47) Ve idhaa kiile lehum enfikuu mim-maa rezekakumull-llaahu kaalel-ledhiine keferuu lil-ledhiine aamenuu enut’imu men lev jeshaaaaull-llaahu et’amehuu in entum il-laa fii dalaalin mubiin.

Pastaj, në shenjë hakmarrjeje, pabesimtarët kanë thënë: “E si ta ushqejmë atë të cilin, po të kishte dashur Allahu, Vetë do ta ushqente?!”

Pra, kur është kërkuar nga kurejshitët që të shpenzojnë nga pasuria të cilën e kanë furnizim nga mirësia e Allahut, ata me ironi u përgjigjen besimtarëve duke u thënë: “Po të dëshironte Allahu, Ai do t’i pasuronte nga pasuria e Tij.”

Pra, kur është kërkuar nga kurejshitët që të kontribuojnë materialisht nga pasuria të cilën e kanë furnizim nga mirësia e Allahut, ata me tallje u përgjigjen besimtarëve duke u thënë: “Po të dëshironte Allahu, Ai do t’i furnizonte me ushqim nga furnizimet e Tij.”

Ata pretendonin se nuk meritojnë mbështetje materiale, kështu që “ne jemi në një vijë me dëshirën e Allahut”.

Kështu pra, ata kanë harruar detyrën e ndërlidhjes farefisnore dhe ndjenjat ndaj tyre.

Islami i zbërthen kërkesat e nevojshme individuale me marrjen e një pjese të caktuar nga të pasurit për t’u siguruar nevojat themelore e jetike të të varfërve.

Në këtë mënyrë pastrohen shumë shpirtra të të varfërve e të pasurve.

Islami e quajti këtë veprim “zekat”, që do të thotë “pastrim”.

Ky kontribut i obligueshëm është edhe adhurim! Kështu i bashkoi të varfrit me të pasurit në shoqërinë e tij që e formoi në mënyrë ideale e të pakrahasueshme.

Thënia e Allahut “Nga ajo me çfarë ju ka furnizuar Allahu” është motivim për të kontribuar me të mira materiale dhe mallkim për koprracët.

Përfundim

Pastaj Zoti i Madhërishëm thotë:

“Me të vërtetë ju jeni në humbje të sigurt.”

Deklarimi i atyre që nuk e kuptojnë urtësinë e Zotit të Madhërishëm në jetë: “A ta ushqejmë atë që, sikur të donte Allahu, do ta ushqente?”, është dështim i vërtetë për shkak të mosnjohjes së natyrës së rregullave të Zotit xh.sh., për shkak të të cilave aftësitë dhe prirjet bëhen të llojllojshme dhe shpërndahen pasuritë e furnizimet.

Qëndrimi jonjerëzor ndaj predikuesve të kontributit, edhe atë duke thënë: “Ju nuk jeni tjetër veçse të humbur qartë!”, është dështim i vërtetë për shkak të mosnjohjes së natyrës, të ecurisë së jetës, të madhërisë së kësaj ecurie dhe madhështisë së qëllimit. Botëkuptimi i tillë i tyre na bën të kuptojmë se nuk i kanë kuptuar rregullat e Zotit në jetën e njerëzve.

Zoti i Madhërishëm është ushqyes e furnizues i të gjithëve, dhe çdo furnizim që është në tokë për njerëzit është krijim i Zotit.

Ata nuk kanë krijuar asgjë për vete, bile as që janë të aftë të krijojnë diçka, mirëpo dëshira e Zotit për zhvillimin e kësaj toke bëri që njerëzit të kenë nevojë për gjërat që i përfitojnë me punë e mund.

Bujqësia në tokë, përpunimi i tokës së thatë, transferimi i pasurive të saj prej një vendi në tjetrin dhe shfrytëzimi i këtyre të mirave që blihen me shkëmbim, monedha ose me gjëra të çmueshme, ndryshojnë me ndryshimin e kohës dhe vendit.

Njerëzit janë krijuar me prirje e aftësi që janë të lidhura ngushtë me nevojat e mëkëmbjes së plotë në këtë tokë. Kjo mëkëmbje s’ka nevojë vetëm për prirje e aftësi që kanë të bëjnë me grumbullimin e pasurive dhe ushqimeve, por ka nevojë edhe për gjëra të tjera që kanë të bëjnë me sigurimin e nevojave elementare të mëkëmbjes njerëzore në tokë.

Ata nuk i pranojnë argumentet e Allahut; përkundrazi, tallen me ato argumente, tallen me ajetet e Allahut dhe tregohen kokëfortë e arrogantë. Ata, nga furnizimet e Allahut, nuk shpenzojnë në rrugën e Tij për t’i plotësuar nevojat e nevojtarëve.

Ata mohojnë mundësinë e ringjalljes.

Kjo sepse ata janë materialistë dhe nuk e kuptojnë rezultatin e së ardhmes.

Dr. Musli Vërbani

Lini një koment