“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1
Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli
Përktheu: Dr. Musli Vërbani
–
Besimi në shumë zota është idhujtari, devijim dhe trillim. Idhujtaria është devijim dhe trillim.
Ndërlidhja e idhujtarëve me zotat dhe putat e tyre – prej melekëve, xhinëve – është ndërlidhje e dobët, imagjinare dhe e plogësht. I ngjanë shtëpisë së merimangës. Ndërlidhja e idhujtarëve me zotat dhe putat e tyre nuk u bën dëm e as dobi, përkundrazi u këputen të gjitha shpresat që kanë të bëjnë me botën tjetër, ndërpriten lidhjet dhe raportet dhe shfajësohen pasuesit nga të pasuarit dhe të pasuarit nga pasuesit. Ndërpriten lidhjet dhe raportet dhe shfajësohet çdo i adhuruar – si melekët, po ashtu edhe xhinët – që janë të pasuar nga pasuesit dhe të cilët adhurohen për zota përveç Allahut.
Duket se, idhujtarët kanë simpati dhe i duan zotat e tyre të cilët pretendojnë se janë zota, me dashuri sikurse dashuria ndaj Allahut, edhe pse Allahu është Një, pa ortak. Nuk ka zot të adhuruar pos Allahut, nuk ka as ortak e as të ngjashëm me Të. Nuk adhurohet askush paralel me Zotin.
Raportet e idhujtarëve me zotat e tyre janë raporte të pasinqerta dhe mashtruese, ndërsa e kundërta është raporti i besimtarëve.
Besimtarët janë të sinqertë dhe të çiltër me Zotin e tyre. Ata e duan Zotin më shumë. Prej realizimit dhe kompletimit të dashurisë së tyre dhe madhërimit të Zotit të tyre është fakti se, ata nuk i përshkruajnë asgjë dhe askënd, por e adhurojnë vetëm Atë. Për çdo çështje i orientohen vetëm Atij duke thënë: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.”(El-Fatiha: 5)
Idhujtaria është në kundërshtim me realitetin. I adhuruari, as nuk ka mundësi t’i sjellë dobi vetes së Tij dhe as nuk mund ta largon të keqen dhe dëmin nga vetja e tij. Nëse i ndodh idhujtarit ndonjë sprovë apo rrezik, i drejtohen Allahut, pastaj prapë e harrojnë Atë.
Idhujtarët, kur janë në anije i luten Zotit me sinqeritetin më të madh që të shpëtojnë nga rreziku dhe trishtimi, ndërsa kur të zbresin në tokë i kthehen zotave të tyre dhe thonë: “Ne i adhurojmë ata për të na afruar më shumë te Zoti.”
Në vështirësi dhe në krizë, ata janë me Allahun.
Në qetësi dhe lumturi, ata i bashkëngjitin Allahut zot tjetër.
Kështu pra, ata i duan zotat e tyre sikurse e duan Allahun, ndërsa besimtarët nuk duan askënd tjetër pos Allahun, Zot të vetëm, i Cili nuk ka ortak.
Kur’ani i tregon situatat e idhujtarëve me zotat e tyre, e tregon edhe situatën në këtë botë e edhe në botën tjetër, ku thotë:
Ajetet 165-167:
E nga njerëzit ka aso që në vend të Allahut besojnë idhujt, që i duan (i madhërojnë) ata, sikur (që besimtarët e vërtetë e duan) Allahun, po dashuria e atyre që besuan Allahun është shumë më e fortë. E sikur që dinin ata që bënë mizori se kur do ta shohin dënimin (në botën tjetër), do të binden se e tërë fuqia i takon vetëm Allahut (e jo idhujve) dhe se Allahu është ndëshkues i rreptë. (165) Dhe (sikur të shihnin) kur do të largohen ata që u prinin atyre që i ndiqnin (paria largohet prej atyre që u shkuan pas), e të gjithë e shohin dënimin dhe këputen lidhjet e tyre. (166) E Ata, të cilët u patën shkuar pas do të thonë: “Ah, sikur të na lejohej një kthim (në dynja) e të largohemi prej tyre (prijësve) siç u larguan ata tash prej nesh!” Kështu Allahu do t’ju paraqesë veprat që janë dëshpërim për ta, e ata nuk kanë të dalë prej zjarrit. (167)
Sa i përket gjendjes së idhujtarëve, fitimin e tyre e tregon si fitim të keq, ndërsa Allahu ka urdhëruar fitimin e mirë dhe të dobishëm:
Ajetet 168 dhe 169:
O ju njerëz, hani nga ajo që është në tokë, e që është e lejuar dhe e mirë, e mos shkoni hapave të djallit se ai është armik i hapët i juaji. (168) Ai ju urdhëron vetëm me të këqija e turpëri, dhe ju shtynë të thoni për Allahun atë që nuk e dini. (169)
O ju njerëz, në tokë ushqehuni me atë që është e lejuar, të cilën ua ka lejuar Allahu juve. Ajo çka është e mirë, në të cilën nuk ka mëkat dhe as dyshim dhe nuk është e drejtë e tjetrit. Mos hani ndyrësirat të cilat i marrin udhëheqësit nga pasuesit e tyre sepse është haram, nuk lejohet konsumimi i atij ushqimi. Mos pasoni rrugën e shejtanit (djallit) me mashtrime, devijime dhe duke rënë në grackat e cytjeve të tij. Ai përgatit kurthe me cytje në të keqen dhe të dëmshmen.
Ai është armik i qartë, armiqësia e të cilit daton që nga babai i juaj Ademi a.s.
Në esencë ai nuk urdhëron në të mirë dhe në esencë urdhëron vetëm në të keqe dhe mëkate. Keni kujdes, mos e pasoni atë. Ai ju urdhëron që për fenë e Allahut të thoni atë që nuk e dini të sigurt: në ligjet e Allahut, në bindjen në Allahun dhe në simbole fetare, ose që t’i jepni prioritet lejimit të haramit dhe ndalimit të hallallit, që të shkaktohet dëmtimi i besimit dhe shtrembërimi i sheriatit.
Pastaj Allahu tregon për idhujtarët dhe për disa jehudë të cilët pasojnë verbërisht. Ibn Abasi thotë: I dërguari i Allahut ka ftuar në Islam, ka dashur ta pranojnë atë dhe ua ka tërhequr vërejtjen për dënimin prej Allahut.
Shkaku i zbritjes së ajetit
Rafië bin Harmelete dhe Malik bin Aufi kanë thënë: Ne gjithsesi pasojmë atë që e kemi trashëguar prej baballarëve ngase ata kanë qenë më të ditur se ne. Për këtë arsye, Allahu ka zbritur ajetet:
Ajetet 170 dhe 171:
E kur u thuhet atyre (idhujtarëve): “Pranoni atë që Allahu e shpalli!” Ata thonë: “Jo, ne ndjekim atë rrugë në të cilën i gjetëm prindërit tanë!” Edhe sikur prindërit e tyre të mos jenë udhëzuar në rrugën e drejtë (ata do t’i pasonin)?” (170) Shembulli i (i thirrësit të) atyre që nuk besuan është sikurse i atij (bariut) që u lëshon britmë atyre (bagëtive) që nuk dëgjojnë tjetër vetëm se britmë e zë (e nuk kuptojnë). Ata janë të shurdhër, memecë e të verbër, ata nuk kuptojnë. (171)
Kjo dëshmon se, këta pabesimtarë të cilët pasojnë verbërisht prindërit dhe gjyshërit e tyre janë sikur bagëtia e cila nuk e di çka thotë bariu, nga shkaku se Allahu i ka mbyllur zemrat e pabesimtarëve dhe ka vendosë mbulesë në dëgjimin dhe shikimin e tyre.