Dr. Musli Vërbani
Specifikimi i përgjithësuesit me Sunet
Lejohet specifikimi i përgjithësuesit me sunet pa marrë parasysh se ai specifikim a është i ngjitur me tekstin e përgjithshëm apo është i mëvonshëm nga teksti i përgjithshëm.
Shembull i specifikimit të mëvonshëm nga suneti mutevatir i Pejgamberit s.a.v.s. Zoti i Lartmadhëruar në Kur’an thotë:
“Ju është bërë obligim kur ndonjërit prej jush i vjen vdekja, nëse lë pas vete pasuri, të lërë vasijet për prindërit dhe të afërmit me mirësi”.
Ky ajet është i përgjithshëm dhe e lejon testamentin për trashëgimtarët dhe jotrashëgimtarët.
Suneti pejgamberik e ka specifikuar Kur’anin kur Muhamedi a.s. ka thënë:
“Nuk ka testament për trashëgimtarin”.
Në bazë të hadithit të lartpërmendur nuk lejohet testament për trashëgimtarët sepse është specifikuar me hadithë.
Specifikimi i përgjithësuesit me veprat e të dërguarit s.a.v.s.
Nëse ndodh ndonjë vepër që është në kundërshtim me fjalën, të cilën e ka thënë në mënyrë të përgjithshme, që ka të bëjë me të gjithë të ngarkuarit tjerë, kjo tregon obligueshmërinë e specifikimit të asaj vepre, pra kalon prej përgjithësuesit në specifikues.
Shembull:
Thënia e Zotit të Lartmadhëruar: “Allahu ju urdhëron për fëmijët tuaj (që të trashëgojnë), që për mashkullin të jetë pjesa sa e dy femrave; nëse janë më shumë se dy femra, atyre u takojnë dy të tretat (nga trashëgimia)”.
Kjo është specifikuar me veprimin e Pejgamberit s.a.v.s., sepse ka lejuar që dy vajzat e Sead bin Rebias të trashëgojnë dy të tretat.
Veprimi i Muhamedit a.s. tregon se ajeti ka pasur për qëllim më shumë se dy femra.
Shembull tjetër:
Thënia e Zotit të Lartmadhëruar:
“Dhe mos ju afroni atyre deri sa të pastrohen”.
Pjesa e ajetit “mos ju afroni” specifikon vetëm marrëdhëniet intime.
Argument:
Argument për këtë është veprimi i Muhamedit a.s.
Pejgamberi s.a.v.s. u është afruar bashkëshorteve gjatë menstruacioneve por nuk ka kontaktuar intimisht.
Të afruarit me bashkëshorten, por jo në organin seksual, është i lejuar.
Aishja dhe Mejmunja kanë thënë:
“Kur isha me menstruacione e Pejgamberi s.a.v.s. dëshironte të na afrohej, na urdhëronte që të jemi të veshura (prej kërthizës e deri në gjunjë) dhe na afrohej”.