PSE I DËRGUARI NUK E KA KOMENTUAR KUR’ANIN NË TËRËSI
Pse nuk është komentuar Kur’ani në tërësi në kohën e Muhamedit s.a.v.s?
Përgjigje: Kur’ani ka zbritur udhëzim për tërë njerëzimin dhe dritë për mbarë rruzullin tokësor, ndërsa Muhamedit s.a.v.s i ka zbritur për 23 vjet.
Atëherë pse i Dërguari i Allahut nuk e komentuar Kur’anin fisnik në tërësi gjatë gjithë jetës së tij?
E vërteta është se këtu kemi dy grupe: Grupi i parë mendon se komentimi i kohës së Muhamedit s.a.v.s dhe sahabëve është komentim përfundimtar dhe nuk pranon komentim shtesë. Bile shtimi në të është një lloj ngarkese (njollosje) e Kur’anit fisnik më shumë se atë çka e ka parashtruar dhe e kërkon Libri i Allahut në teoritë praktike tokësore; mund të vërtetohet josaktësia e atij komentimi pas disa dekadave.
Ndërsa, grupi tjetër mendon se Kur’ani ka dy pjesë: Në pjesën e parë janë farzet dhe dispozitat, të cilat janë të qarta dhe nuk ka dyshim në ato, dhe komentimi i cili është bërë në kohën e Pejgamberit s.a.v.s., i cili është obligativ deri në ditën e kiametit. Ndërsa, mrekullitë tjera të Kur’anit ia shtojnë njeriut të kuptuarit. Çdo herë kur shkenca ecën përpara, Allahu zbulon fakte në tokë. Nga këtu, pjesa e Kur’anit e këtij drejtimi është pjesë vazhduese dhe nuk përfundon asnjëherë. U ka dhënë gjeneratave para nesh dhe do t’u japë gjeneratave që do të vijnë pas nesh. Pra, Kur’ani është burim i pashtershëm i fakteve deri në ditën e kiametit. Anët e mrekullisë së Kur’anit janë të pranishme në çdo kohë dhe në çdo vend dhe në ditët e ardhshme do të bëhet zbulimi i disa ajeteve, të cilat ne nuk kemi mundur t’i kuptojmë plotësisht.
Muhamedi s.a.v.s nuk e ka komentuar Kur’anin në tërësi, gjatë jetës së tij, sepse atëherë do të kishin qenë pasive mrekullitë shkencore të llojllojshme. Mirëpo, ajetet e dispozitave dhe të sheriatit janë shpjeguar për arsye se obligueshmëria duhet të jetë e qartë dhe e saktë.
Pra, fusha e gjithëpërfshirjes së Kur’anit është burim i pashtershëm i të rejave të llojllojshme dhe të mrekullueshme. Ai i cili e mohon një tekst të qartë dhe të prerë të Kur’anit, është pabesimtar; edhe në çështjet e ajeteve, të cilat tregojnë qartë mrekullitë hyjnore të gjithësisë, të mendimit, mendjet duhet patjetër të kuptojnë, edhe pse secili e kupton në rrugën dhe mënyrën e vet në veçanti. Përfundimi del se nuk guxohet të preket në çështjet e akides, besimit dhe imanit të plotë, në Allahun e Lartmadhëruar. Kjo është ana, e cila ripërtërihet kohë pas kohe, shekull pas shekulli, gjeneratë pas gjenerate, pra ana e të kuptuarit mendor të Kur’anit.
–
Muhamed Muteveli Esh-Shaëravi Përktheu: Dr. Musli Vërbani Shkëputur nga “Fetva”