Dr. Musli Vërbani Shkëputur nga: "Besimi në librat e Zotit"
Emrat e Kur’anit
Kur’an është emër i përveçëm i Librit të Allahut. Mirëpo përpos këtij emri Zoti i Lartmadhëruar e ka emërtuar edhe me emra të tjerë të cilët tregojnë veçantitë e Kur’anit.
Prej emrave të Kur’anit janë:
- EL-KITAB
El-Kitab d.m.th. libër, sepse libri është vendi ku tubohen shkronjat, e shkronjat formojnë fjalë, e fjalët formojnë fjali. Për këtë Zoti i Lartmadhëruar thotë:
“Ha, Mimë. Pasha Librin e qartë”. (ED-DUHAN, 1-2)
- EL-FURKAN
El-Furkan d.m.th. dallues në mes dy çështjeve e në këtë rast ka për qëllim “dallues i së mirës nga e keqja, dallues i së drejtës nga e padrejta”.
Zoti i Lartmadhëruar thotë:
“Qoftë i lartësuar Ai (Allahu) i cili ia ka zbritur FURKANIN (dalluesin e së drejtës nga e padrejta) robit të Tij, për të qenë qortues për gjithë njerëzimin”. (EL-FURKAN, 1)
- EDH-DHIKR
Edh-Dhikr d.m.th. Përkujtues. Zoti i Lartmadhëruar Thotë: “Ky është dhikri (përkujtuesi) i bekuar”. (EL-ENBIJA, 50)
- TENZILË
Et-Tenzilë d.m.th. Zbritje. Thotë Zoti i Lartmadhëruar:
“Dhe vërtet kjo është zbritje nga Zoti i botëve. E ka zbritur nëpërmjet shpirtit (Melekut) i cili është besnik”. (ESH-SHUARA, 192-193)
- EL-VAHJ
El-Vahj d.m.th. frymëzim, inspirim. Zoti i Lartmadhëruar thotë:
“Thuaj: “Vërtet unë ua kam tërhequr vërejtjen me vahjin (me inspirimin e Zotit)”. (EL-ENBIJA, 45)
- EL-KASAS
El-Kasas d.m.th. tregim i një realiteti Zoti i Lartmadhëruar thotë:
“Vërtet ky është tregim real dhe i pamohueshëm”. (ALI IMRAN, 62)
- ERR-RRUH
Err-rruh d.m.th. shpirt. Zoti i Lartmadhëruar thotë:
“Dhe Ne kështu të kemi frymëzuar ty me shpirtin (RUHIN) me urdhërin Tonë”. (ESH-SHURA, 52)