| Dr. Musli Vërbani – |

Zoti i Madhërishëm e ka zbritur Kur’anin për ta analizuar dhe për ta studiuar, për ta mësuar dhe për ta praktikuar.
Zoti i Madhërishëm e ka zbritur Kur’anin ta lexojmë dhe të veprojmë me të. Ta analizojmë dhe ta studiojmë. Ta studiojmë dhe ta praktikojmë.
Do të qëndrojmë për pak kohë nën freskinë e sures Bejjine.
“Bejinë”: ka kuptimin e ngjarjes së qartë dhe të kristalizuar.
Surja Bejjine publikon për të stagnuarit të cilët kanë ngecë në devijimin e tyre.
Sqaron se nuk i kushtojnë vëmendje veprimeve të tyre.
Sqaron se nuk i zgjojnë ndjenjat e tyre.
Ky publikim ua prekë ndërgjegjen dhe ua hapë dyert e të perceptuarit.
Pas këtij publikimi askush nuk ka arsye të mbetet në idhujtari.
Pas zbritjes së Kur’anit askush nuk ka arsye të mbetet në pabesim.
Nuk ka arsye për të mos besuar.
Kur’ani e ka falë të kaluarën e tyre pasi nuk kanë pasur në të kaluarën argumente të qarta. Për këtë arsye, kjo sure ka filluar me çështjen e sqarimit të argumentimit dhe të paralajmërimit.
Vëllezër të nderuar!
Zoti i Madhërishëm thotë:
| Lem jekunil ledhiine keferuu min ehlil kitaabi vel mushrikiine munfekkiine hattaa teëtijehumul bejjinetun |
| “Ata nga ithtarët e librit dhe idhujtarët të cilët nuk besuan, nuk iu ndanë (besimit të tyre) derisa atyre u erdhi argumenti i qartë.” |
| (El-Bejjine: 1) |
Jehudët e kanë Tevratin, ndërsa të krishterët e kanë Inxhilin, për këtë arsye quhen Ithtarë të librit.
Janë quajtur ithtarë të librit, ngase janë trashëgues të librave qiellorë deri tek ardhja e pejgamberit a.s.
Kështu që:
– Ata të cilët e kanë mohuar Kur’anin dhe pejgamberin: janë jehudët, të cilët nuk po shkëputen nga devijimi i tyre.
– Ata të cilët e kanë mohuar Kur’anin dhe pejgamberin: janë të krishterët, ata nuk po e çrrënjosin trillimin e trashëguar të tyre.
– Ata të cilët e kanë mohuar Kur’anin dhe pejgamberin: janë pabesimtarët të cilët nuk po shkëputen nga pabesimi i tyre.
– Para ardhjes së pejgamberit a.s., ithtarët e librit paralajmëronin ardhjen e Muhamedit a.s. dhe se me ardhjen e pejgamberit do të fitonin ndaj idhujtarëve arab. Thoshin se është i paralajmëruar në librat e tyre, siç tregon Zoti i Madhërishëm:
“E kur u erdhi atyre prej Allahut libri (Kur’ani) që është vërtetues i atij, që e kishin pranë, e që para se t’u vinte e kërkonin ndihmën e tij kundër mosbesimtarëve, e mohuan atë (Muhamedin) që e njihnin, kur u erdhi. Pra, mallkimi i Allahut qoftë kundër mosbesimtarëve!” (Bekare, 89)
Ata të cilët e kanë mohuar mesazhin Kur’anor dhe pejgamberin: janë, idhujtarët dhe të tjerët, të cilët nuk po shkëputen nga idhujtaria e tyre.
Allahu ka informuar për idhujtarët se janë betuar se ata ishin betuar se do ta besonin pejgamberin nëse atyre do tu vinte pejgamber, siç e lexojmë:
“Ata me betimin më të fortë të tyre janë betuar në Allahun se, nëse u vjen atyre ndonjë pejgamber, do të jenë më të udhëzuarit (me besimtarët) nga njëri i atyre popujve (jahudi ose i krishterë), e kur u erdh atyre pejgamberi, atyre nuk u shtoi tjetër vetëm se largim.” (Fatir, 42)
Edhe pasi atyre u janë paraqitur argumente të qarta, pra të krishterëve, jehudëve dhe idhujtarëve, ata prapëseprapë nuk po i japin fund ideve të gabuara të tyre.
Argumente të qarta janë: Kur’ani fisnik dhe mesazhi pejgamberik.
Në Kur’an dhe në mesazhin pejgamberik: ekziston sqarimi për injorancën dhe devijimin.
Në Kur’an dhe në mesazhin pejgamberik është thirrja për besimin e drejtë.
Vëllezër të nderuar!
Pastaj Zoti i madhërishëm sqaron publikimin dhe thotë:
| Resuulun minell-Llaahi jetluu suhufen mutahhereten fiijha kutubun kajjimetun |
| “I dërguari prej Allahut, që lexon fletë të pastra. Në të cilat ka vetëm dispozita të drejta.” |
| (El-Bejjine: 2, 3) |
Pejgamberi i Allahut është Muhamedi a.s. Është ai të cilin e ka dërguar Zoti i tij mëshirë për të gjithë botët.
Është pejgamberi ai i cili ua lexon atyre atë që përmbajnë fletët e Kur’anit, i pastër nga çdo njollë dhe gënjeshtër, i pastër nga çdo dyshim dhe devijim, nga çdo lajthitje.
Në Kur’an e keni të vërtetën e qartë.
Në të, keni dispozita të drejta të cilat janë ajka e të drejtës.
Në të, keni dispozita stabile dhe të qëndrueshme të cilat janë ajka e të drejtës.
Kur’ani i trajton njerëzit me drejtësi dhe me barazi.
Në të janë ajetet e dispozitave ligjore janë të qëndrueshme, stabile dhe të drejta.
Janë ajete të udhëzimit dhe të zhvillimit, ajete të urtësisë dhe këshilluese.
Ajetet janë argumente të cilat ai popull nuk i vështronte, nuk i analizonte dhe nuk i kushtonte vëmendje.
Në të janë dispozitat të cilat janë të drejta, të cilat dispozita përmbajnë drejtësi dhe barazi.
“Kush do merr mësim nga kjo (nga Kur’ani). Është këshillë në fletë të çmueshme. Me vlerë të lartë e të ruajtur.” (Abese, 12-14)
Kur’ani nuk sjell gjëra të kota as për të kaluarën as për të ardhmen.
Vëllezër të nderuar!
Zoti i Madhërishëm thotë:
| Ve maa teferr-rrekal-ledhiineuutul kitaabeil-laamin beadi maa xhaaehumul bejjinetu |
| “Dhe ata të cilëve u është dhënë libri, nuk u ndanë vetëm pasi që u erdhi argumenti.” |
| (El-Bejjine: 4) |
Allahu i Madhërishëm i kritikon refuzuesit, pra, jehudët dhe të krishterët ku thotë: Janë ndarë, me fjalë tjera janë larguar nga feja e vërtetë e Zotit Një!
Jehudët dhe të krishterët janë ndarë për çështjen e Muhamedit vetëm atëherë kur u janë paraqitur argumentet e kristalta, mirëpo kur ka ardhur nga populli arab e kanë xhelozuar.
– Të krishterët më herët kanë qenë të pajtimit për pejgamberinë e tij dhe për atributet e tij, mirëpo kur ka ardhur nga populli arab e kanë xhelozuar.
– Jehudët më herët kanë qenë të pajtimit për pejgamberinë e tij dhe për atributet e tij, mirëpo kur ka ardhur nga populli arab e kanë xhelozuar.
Konfrontimet dhe ndarja e tyre, nuk ka ndodhë për shkak të dyshimit të tyre, por atëherë kur është paraqitur argumenti udhëzues për fenë e vërtetë, e, ai argument i vërtetë është Kur’an, e cila është në harmoni me atë që gjendet në librat e tyre, në të cila libra janë atributet dhe cilësitë e tij, mirëpo pasi e ka dërguar Allahu, janë ndarë në mes vete, disa kanë besuar, të tjerët kanë mohuar.
Më herët kanë qenë në një rrugë, ashtu siç kanë besuar, që të pasonin fenë e Allahut dhe do të pasonin pejgamberin e paralajmëruar.
Konfrontimet dhe ndarja e tyre nuk ka ndodhë për shkak të dyshimit të tyre, përkundrazi pasi u është sqaruar e drejta dhe e vërteta, e, ai argument i vërtetë është Muhamedi, në të cilat libra janë atributet dhe cilësitë e tij, mirëpo pasi e ka dërguar Allahu, janë ndarë në mes vete.
– Disa prej ithtarëve të librit kanë besuar.
– Disa të tjerë kanë mohuar.
Kur ju ka ardhur publikimi janë ndarë për shkak se ka ardhur Muhamedi, se ka ardhur pejgamberi i fundit.
– Disa kanë përgënjeshtruar.
– Disa e kanë besuar.
Para kësaj kanë qenë unik se do të vjen pejgamberi i fundit, se do të vjen Muhamedi a.s.
Zoti neve na thotë:
“E mos u bëni si ata që u ndanë dhe u përçanë pasi u patën zbritur argumentet. Ata do të pësojnë një dënim të madh.” (Ali Imranë, 105)
Vëllezër të nderuar!
Zoti i Madhërishëm thotë:
| Ve maa umiruu il-laa li jeabudull-Llaahe muhlisiine lehud-diine hunefaae ve jukiimus salaate juëtuz zekaate ve dhaalike diinul kajjimeti |
| “E duke qenë se ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër, pos që ta adhuronin Allahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij, që të largohen prej çdo besimi të kotë, ta falin namazin, të japin zekatin, se ajo është feja e drejtë.” |
| (El-Bejjine: 5) |
Jehudët dhe të krishterët janë urdhëruar si në vijim:
1. Janë urdhëruar që ta adhurojnë Zotin me sinqeritet dhe të mos e përziejnë me idhujtari.
Idhujtaria e Jehudëve është se kanë thënë se Uzejri është djalë i Zotit.
Idhujtaria e të krishterëve është kanë thënë se Isa është djali i Zotit.
2. Janë urdhëruar në faljen e namazit.
3. Janë urdhëruar në dhënien e zekatit.
Në librat e zbritura prej Allahut, pasuesit e librit janë urdhëruar që të adhurojnë me sinqeritet vetëm Allahun.
Në librat e zbritura prej Allahut, të krishterët dhe jehudët janë urdhëruar për të adhuruar vetëm Zotin Një, duke mos i përshkruar ortak, ose të barabartë, ose të ngjashëm.
Allahu i ka qortuar pasuesit e librit për atë se janë larguar dhe kanë devijuar nga substanca e fesë.
Allahu i ka kritikuar për atë se janë konfrontuar, edhe pse në të gjitha librat e Allahut janë urdhëruar që të adhurojnë vetëm Allahun.
Ithtarët e librit janë urdhëruar për adhurim të pastër ndaj Allahut, që të gjitha fetë të unifikohen në Islam.
Janë urdhëruar që për çdo vjet të japin zekatin me zemër të pastër.
Kjo është ajo feja stabile dhe e qëndrueshme.
Vëllezër të nderuar!
Zoti i Madhërishëm thotë:
| Innel-ledhiine keferuu min ehlil kitaabi vel mushrikiine fii naari xhehenneme haalidiine fiihaa. Ulaaike hum sherr-rrul berijjeti |
| “S’ka dyshim se ata, të cilët nuk besuan nga ithtarët e librit dhe nga idhujtarët, do të jenë në zjarrin e Xhehennemit, aty do të jenë përgjithmonë. Të tillët janë krijesa më e dëmshme.” |
| (El-Bejjine: 6) |
Allahu i paralajmëron pabesimtarët.
– Dënimi i atyre të cilët e mohojnë Allahun, i kundërshtojnë librat e Allahut, nga pasuesit e librit si dhe idhujtarët, do të hyjnë në zjarrin flakërues, ku do të qëndrojnë në të përgjithmonë.
Ata do të jenë në vendin më të keq.
Kjo nga shkaku se, për shkak të xhelozisë janë larguar nga e vërteta.
Kjo nga shkaku se, për shkak të arrogancës janë larguar nga e drejta.
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Hum sherrul-berije” për të dëshmuar në të njëjtën kohë mohimin dhe vërtetimin.
“E kur braktisën atë për të cilën ishin këshilluar, Ne i shpëtuam ata që pengonin nga të këqijat, ndërsa ata që kundërshtuan i kapëm me një dënim të fortë, ngase ishin të shfrenuar.” (Earaf, 165)
“Dhe, (rikujto) kur Musai popullit të vet i tha: “O populli im, pse më shqetësoni kur e dini se me të vërtetë unë jam i dërguar i Allahut te ju!” E kur ata u shmangën (nga e vërteta), Allahu i largoi zemrat e tyre, pse Allahu nuk vë në rrugë të drejtë popullin e prishur.” (Saf, 5)
“Krijesat më të dëmshme te Allahu janë ata që mohuan, nuk pritet që ata të besojnë.” (Enfal, 55)
Vëllezër të nderuar!
Allahu i përgëzon besimtarët ku thotë:
| Innel-ledhiine aaamenuu ve amilus saalihaati ulaaaike hum hajrul berijeti |
| “Ndërsa, ata që besuan dhe bënë vepra të mira, të tillët janë krijesa më e dobishme.” |
| (El-Bejjine: 7) |
Allahu i përgëzon Ata të cilët me zemrën e tyre kanë besuar në Zotin e tyre.
Allahu i përgëzon Ata të cilët kanë besuar në librat e Tij.
Allahu i përgëzon Ata të cilët kanë besuar në pejgamberët e Tij.
Allahu i përgëzon Ata të cilët kanë vepruar vepra të mira, i kanë kryer obligimet dhe punët tjera, ata janë krijesat më të mira, për sot dhe në të ardhmen.
Pastaj Allahu tregon për shpërblimin e besimtarëve dhe të cilët bëjnë vepra të mira ku thotë:
| Xhezaauhum inde rabbihim xhennatu adnin texhrii min tahtihel enhaaru haalidiine fiijhaa ebeden |
| “Shpërblimi për ta te Zoti i tyre është: vendet ne Xhennete nëpër të cilët burojnë lumenj.” |
| (El-Bejjine: 8) |
Për shkak të besimit të drejtë dhe për shkak të veprave të mira në Ditën e gjykimit do të shpërblehen me: xhenetin e përgjithmonshëm, do të shpërblehen me xhenetin në të cilin rrjedhin lumenj, e ata lumenj do të rrjedhin nën pemët e atyre bahçeve dhe nën dhomat e banimit të tyre “e aty janë përgjithmonë, pakëputur.” (El-Bejjine: 8)
Ky shpërblim i mirë është parapa për çdonjërin i cili i frikësohet Allahut nga dënimi dhe i kryen detyrat dhe obligimet.
Ky është argument se kusht i pranimit të adhurimit siç janë agjërimi, namazi etj., është: Frika dhe përulshmëria ndaj Allahut.
“Shpërblimi i tyre te Zoti i tyre është Xheneti” vendbanimi në xhenete, ose hyrja e tyre në xhenete.
Në xhenet ka çka veshi nuk e ka dëgjuar, syri nuk e ka pa e as mendja nuk mund ta mendojë. Zoti i Madhërishëm thotë:
“S’ka dyshim se ata që besuan dhe bënë vepra të mira, vendpritje për ta janë Xhennetet e Firdevsit.
Aty do të jenë përgjithmonë, e nuk kërkojnë të largohen nga ai (ose t’u ndryshohet).” (Kehf, 107-108)
Zoti i Madhërishëm thotë:
“Shembulli i Xhennetit, i cili u është premtuar atyre që janë ruajtur (të devotshëm) në të cilin ka lumenj me ujë për pije, lumenj nga qumështi me shije të paprishur, lumenj nga vera e shijshme për njerëz, lumenj nga mjalti i kulluar, ata kanë aty edhe gjithfarë lloj pemësh, kanë edhe falje nga Zoti i tyre, (a është i njëjtë) si ai që është përgjithmonë në zjarr dhe u shuhet etja me ujë të valë që ua copëton zorrët e tyre?” (Muhamed, 15).
Përfundim
Në fund të sures Zoti i Madhërishëm thotë:
| Redijell-Llaahu anhum ve reduu anhu Dhalike limen hashije rabbehu. |
| “Allahu është i kënaqur ndaj tyre, e edhe ata të kënaqur prej Tij. E ky është për atë, që i ka pasur frikën Zotit të vet.” |
| (El-Bejjine: 8) |
Allahu do të jetë i kënaqur me dëgjimin e urdhrave të Kur’anit, e pastaj edhe me zbatimin atyre ligjeve.
Allahu do të jetë i kënaqur me ta me pranimin e ligjeve të Allahut, e pastaj edhe me zbatimin atyre ligjeve.
Me një fjalë, Allahu do të jetë i kënaqur me ta, me devotshmërinë e tyre.
Po ashtu,
Ata do të jenë të kënaqur, me atë që Allahu i ka graduar me shpërblimin e mirë të xhenetit.
Ata do të jenë të kënaqur, me atë që Allahu ua ka plotësuar kërkesat e tyre.
Ata do të jenë të kënaqur, me atë që Allahu ua ka realizuar ëndrrat dhe shpresat e tyre.