Komentim i sures jasinë
–
Ajetet 1-5:
Transliterim:
(1) JAA SIIIIIIN.
(2) VEL KUR’AANIL HAKIIM.
(3) INNEKE LEMINEL MURSELIIN.
(4.) ‘ALAA SIRAATIN MUSTEKIIM.
(5) TENZIILEL ‘AZIIZIRR-RRAHIIM.
Përkthimi:
1. Ja, Siinë.
2. Pasha Kur’anin e mençur e të urtë.
3. Vërtet ti (Muhamed) je prej të dërguarve.
4. Je në rrugë të drejtë.
5. (ndërsa ky Kur’an) është zbritje e të Gjithëfuqishmit, Mëshiruesit.
6. për t’ia tërhequr vërejtjen popullit, të cilit baballarëve të tyre nuk u është tërhequr vërejtja, e që është shkak se ata janë në humbje(nuk dinë).
Vëllezër të nderuar!
Surja Jasin është sure mekase. Përbëhet prej tetëdhjetë e tri ajeteve.
Qëllimi i kësaj sureje është ndërtimi i parimeve të besimit.
Surja Jasin tregon:
– Për pejgamberinë e Muhamedit a.s.
– Ua përkujton njerëzve ringjalljen.
– Tregon fuqinë absolute të Allahut dhe Njëshmërinë e Tij.
– Sinjalizon ndjenjat dhe ndodhitë e ditës së gjykimit.
Surja Jasin dallohet me atë se është zemra e Kur’anit.
Surja Jasin dallohet me atë se është shërim për atë i cili e lexon. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Çdo gjë ka zemër, ndërsa zemra e Kur’anit është Jasini”.
Pejgamberi a.s. ka thënë: “Lexoni suretul Jasin për të vdekurit tuaj”.
Po ashtu Pejgamberi a.s. ka thënë: “Tek Allahu konsiderohet sure madhështore, lexuesi i saj është i nderuar tek Allahu, në ditën e gjykimit do të ndërmjetësojë për atë i cili e lexon për më shumë raste e ajo është suretul Jasin”.
Vëllezër të nderuar!
Surja fillon me: JA dhe SIN.
Suret e Kur’anit:
– Ndonjëherë fillojnë me një shkronjë të alfabetit arab,
– Ndonjëherë me dy shkronja të alfabetit arab,
– Ndonjëherë me tri shkronja të alfabetit arab,
– Ndonjëherë me katër shkronja të alfabetit arab,
– Ndonjëherë me pesë shkronja të alfabetit arab.
“Ja” dhe “Sin” janë dy shkronjat që së bashku:
– ose janë emër prej emrave të Muhamedit a.s. duke u bazuar në thënien e Allahut të Madhërishëm: “Pa dyshim se ti je prej të dërguarve”.
– ose janë shkronja simbolizuese, prej shkronjave të gjuhës arabe, me të cilat shkronja përbëhet gjuha e tyre, për t’i sfiduar arabët që të përpilojnë një Kur’an të tillë.
Nga 114 sure, 29 sure fillojnë me shkronja të gjuhës arabe, me fjalë të tjera me shkronja simbolike.
Këto janë shkronja të gjuhës së tyre me anë të të cilave formohen fjalët.
Pas këtyre shkronjave të fillimit të sureve zakonisht përmendet drejtpërdrejt apo tërthorazi fjala “Kur’an”, “Kitab” e të ngjashme.
Të gjitha inicialet e përmendura në Kur’an së bashku përbëjnë gjysmën e alfabetit arab (14 shkronja).
Fillimi i sureve me shkronja të alfabetit është fshehtësi prej fshehtësive të Kur’anit.
Ndonjëherë edhe suret emërohen me këto shkronja, sepse këto shkronja janë të vendosura vetëm në fillim të sureve e jo në mes apo në fund, ndryshe quhen edhe shkronja të fillimit të sureve.
Allahu i Lartmadhëruar është përbetuar në këto shkronja për shkak të vlerës dhe rëndësisë së tyre që kanë në formulimin dhe shkrimin e librave të zbritur prej Allahut.
Allahu i Lartmadhëruar është përbetuar në këto shkronja për shkak se me këto shkronja shkruhen emrat e bukur të Allahut.
Nga kjo kuptohet se këto shkronja janë simbole dhe shenja të gjuhës, të cilën Allahu ia ka mësuar Ademit a.s., prej së cilës gjuhë pastaj janë degëzuar të gjitha gjuhët e botës. Dhe sikurse tërë popujt e kanë burimin prej Ademit a.s., ashtu edhe të gjitha gjuhët e kanë burimin te gjuha e Ademit a.s., të cilën gjuhë ia ka mësuar Zoti Fuqiplotë.
Vëllezër të nderuar!
Zoti i Madhërishëm betohet kur thotë:
2. Pasha Kur’anin.
(2) VEL KUR’AANIL HAKIIM.
“Vavi” është shkronjë e betimit.
Zoti i Madhërishëm betohet në Kur’anin e urtë, betohet për të vërtetën e shpalljes dhe mesazhit të të Dërguarit fisnik.
Zoti i Madhëruar betohet vetëm në një gjë të madhe e cila meriton atë betim!
Betimi i Zotit në Kur’an dhe në shkronjat e tij i dhuron të betuarës madhësinë dhe shkëlqesinë.
Betimi i Allahut të Lartësuar nuk nënkupton që edhe njeriu lejohet të betohet në to, sepse njeriut nuk i lejohet të betohet në asgjë tjetër pos Allahut, dhe se Allahu i Lartësuar betohet në diçka për të treguar rëndësinë e saj.
Pejgamberi a.s. ka thënë: “Ai që ka nevojë të betohet, le të betohet në Allahun ose le të heshtë.”
Dijetarët e kanë lejuar që të betohemi edhe në cilësitë e Zotit, shembull: “Pasha cilësitë e Allahut!”
Cilësitë e Allahut janë të shumta, gjithashtu edhe emrat e Allahut janë të shumtë dhe lejohet të betohemi duke thënë: “Pasha emrat e Allahut!”
Vëllezër të nderuar!
Lejohet të betohemi në Kur’an ngase Kur’ani është libër i shenjtë i Allahut të Lartësuar dhe çdo gjë që i përket Allahut lejohet që të betohemi në të. Dhe Kur’ani është fjalë e Zotit, e fjala e Tij është absolute dhe lejohet të betohemi në atë që është absolute.
Shembull: “Pasha Kur’anin!”.
Po ashtu lejohet të betohemi në ndonjë nga suret e Kur’anit. Shembull, të thuhet: “Pasha filan suren e Kur’anit!”
Lejohet të betohemi në ndonjë sure nga suret e Kur’anit ngase surja e Kur’anit është pjesë e librit të shenjtë të Allahut të Lartësuar dhe çdo gjë që i përket Allahut lejohet që të betohemi në të. Dhe surja e Kur’anit është fjalë e Zotit, e fjala e Tij është absolute dhe lejohet të betohemi në atë që është absolute.
Po ashtu lejohet të betohemi në ndonjë ajet. Shembull: “Pasha filan ajetin e Kur’anit!”
Lejohet të betohemi në ndonjë ajet nga ajetet e Kur’anit ngase ajeti i Kur’anit është pjesë e librit të shenjtë të Allahut të Lartësuar dhe çdo gjë që i përket Allahut lejohet që të betohemi në të. Dhe ajeti i Kur’anit është fjalë e Zotit, e fjala e Tij është absolute dhe lejohet të betohemi në atë që është absolute.
Vëllezër të nderuar!
Kur thotë Zoti i Madhërishëm:
“Pasha Kur’anin e urtë!”. Fjala “Kur’an” d.m.th. lexim, tubim, grumbullim, është quajtur me këtë emër sepse në vete ka tubuar, i ka grumbulluar ajetet, suret, urdhëresat, ndalesat, premtimet, kërcënimet etj.
Ndërsa: “Kur’ani është fjalë e Allahut të Lartmadhëruar e cila i ka zbritur pejgamberit të fundit Muhamedit a.s. për të qenë libri i fundit i zbritur prej Allahut për të gjithë njerëzimin”.
Përmbledhja e Kur’anit në mes të dy kopertinave të librit quhet Mus’haf. Prandaj Kur’an quhet ajo që lexohet e jo ajo që është e shkruar, ndërsa të shkruarit e Kur’anit në libër quhet Mus’haf.
Mus’hafi fillon me suretul-Fatiha dhe përfundon me suretun-Nas.
Fjala “I Urtë” zakonisht përdoret për njeriun, pra për njeriun e urtë dhe të mençur, mirëpo është cilësuar Kur’ani me cilësinë “I urtë” e cila përdoret për njeriun e urtë, pra për të gjallin. Kështu, atributi i jep Kur’anit cilësitë e jetës.
Kështu atributi i jep Kur’anit cilësinë e qëllimit dhe dëshirës, të cilat i takojnë të urtit.
Me një fjalë, Kur’ani ka cilësitë e të gjallit.
Atëherë kur ti ia hap zemrën dhe shpirtin Kur’anit, ai shpreh dhembshuri dhe ti i shpreh atij dhembshuri.
Sa më shumë që ia hap zemrën Kur’anit, aq më shumë do të thellohesh në fshehtësitë e tij!
Kur’ani është i urtë ngase:
– I drejtohet secilit sipas intelektit të tij.
Kur’ani është i urtë ngase:
– Ndikon në pjesën e ndjeshme të zemrës.
Kur’ani është i urtë ngase:
– I flet njeriut me ndikim të shëndoshë dhe me urtësi që përmirëson e udhëzon.
Kur’ani është i urtë ngase:
– Edukon me urtësi sipas metodës së drejtë racionale dhe psikike.
Kur’ani është i urtë ngase:
– I udhëzon njerëzit në mënyrë të drejtë e të shëndoshë.
Kur’ani është i urtë ngase:
– I cakton jetës rregullim dhe gjithashtu i lejon të gjitha aktivitetet njerëzore brenda suazave të kësaj metode të urtë.
Vëllezër të nderuar!
Zoti i Madhërishëm thotë:
3. Vërtet ti (Muhamed) je prej pejgamberëve.
(3) INNEKE LEMINEL MURSELIIN.
Numri i pejgamberëve gjatë periudhave të ndryshme patjetër duhet të ketë kaluar mijëra pejgamberë. Pra, siç thotë Allahu xh.sh. në Kur’an:
“Dhe (dërguam) të dërguar më parë që të rrëfeyem për ta, dhe të dërguar të tjerë për të cilët nuk të rrëfyem,…”
Muhamedi a.s. përmendet katër herë në tekstin e shpalljes për raste të ndryshme:
“Kurse Muhamedi është vetëm një i dërguar. Para tij ka pasur të dërguar (të tjerë të ndryshëm).” (Ali Imran, 144)
“Muhamedi nuk është i ati (i ndonjërit) prej jush, por ai është i dërguari i Zotit dhe vula e profetëve (d.m.th. vërtetuesi i pejgamberëve të mëparshëm ose pejgamberi i fundit)”. (Ahzab, 40)
Të dy këto ajete janë një dëshmi direkte historike e Muhamedit si pejgamber që vazhdon dhe përfundon mesazhin e pejgamberëve të mëparshëm të “njerëzve me libra”.
“Muhamedi është i dërguari i Zotit. Dhe ata që janë me të (besimtarë) janë të ashpër kundra mosbesuesve (të pafeve), kurse mes njëri-tjetrit janë me ndjesë.” (El-Fet’h: 29)
Pejgamberët, emrat e të cilëve përmenden në Kur’an, janë: Ademi, Idrisi, Nuhi, Hudi, Salihi, Ibrahimi, Luti, Ismaili, Is’haku, Jakubi, Jusufi, Ejubi, Dhulkifli, Musai, Haruni, Sulejmani, Davudi, Iljasi, Eljesa, Junusi, Zekerija, Jahja, Isa dhe Muhamedi a.s. Po ashtu edhe Uzejri, Llukmani dhe Dhulkarnejni a.s.
Besimtarë të nderuar!
Zoti i Madhërishëm thotë:
(Muhamedi a.s. thërret) në rrugë të drejtë.
(4.) ‘ALAA SIRAATIN MUSTEKIIM.
Mesazhi i pejgamberit a.s. është i drejtë, shpie në rrugë të drejtë pa devijime dhe pa shtrembërime.
E vërteta në të është e qartë dhe pa kurrfarë ngatërresash e përzierjesh.
E vërteta në të është se nuk anon kah epshi e as kah interesi.
Kërkuesi e gjen me lehtësi, saktësi dhe sinqeritet.
Për shkak të drejtësisë së tij, në Kur’an nuk ka tollovi e as shmangie e as që paraqiten probleme të koncepteve.
Ky mesazh e pasqyron të vërtetën edhe në formën më të imët të saj, e pastron nga shtrembërimet.
Pastaj, Zoti i Madhërishëm thotë:
“(Ky Kur’an) është zbritje e të Gjithëfuqishmit, Mëshiruesit.”
Pak para se t’i vinte shpallja e parë, Muhamedi a.s. shihte disa ëndrra të vërteta.
Çdo gjë që shihte në ëndërr, i dilte e vërtetë. Këto ëndrra e përgatitën mirë zemrën e tij. Nga ana e Allahut, atij iu bë më e pëlqyeshme të veçohej në vetmi. Ai e merrte me vete ushqimin dhe në shpellë e kalonte muajin e Ramazanit.
Në shtëpi kthehej vetëm për të marrë ushqim. Ishte Nata e Kadrit e muajit të Ramazanit, kur ishte veçuar përsëri në shpellën e malit Hira, aty ku meleku i vahjit, Xhibrili, i solli vahjin e parë.
Nga kjo natë e Ramazanit ka filluar zbritja e Kur’anit.
Zbritja e Kur’anit ka zgjatur 23 vjet. 13 vjet në Meke dhe 10 vjet në Medine.
Për këtë edhe ka zbritur sureja Lejletul Kadr, e cila sure tregon vlerën dhe rëndësinë e kësaj nate. Zoti i Madhërishëm thotë:
“Ne e kemi zbritur Kur’anin në natën e Kadrit (të vlefshme).”
Vahji mund të jetë në dy mënyra:
Mënyra e parë: Në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Mënyra e dytë: Nëpërmjet Melekut Xhibril.
Mënyra e parë e drejtpërdrejtë është frymëzimi dhe inspirimi nëpërmjet ëndrrave të vërteta. Kjo mënyrë e shpalljes i ka ndodhur Muhamedit a.s. para fillimit të zbritjes së Kur’anit. Muhamedi a.s. çdo ëndërr që e shihte në gjumë, i ndodhte në jetë.
Formë tjetër e drejtpërdrejtë është të folurit e Allahut me pejgamber pas perdeje. Kjo i ka ndodhur Musait a.s.
Zoti i Lartmadhëruar në Kur’an thotë: “Allahu i ka folur Musaut me fjalë”. (En-Nisa, 164)
Mënyra e dytë e vahjit është mënyra nëpërmjet Melekut Xhibril.
Xhibrili i ka ardhur Muhamedit a.s. në dy forma:
– Mënyra e parë është kur Xhibrili ia ka zbritur Kur’anin nëpërmjet të folurit të tij, e kjo Muhamedit a.s. i ka tingëlluar si formë e ziles. Që d.m.th. të dëgjuarit e Muhamedit a.s. ka kaluar në të dëgjuar të lidhjes me Melekun në formë shpirtërore.
– Mënyra e dytë është kur Xhibrili është shndërruar në formë të njeriut e pastaj i është paraqitur Muhamedit a.s.
Argument për mënyrat e vahjit kemi ajetin kuranor: “Nuk ka asnjë njeri që t’i ketë folur Allahu ndryshe, vetëm se me anën e frymëzimit, ose pas një perdeje, ose t’i dërgojë të dërguar (melek), e ai t’i shpallë me lejen e Tij atë që do Ai. Ai është më i Larti, më i Urti”. (Shura, 51)
Përfundim
Zoti i Madhërishëm thotë:
(ky Kur’an): është zbritje e të Gjithëfuqishmit, Mëshiruesit.
(5) TENZIILEL ‘AZIIZIRR-RRAHIIM.
Aziz dhe Rrahim janë dy emra prej 99 emrave të bukur të Allahut.
Emri i bukur “Aziz” ka kuptimin: i Plotfuqishëm.
Aziz ka kuptimin se Zotin askush nuk mund ta pengojë, askush nuk mund t’ia kthejë urdhrin, çfarë të dëshirojë Allahu i Plotfuqishëm bëhet edhe nëse njerëzit nuk duan, çfarë nuk dëshiron Allahu i Plotfuqishëm nuk bëhet edhe nëse dikush do.
Emri i bukur “Rrahim” ka kuptimin: është Mëshirues ndaj robërve të Vet.
– Allahu ka krijuar krijesat me mëshirën e Vet,
– Ka dërguar të dërguar me mëshirën e Vet,
– Ka ligjësuar ligjet robërve të Vet me mëshirën e Vet,
– I ka begatuar me begati të dukshme e të padukshme me mëshirën e Vet.
– Ka rregulluar me çdo lloj rregullimi, ka mbuluar këtë dhe botën tjetër me mëshirën e Vet.
– Vetëm me mëshirën e Tij çdo gjë bëhet e mirë,
– Vetëm me mëshirën e Tij lehtësohen gjërat, arrihen synimet dhe kërkesat.
Mëshira e Zotit është mbi çdo gjë.
Mëshira e Zotit përshkruhet në shumë ajete kur’anore si në vijim:
“e mëshira ime ka përfshirë secilin send.” (A’raf, 156).
“S’ka dyshim se Allahu është shumë i butë dhe mëshirues ndaj njerëzve.” (Bekare, 143).
“Shiko pra, gjurmët e mëshirës së Allahut, se si e ngjall tokën pas vdekjes së saj, e s’ka dyshim se Ai është që do t’i ngjallë të vdekurit, se Ai për çdo send është i plotfuqishëm.” (Rum, 50).
“Ndërsa atyre që fytyrat e tyre u janë zbardhur, ata janë në mëshirën (Xhenetin).” (Ali Imran, 107).
“Ai është mëshirues i mëshiruesve”. (Jusuf 64, 92).
Mëshira e Zotit përshkruhet në shumë hadithe si në vijim:
“Ti je xheneti im, mëshiroj me ty atë që dua nga robërit e Mi”.
“Allahu është më i mëshirshëm me robërit e Vet sesa nëna ndaj fëmijës së saj”.
“Allahu ka shkruar libër mbi arshin e Vet se Mëshira ime tejkalon hidhërimin Tim”.
–
Dr. Musli Vërbani