Dr. Musli Vërbani
A konsiderohet çdo risi bid’at dhe a është çdo bid’at devijim?
Edhe pse dijetarët kanë dhënë mendime të ndryshme rreth terminologjisë së bid’atit, në përgjithësi bid’ati determinohet si veprim i cili nuk është vepruar në kohën e pejgamberit s.a.v.s. Po ashtu, bid’ati mund të formulohet edhe kështu: çdo veprim, ngjarje, ndodhi apo shprehi e cila nuk është në Kur’an, sunet dhe ixhmaë.
Mendimet e dijetarëve rreth asaj se çka konsiderohet bid’at sillen rreth këtyre çështjeve:
- A konsiderohet bid’at çdo ngjarje, ndodhi apo shprehi e cila nuk është në Kur’an, sunet dhe ixhmaë, pa marrë parasysh a ka të bëjë edhe me adhurime dhe traditë?
- A konsiderohet bid’at çdo ngjarje, ndodhi apo shprehi e cila nuk është në Kur’an, sunet dhe ixhmaë, vetëm në adhurime dhe jo në traditë? Me fjalë tjera, sipas kësaj veprimi konsiderohet bid’at vetëm kur është e natyrës së adhurimit (ibadat).
- A konsiderohet bid’at çdo ngjarje, ndodhi apo shprehi e cila nuk është në Kur’an, sunet dhe ixhmaë, pa marrë parasysh a është veprim i lavdëruar apo i përbuzur?
Bid’ati i përbuzur dhe bid’ati i lavdëruar
A konsiderohet bid’at çdo ngjarje, ndodhi apo shprehi e cila nuk është në Kur’an, sunet dhe ixhmaë, pa marrë parasysh a është veprim i lavdëruar apo i përbuzur.
Ata të cilët nuk e pranojnë bid’atin (e lavdëruar) argumentohen me ajetin kur’anor:
“Sot e kam përsosur për ju fenë tuaj dhe në të i kam përmbledhë dhe plotësuar begatitë e mia dhe jam i kënaqur që ju tani fe e keni islamin.” (Suretul Maide : 3).
Po ashtu thënien e Muhamedit a.s.: “… çdo shpikje është bid’at, çdo bid’at është devijim dhe çdo devijim shpie në zjarr.”
Mirëpo pjesa e hadithit: “Çdo shpikje është bid’at”, ka për qëllim çdo veprim dhe praktikë e cila është në kundërshtim me bazat e sheriatit dhe e cila nuk është në përputhshmëri me sunetin e Muhamedit a.s.
Po ashtu janë argumentuar edhe me hadithin tjetër të Muhamedit a.s.: “Ai që shpik diçka në këtë fe diçka që s’është pjesë e saj, do të jenë të refuzuar.”
E vërteta është se ky hadithë nuk tregon se çdo bidat është devijim në të gjitha veprimet dhe aktivitetet sepse bid’ati ndonjëherë është i lavdëruar, e ndonjëherë është i përbuzur, kur dihet se në një hadithë Muhamedi a.s. ka thënë:
“Kush vendos një praktikë të mirë, do të ketë shpërblim për të çdo herë që e vepron ndokush atë praktikë gjatë jetës së tij dhe pas vdekjes derisa të mos punohet ai veprim, dhe,
kush e vendos një praktikë të keqe do të bart mëkatin e saj, derisa të mos veprohet ai veprim.”
Thënia e Muhamedit a.s. “një praktikë e mirë” d.m.th. një rrugë e pranuar të cilën e ndjekin njerëzit.
Hadithi tregon se ka veprime, praktika dhe veprime të mira ashtu siç ka veprime dhe praktika të këqija.
Dallimi në mes të veprës së mirë dhe të keqe varet prej asaj se ai veprim a përputhet apo nuk përputhet me bazat e sheriatit, pra kandari i vërtetë i përcaktimit të bidatit në të lavdëruar apo të përbuzur është sheriati.
Bid’at i mirë (i lavdëruar) – është ajo që është në harmoni me bazat e sheriatit, edhe nëse kjo është një çështje e re e cila është brenda rregullave të sheriatit dhe kuptimit të përgjithshëm të ajeteve dhe haditheve. Për këtë arsye, ajo vepër quhet e mirë dhe ka shpërblim dhe shpërblimi vazhdon edhe pas vdekjes.
Bidat i keq (i përbuzur) – është ai veprim apo ajo praktikë e cila është në kundërshtim me rregullat e sheriatit, pra veprimet dhe praktikat e këtij lloji janë bid’at i përbuzur dhe i devijuar.
Dallimi ndërmjet bid’atit të mirë dhe bid’atit të keq:
- ajo që nuk është pjesë e fesë dhe që është në kundërshtim me rregullat e sheriatit, ai veprim dhe ajo praktikë konsiderohet e refuzuar dhe e devijuar;
- ajo që është pjesë e fesë dhe ka mbështetje në parimet e fesë është e pranueshme dhe është një veprim dhe praktikë e mirë.
- ajo që përputhet me Kur’anin dhe me sunetin është e lavdëruar.
- ajo çka është në kundërshtim me atë që ka urdhëruar Allahu dhe i dërguari i tij, ai veprim dhe ajo praktikë llogaritet bid’at i përbuzur.
- ajo çka është brenda kornizës të cilën Allahu e ka konsideruar të pëlqyer dhe ka Allahu dhe i dërguari i Tij kanë nxitur drejt saj, atëherë ai veprim apo praktikë bën pjesë brenda kornizës së lavdërimit.
- ajo çka është në kundërshtim me atë që ka urdhëruar Allahu dhe i dërguari i Tij. Ai veprim apo ajo praktikë llogaritet bid’at përbuzëz.
Bid’ati, sikurse edhe çështjet tjera ndahet në:
- bid’at vaxhib (obligativ);
- bid’at haram (të ndaluar);
- bid’at mendub (i pëlqyer);
- bid’at mekruh (i urryer);
- bid’at mubah (i lejuar).
Bidati vaxhib – mësimi, aktiviteti gramatikor i gjuhës arabe, pa të cilin aktivitet nuk mund të kuptohet fjala e Allahut dhe të dërguarit të tij.
Pse është vaxhib (obligativ) bid’ati i të mësuarit të gramatikës së gjuhës arabe?
Përgjigjja: Për t’u ruajtur dhe për t’u siguruar sheriati, është i patjetërsueshëm mësimi i gjuhës arabe. Përveç kësaj, rregull e fikhut është: Veprimi me të cilin plotësohet obligimi është obligim. Umer ibn Hattabi r.a. ka thënë: “Mësojeni gjuhën arabe se mësimi i saj e zhvillon mendjen dhe moralin.”
Bid’ati haram – është haram të debatohet për çështjen e kaderit. Debat i cili shkakton dhënie të mendimit pa njohuri sepse kaderi i Zotit është çështje e panjohur për njeriun.
Bid’ati mendub – prej bid’atit të pëlyer është themelimi i institucioneve arsimore në të gjitha nivelet arsimore.
Bid’at i pëlqyer është edhe falja e namazit të teravive në xhami me imam (me xhemat). Kur Umeri r.a. i ka parë sehabet të bashkuar për namaz të teravive në ramazan në xhami pas një imami, ka thënë: “Sa i mirë është ky bid’at!”
Bid’ati mekruh – zbukurimi i tepërt i xhamive.
Bid’ati i lejuar – është llojllojshmëria me ushqime, në veshmbathje, etj.