Dr. Musli Vërbani Shkëputur nga: "Besimi në librat e Zotit"
Inxhili
Ditën që lindi Isa a.s. i tha popullit të vet: Unë jam rob i Allahut! Ai ka caktuar të më japë libër (INXHILIN) e të më bëjë pejgamber.
Kur Isa a.s. i mbushi tridhjetë vjet iu zbrit Inxhili.
Isa a.s. u dërgua pejgamber për të vërtetuar librin e Musait a.s. Tevratin dhe ardhjen e pejgamberit tonë Muhamedit a.s.
Zoti i Madhëruar këtë e tregon në Kur’anin fisnik:
“Dhe, kur Isai, biri i Merjemes, tha: O të bijtë e Israelit, unë jam i dërguari i Allahut te ju, jam vërtetues i Tevratit që ishte para meje dhe përgëzues për një të dërguar që do të vijë pas meje, emri i të cilit është Ahmed”. (SAFF, 6)
Zoti i Lartmadhëruar po ashtu në Kur’an tregon kështu:
“Ne vazhduam gjurmët e tyre (të Pejgamberëve) me Isain, birin e Merjemes, vërtetues i Tevratit që kishin më parë. Atij i dhamë inxhilin, që është udhëzim i drejtë dhe dritë, që ishte vërtetues i Tevratit që kishin pranë që ishte udhëzues e këshillues për të devotshmit”.(EL-MAIDE, 46)
Mirëpo beni Israilët nuk e kanë zbatua as Tevratin, as Inxhilin e nuk dëshirojnë ta zbatojnë as Kur’anin, ata i kanë pasuar epshet e veta, ata kanë fshirë, e kanë deformua dhe kanë humbur atë që është zbritur prej Zotit të Madhëruar në Tevrat dhe Inxhilë.
Zoti i Lartmadhëruar në Kur’anin fisnik thotë:
“Dhe, sikur ta zbatonin Tevratin, Inxhilin dhe Kur’anin që u zbritën nga Zoti i tyre, ata do të kishin furnizim me bollëk nga qielli dhe nga toka”. (EL-MAIDE, 66)
Bibla e cila përbëhet prej ungjijve nuk ka lidhje me Inxhilin origjinal i cili i është zbritur Isait a.s.
Një hebre me emrin Pavli, duke shtuar gënjeshtrat e veta ka shkruar ungjij të ndryshëm. Më vonë janë paraqitur shumë e shumë ungjij fals sa që numri i tyre ka arritur deri në tetëqind. Në vitin 313 ungjijtë e tjerë nuk janë pranuar përpos katër prej tyre e ato janë:
- Ungjilli sipas Lukës
- Ungjilli sipas Joanit
- Ungjilli sipas Markut dhe
- Ungjilli sipas Mateut.
Sot ekziston edhe Ungjilli sipas Bernabës.