Thika nuk e pret Ismailin a.s.
Pasi kishte shpëtuar Ibrahimi a.s. nga zjarri, iu lut Zotit:
“O Zoti im, më jep një djalosh të mirë dhe fisnik.”
Zoti i Madhëruar ia pranoi lutjen dhe me Haxheren i lindi një djalë i mirë.
Djalin e quajti Ismail.
Kur u rrit e donte shumë.
Ia mësonte atij namazin.
Kishte kujdes, e edukonte.
Ismaili ishte djalë shumë i mirë.
Ishte i zgjuar dhe i sjellshëm.
I shkonte përshtati babës së tij.
Ibrahimi a.s. kishte parë ëndërr duke e bërë djalin kurban.
Në fillim mendoi se mos ishte ndërhyrje e shejtanit në ëndrrën e tij.
Ëndërr të njëjtë sheh për herën e dytë.
Edhe për herën e tretë e sheh të njëjtën ëndërr.
Atëherë e kuptoi se ishte urdhër prej Zotit të Madhëruar, sepse ëndrrat e pejgamberëve janë realitet.
Shkoi te djali e i tha:
– O biri im, vazhdimisht po shoh ëndërr duke të të bërë kurban ty. Shiko, çka thua ti?
Ismaili me bindje të fortë e plot iman, tha:
– O baba im, vepro ashtu siç je urdhëruar. Nëse dëshiron Zoti do të jem prej durimtarëve të vërtetë e do të sakrifikohem për Zotin e Madhëruar pa u hamendur fare.
U përgatit babai që ta pres djalin.
Ia lidhi duart.
E rrëzoi për tokë.
E mori thikën e ia vuri në fyt.
Në atë moment Xhibrili ia solli një dash Ibrahimit e i tha:
Preje kurban dashin në vend të djalit.
Ti, tashmë e ke realizuar ëndrrën tënde.
Kështu Zoti i shpërblen bamirësit.
Kjo me të vërtetë është sprovim i fortë.
—
Dr. Musli Vërbani
“365 tregime për fëmijën tuaj brenda 12 muajve të vitit”