“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1
Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli
Përktheu: Dr. Musli Vërbani
–
Babai i pejgamberëve të dashur të Allahut, Ibrahimi a.s., është i fesë së Njëshmërisë së sinqertë të Allahut. Ajo fe është e pastër. Para se të ishte i cilësuar si pejgamber, Muhamedi a.s. adhuronte në fenë e pastër të Ibrahimit dhe ka vazhduar të pasojë po atë fe edhe pasi që Allahu e ka caktuar pejgamberinë ku thotë:
“Dhe ruajuni një dite kur askush nuk do të mund ta ndihmojë tjetrin për asnjë send, nuk pranohet prej askujt kompensim, nuk do t’i bëjë dobi askujt ndonjë ndërmjetësim dhe as që do të ndihmohen (mëkatarët).” (El Bekare: 123)
Transmetohet se Abdullah bin Selmete i ka ftuar dy djemtë e vëllait të tij ta pranojnë islamin, Selmeten dhe Muhaxhirin. Ai u ka thënë atyre: A nuk e dini se çka ka thënë Allahu i madhërishëm në Tevratë? A nuk ka thënë se nga djemtë e Ismailit do të dërgojë pejgamber, emri i të cilit do të jetë Ahmed? Ai i cili i beson, udhëzohet, ai i cili nuk beson, do të jetë i mallkuar.
Pas kësaj Selmete e ka përqafuar Islamin, ndërsa Muhaxhiri e ka refuzuar, pas kësaj kanë zbritur ajetet:
Ajetet 130-132:
E kush largohet prej fesë së Ibrahimit përveç atij që poshtëron vetveten. Ne atë e bëmë të zgjedhur në këtë botë, kurse në botën tjetër ai është njëri prej të lartëve. (130) Kur Zoti i vet atij i tha: “Dorëzohu”! Ai tha: “Iu kam dorëzuar Zotit të gjithësisë”! (131) E Ibrahimi i porositi bijtë e tij me këtë (fe), e edhe Jakubi, (u tha) “O bijtë e mi, Allahu ua zgjodhi fenë (islame) juve, pra mos vdisni ndryshe, por vetëm duke qenë muslimanë!” (132)
Allahu e ka urdhëruar Ibrahimin që të jetë i përqendruar në fenë e Allahut dhe ai menjëherë ka përshpejtuar që të zbatojë urdhrat e fesë si njëri prej të përzgjedhurve më të mirë dhe ka thënë: Unë i dorëzohem Zotit, Krijuesit të gjithë botëve, i Cili është Sundimtar i ditës së gjykimit.
Ibrahimi a.s. ka qenë i kompletuar në fenë e pastër dhe këtë e ka dëshiruar edhe për fëmijët e vet, për këtë ka kërkuar nga bijtë e vet që ta pasojnë dhe ua ka lënë emanet.
Po ashtu edhe Jakubi. Që të dy kanë thënë: O bijtë tanë, pa dyshim se Allahu e ka përzgjedhur për ju këtë fe, e ajo është sikurse feja e Muhamedit a.s. dhe e bazave të përgjithshme të fesë. Përqendrohuni në islam dhe mos u shkëputni prej saj.
(Parashtrohet pyetja) A i pasojnë jehudët stërgjyshërit e tyre Ibrahimin dhe Jakubin apo jo? Pastaj Allahu i Madhërishëm ka thënë:
Ajeti 133:
A ishit ju (ithtarë të librit) dëshmitarë kur Jakubit iu afrua vdekja, e ai bijve të vet u tha: “Çka do të adhuroni pas meje”? Ata thanë: “Do të adhurojmë Zotin (Ilah) tënd, dhe Zotin e prindërve tuaj: Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Një të Vetmin Zot dhe ne, vetëm Atij i jemi dorëzuar!” (133)
Shkaku i zbritjes së ajetit
Ky ajet ka zbritur për jehudët të cilët Muhamedit a.s. i kanë thënë: “A nuk e di se në ditën kur ka vdekur Jakubi a.s. i ka porositur bijtë e tij në Judaizëm.”
Atëherë Allahu është përgjigjur me këtë ajet:
O ju jehud, përgënjeshtrues të Muhamedit a.s., a mos keni qenë prezent në ditën e vdekjes së Jakubit? Mos gënjeni, nga shkaku se Unë e kam dërguar Ibrahimin dhe bijtë e tij në fenë e pastër, e ajo fe është feja e Njëshmërisë dhe e islamit, për këtë fe i kanë porositur paraardhësit e tyre. Argument për këtë është se Jakubi i ka pyetur bijtë e tij: Kë do ta pasoni pas vdekjes sime?
Ata i janë përgjigjur: E adhurojmë Allahun, Zotin një të vetëm dhe Zotin e gjyshërve të tu, të Ibrahimit, Ismailit dhe Is’hakut. Ne Atij i bindemi dhe ligjit të Tij i nënshtrohemi.
Allahu i është përgjigjur jehudëve të cilët pretendonin se ata janë loza e pejgamberëve dhe nipërve të tyre dhe se ata do të hynë në xhehenem vetëm për ditë të caktuara (të pakta).
Koncepti i përgjigjes është, njeriu është përgjegjës i personalitetit të tij dhe se popujt e të kaluarës e meritojnë shpërblimin për çka kanë punuar, por edhe ndëshkimin për çka kanë punuar, por edhe ndëshkimin nëse nuk i kanë kryer obligimet. Veprat e tyre nuk i bëjnë dobi askujt dhe nuk e dëmtojnë njeri: “Askush nuk e bart barrën e tjetrit.” (Fatir: 18). Gjeneratës së kaluar i bën dobi vetëm puna e tyre. Gjeneratës së ardhme i bën dobi vetëm puna e tyre. Allahu i Madhërishëm thotë:
Ajeti 134:
Ai ishte një popull që kaloi, atij i takoi ajo që fitoi, e juve u takon ajo që fituat, prandaj ju nuk jeni përgjegjës për atë që vepruan ata. (134)
Ka ndodhur një rast kur paria e jehudëve të Medines (Keab bin Eshrefi, Malik bin Es-Sajfi dhe Ebi Jasir bin Ehtabi) dhe të krishterët e Nexhranit i kanë kundërshtuar muslimanët për fenë e tyre. Secili grup pretendonte se në fenë e Allahut kanë të drejtë ndaj të tjerëve:
– Jehudët thoshin: Musa është pejgamberi më i mirë dhe libri ynë Tevrati është më i miri dhe feja jonë është më e mira.
– Të krishterët thoshin: Pejgamberi ynë Isau është më i miri dhe libri ynë Inxhili është më i miri dhe feja jonë është feja më e mira.
Secili grup prej tyre u thotë besimtarëve ejani në fenë tonë se nuk ka fe tjetër pos fesë sonë. Kështu ata kanë ftuar në fenë e tyre.
Atëherë Zoti i Madhërishëm ka thënë:
Ajeti 135:
Ata (ithtarët e librit) thanë: “Bëhuni jehudi ose të krishterë, e gjeni rrugën e drejtë”! Thuaj: “jo, (asnjërën) por fenë e drejtë të Ibrahimit që ai nuk ishte nga idhujtarët. (135)
Pastaj Allahu i ka urdhëruar besimtarët që të pasojnë të gjithë pejgamberët duke mos e ndarë asnjërin prej tjetrit, ku thotë:
Ajetet 136 dhe 137:
Ju (besimtarë) thoni: “Ne i besuam Allahut, atë që na u shpall neve, atë që iu shpall Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe pasardhësve (të Jakubit që ishin të ndarë në dymbëdhjetë kabile), atë që i është dhënë Musait, Isait dhe atë që u është dhënë nga Zoti i tyre pejgamberëve, ne nuk bëjmë dallim në asnjërin prej tyre dhe ne vetëm atij i jemi bindur. (136) Në qoftë se ata besuan ashtu siç besuat ju ata vërtetë kanë gjetur rrugën e drejtë, e nëse refuzojnë, atëherë ata janë kundërshtarë (opozitë), po ty (Muhamed) kundër tyre do të mjaftojë Allahu. Ai është dëgjuesi, i dijshmi. (137)
Allahu i ka urdhëruar muslimanët për dy çështje thelbësore dhe përmbajtjesore, e ato janë:
– Që të thonë: Ne besojmë në Allahun, librat e Tij dhe të dërguarit e Tij. Nuk e ndajmë asnjë pejgamber prej tjetrit dhe asnjë libër prej tjetrës dhe
– që të thonë: Allahu na ka mbushur me ngjyrën e besimit dhe të fesë e cila është natyrshmëri njerëzore dhe që të pastrohen mendjet nga njollosjet e idhujtarisë, kryelartësisë dhe urrejtjes.
Muslimani e deklaron haptazi se i përmbahet besimit në një Zot, e cila është natyrshmëri njerëzore dhe e ndriçon (e zbardhë) zemrën nga çdo gjë që mbjell urrejtje dhe zili në zemra. Ai e ka zemrën të ndritur dhe të pastër. E ka zemrën të ndjeshme dhe të çiltër. Allahu i Madhërishëm ka thënë:
Ajeti 138:
(kjo fe jona është) Ngjyrosje e Allahut, e kush ngjyros (me fe) më mirë se Allahu? Ne vetëm atë e adhurojmë. (138)
Pastaj, Allahu e ka urdhëruar pejgamberin për një çështje specifike, e ajo është që, t’u thotë pasuesve të feve tjera, të cilët pretendojnë se ata janë bijtë dhe të dashurit e Allahut dhe se ata kanë prioritet ndaj muslimanëve, për shkak se janë më të hershëm dhe se librat e tyre janë më të hershme: A po polemizoni në fenë e Allahut, përderisa feja e Allahut është Një? Po ashtu pretendoni se feja e vërtetë është feja në të cilën jeni ju dhe mendoni se vetëm ju e keni të drejtën për të hyrë në xhenet, përderisa Allahu është Zot i të gjithëve, ndërsa hyrja në xhenet është e ndërlidhur me veprat e mira të cilat burojnë nga çdo njeri i cili nuk posedon në veten e tij racizëm. Nuk ka dallime dhe pengesa për të mirat e Allahut dhe për mëshirën e Tij. Allahu është Zot i yni dhe Zot i juaji. Në adhurim të Allahut nuk ka dallim, as nga ne as nga ju. Ai i posedon çështjet tona dhe çështjet tuaja. Ne i kemi veprat tona, qofshin të mira apo të këqija, ju i keni veprat tuaja, qofshin të mira, qofshin të këqija. Ne jemi të sinqertë në vepra, nuk synojmë asgjë përpos kënaqësisë së Allahut. Si është e mundur që ju të pretendoni se i juaji është xheneti dhe udhëzimi dhe nuk është i të tjerëve?!
Allahu i Madhërishëm thotë:
Ajeti 139:
Thuaj: “A doni të grindeni me ne për Allahun, e Ai është Zoti ynë dhe Zoti juaj dhe ne kemi veprat (shpërblimin e veprave) tona, e ju i keni veprat tuaja. Por ne jemi (besimtarë) të sinqertë ndaj Tij. (139)
Pastaj Kur’ani ka përcaktuar (ka treguar) identitetin e pejgamberëve të mëhershëm dhe faktin se ata ndërlidhen me vulën e pejgamberëve, dhe se që të gjithë kanë pasur të njëjtën ftesë, e ajo është: Besimi i pastër në Allahun e Lartësuar dhe në adhurim vetëm ndaj Zotit, të vepruarit me vepra me vlerë dhe largimi nga punët neveritëse.
Secili popull do të përgjigjet për veprat e tij, qofshin të mira, qofshin të këqija. Gjenerata e mëvonshme nuk pyetet (nuk jep përgjegjësi) për veprat e gjeneratës së mëhershme. Nuk ka nevojë të bëhet lavdërimi me baballarët dhe për të kaluarën. Kështu veprojnë të paaftit dhe të dobëtit, të cilët nuk e shikojnë të ardhmen, por vetëm të kaluarën. Ata orientohen për të ardhmen. Sa i përket të logjikshmit, ai e ndërton identitetin e vet dhe arrin suksese të mira dhe të volitshme për veten e tij. Ai jeton i mbështetur në atë që e ndërton vet dhe nuk jeton i verbër vetëm me sukseset e tjerëve. Kjo është rruga e ndërtimit të së ardhmes, rruga e përfitimit të respektit dhe rruga e autoritetit dhe realizimi i suksesit të shoqërisë dhe atdheut. Allahu i Madhërishëm thotë:
Ajetet 140 dhe 141:
A pretendoni se Ibrahimi, Ismaili, Is’haku, Jakubi dhe pasardhësit kanë qenë jehudi ose të krishterë? Thuaj: “A e dini ju më mirë apo Allahu? Kush është më mizor se ai, që e ka dëshminë e Allahut pranë veti dhe e fshehë. Allahu nuk është i panjoftuar me veprimet tuaja”. (140) Ai ishte një popull që shkoi, të cilit i takoi ajo që fitoi, e juve u takon ajo që fituat, prandaj ju nuk jeni përgjegjës për atë që ata vepruan. (141)
Nëse prindërit janë të ndritur dhe evlijaë (dashamirë të Allahut), inteligjent dhe me autoritet dhe ti si trashëgimtar nuk punon asgjë, a të sjell kjo dobi apo jo? Parimi i islamit është i qartë dhe i njohur, e ai parim është:
“Dhe se njeriut nuk i takon tjetër pos asaj që ka punuar. Dhe se mundi i tij më vonë do të shihet .” (En-Nexhm: 39, 40)