Lufta e Uhudit

Lufta e Uhudit

Ishte viti i tretë i hixhretit.

Prijësi i Mekës Ebu Sufjani përgatiti një ushtri prej tre mijë ushtarësh.

U nis për në Medinë që të luftoj kundër muslimanëve që të hakmerrej për luftën e Bedrit.

Gjatë rrugës atyre iu bashkuan edhe fiset “Tehame” dhe “Kenane”.

Kur Muhamedi a.s. e kuptoi këtë, bisedoi me shokët e tij dhe mori vendim që të dalë në pritë për t’u mbrojtur prej pabesimtarëve.

Numri i muslimanëve për luftë në këtë kohë ishte njëmijë.

Me njëmijë vetë doli Muhamedi a.s. prej Medine.

Në mesin e tyre ishte prijësi i munafikëve dhe spiunëve të Medines Abdullah bin Seluli.

Abdullah bin Seluli në mes të rrugës me treqind vetë u ndal dhe u nda prej muslimanëve.

Numri i muslimanëve mbeti në shtatëqind vetë.

Muhamedi a.s. arrin në kodrën e Uhudit.

I urdhëroi shtatëdhjetë shenjëtarë me shigjeta të vendosen aty dhe u tha që në asnjë mënyrë të mos e lëshojnë atë vend por vetëm të qëndrojnë në mbrojtje të shpinës së muslimanëve.

Beteja filloi.

Muslimanët në përleshjen e parë korrën fitore, ushtria e pabesimtarëve filloi të zmbrapset.

Por, shigjetarët që ishin të vendosur në kodrën e Uhudit nuk e dëgjuan urdhrin e Muhamedit a.s., por e lëshuan kodrën dhe vrapuan pas pasurisë së luftës.

Edhe muslimanët tjerë e harruan qëllimin se ishin duke luftuar në rrugën e Allahut dhe vrapuan pas pasurisë së kësaj bote.

E kundërshtuan urdhrin e Allahut dhe të dërguarit të Tij, për këtë arsye edhe pse fitorja ishte në duart e tyre ata pësuan disfatë.

Halid Ibn Velidi prijës i kalorësisë së pabesimtarëve ishte përgatitur më herët dhe pas kodrës së Uhudit befas iu bie pas shpine muslimanëve.

Kështu ata u detyruan të ngjiten në malet e larta për të shpëtuar dhe duke lënë pas vete shumë të vrarë.

Në mesin e tyre ishte edhe Hamza, axha i Muhamedit a.s.

Muhamedi a.s. pastaj mblodhi ushtrinë e tij dhe iu afrua Medinës që ta mbrojë atë.

Ebu Sufjani tentoi që të shpërthejë frontin dhe të hyjë në Medine, mirëpo nuk ia arriti. Kështu ai u detyrua të kthehet në Mekë, ndërsa Muhamedi a.s. u kthye në Medinë me muslimanët.

Dr. Musli Vërbani

“365 tregime për fëmijën tuaj brenda 12 muajve të vitit”

Lini një koment