GJËRAT E NËNSHTRUARA PËR NJERIUN
–
Zoti i Lartmadhëruar thotë: “Dhe Ne e kemi krijuar njeriun dhe ia kemi bërë shtrojë (në shërbim të tij) ç’ka në tokë e në det.” Po ashtu, ka thënë: “Ka krijuar gjithçka në tokë për të gjithë ju”. Njeriu në këtë gjithësi është epiqendra. Zoti i Lartmadhëruar ia ka nënshtruar çka ka në tokë, e çka ka në det, ku Zoti i Lartmadhëruar thotë: “Është Ai, i Çili ka bërë tokën shtrojë të dobishme dhe të përshtatshme, andaj ecni nëpër të dhe ushqehuni prej furnizimeve të saj”. Në thënien e Zotit të Lartmadhëruar “për ju” dhe thënies “të përshtatshme” tregohet qartë se sa janë të nënshtruara krijesat prej Allahut për krijesën njeri. Parashtrohet pyetja: Pse Allahu i Lartmadhëruar të gjitha këto çështje i ka nënshtruar për njeriun?
Shejh Shaëraviju përgjigjet: Vërejmë se Zoti i Lartmadhëruar ka thënë: “ka krijuar për ju”, pra për të gjithë njerëzit, e jo vetëm për besimtarët. Në hadith kudsij Zoti i Lartmadhëruar thotë: “O biri i Ademit, sendet i kam krijuar për ty, ndërsa ty të kam krijuar për Mua; mos e lodh veten në ato çka janë për ty, por angazhohu për atë për çka je ti”. Ky hadith Kudsij na shtyn të pyesim: A mund t’i shtyjë fuqia dhe aftësia ime këto krijesa që të më shërbejnë mua. Unë nuk kam mundësi të mbizotëroj diellin, hënën, ajrin, ujin, mirëpo ato më shërbejnë mua, pa e përdorur fuqinë time mbi ta. Duhet ta analizoj atëherë këtë për çka është krijuar njeriu?
Zoti i Lartmadhëruar thotë: “Njerëzit dhe xhinët i kam krijuar vetëm e vetëm të më adhurojnë”.
Zoti i Lartmadhëruar e ka krijuar njeriun për të treguar dhe sqaruar se ai e nënshtron të fuqishmin për më të dobëtin. Nuk ia ka nënshtruar njeriut vetëm çështjet, të cilat ka mundësi t’i mbizotërojë, por edhe çështjet, të cilat nuk ka mundësi t’i mbizotërojë. Kështu, shohim se të gjitha fenomenet natyrore nuk kanë të drejtë lirie për të më shërbyer, por ato janë të nënshtruara për të na shërbyer dhe nuk mund të më refuzojnë për të më shërbyer as dielli, as ajri e as uji, sepse ekzistenca e tyre është paraparë për të qenë ashtu.
Zoti i Lartmadhëruar i ka bërë këto sende në shërbim tonin, për t’u parë fuqia e nënshtrimit të atyre sendeve ndaj neve dhe për t’u parë sundimi absolut i Zotit të Lartmadhëruar ndaj krijesave të Tij, për ta nënshtruar të fuqishmin ndaj të dobëtit; dhe askush nuk mund të ndryshojë diçka në këtë. Pastaj, njeriut i thotë: Ty t’i kam nënshtruar të gjitha në këto çështje dhe të gjitha janë në shërbim tëndin, ndërsa ti duhet të më dëgjosh, për shkak të dashurisë tënde ndaj Meje, ngaqë krijesat tjera janë të nënshtruara pa vullnetin dhe pa dëshirën e tyre. Mirëpo, në disa çështje unë ty të kam dhënë të drejtë zgjedhjeje. Nëse do, më beson dhe më përgjigjesh, e nëse do, mund të mos më përgjigjesh. Atëherë, Allahu kërkon nga ne që ta duam Atë me dëshirë, përderisa ne kemi mundësi ta duam, ose jo, sepse ka dallim të madh në mes të nënshtrimit, imponimit detyrimit dhe dashurisë.
Për këtë arsye Zoti i Lartmadhëruar në hadith Kudsij thotë: “O bir i Ademit, unë të dua, e detyrë jotja është që të më duash”. Kjo është shkalla më e lartë e edukatës dhe moralit të njeriut.
–
Muhamed Muteveli Esh-Shaëravi Përktheu: Dr. Musli Vërbani Shkëputur nga “Fetva”