Detyrat ndaj të vdekurit
Çka duhet të veprohet nëse vdes ndonjë familjar?
Ndaj të vdekurit kemi farze, sunete dhe mustehabe.
Në të shumtën e rasteve dhe në jetën e përditshme është bërë traditë që më shumë i jepet përparësi suneteve dhe mustehabeve se sa farzeve të së njëjtës çështje, ndërsa do të duhej që në rend të parë të kryheshin farzet, pastaj sunetet dhe pastaj mustehabet.
Në rast se vdes ndonjë familjar, atëherë rezultojnë këto farze (obligime):
- Larja e xhenazes, falja e namazit të xhenazes dhe varrimi;
- Kryerja (larja) e borxheve;
- Zbatimi i testamentit;
- Trashëgimia (ndarja e trashëgimisë/pasurisë).
E para:
Larja e xhenazes dhe varrimi.
Prej pasurisë së të vdekurit kryhen shpenzimet e larjes së xhenazes (gusuli), i cili është farz, si dhe bëhet varrimi.
Të gjitha shpenzimet të cilat kanë të bëjnë rreth përgatitjes si gusuli (pastrimi), kefini (qefini) dhe varrimi, duhet të jenë drejtpërsëdrejti nga pasuria e të vdekurit (e jo nga shpenzimet e familjarëve të tij). Nëse nuk ka pasuri, atëherë vjen në pyetje pasuria e familjarëve ose e shoqërisë.
E dyta:
Kryerja (larja) e borxheve.
Nëse i vdekuri ka borxhe, e tërë pasuria e tij shpenzohet në kryerjen e borxheve dhe pas kryerjes së borxheve zbatohet testamenti dhe në fund ndahet pasuria e tij, me fjalë tjera trashëgohet nga të afërmit.
Borxhet ndahen në dy lloje:
- Borxhet ndaj Allahut;
- Borxhet ndaj njerëzve.
Borxhet ndaj Allahut janë: si p.sh.: zekati, haxhi, përbetimi, etj.
Nëse atë vit i vdekuri nuk e ka dhënë zekatin, në rend të parë jepet zekati prej pasurisë së tij.
Nëse atë vit e ka pasur obligim haxhin, ndahen mjete prej pasurisë së tij dhe dërgohet zëvendësim (bedel) për haxh.
Nëse është përbetuar se: “do të presë një kurban nëse Zoti i mundëson diçka”, e atë vit Zoti ia ka mundësuar atë, mirëpo ky nuk e ka prerë kurbanin e përbetimit, atëherë prej pasurisë së tij pritet një kurban (i përbetimit).
I përmenda këto borxhe sa për ilustrim, por të gjitha borxhet të cilat kanë të bëjnë ndaj Allahut duhet t’i kryhen të vdekurit.
Borxhet ndaj njerëzve.
Para se të varroset i vdekuri, familjarët duhet të angazhohen që çdo kujt të cilit i ka pasur borxh i vdekuri të për t’ia kryer (ose së paku të kërkojnë një afatizim). Kuptohet, borxhi kryhet prej pasurisë së të vdekurit dhe atë para se të kryhet trashëgimia dhe të zbatohet testamenti. Zoti i Lartmadhëruar në ajetin e trashëgimisë thotë: “…(Kjo e drejtë në trashëgim bëhet) pasi të kryhet testamenti (vasieti) që ka lënë dhe pasi të kryhet borxhi…” (En Nisa : 11)
Kur Muhamedi a.s. ka prezantuar në faljen e namazit të xhenazes së një të vdekuri ka parashtruar pyetjen se a i ka pasur borxh dhe a i është kryer borxhi, e nëse i vdekuri kishte ndonjë borxh, Muhamedi a.s. ka thënë “Faljani ju namazin e xhenazes vëllait tuaj.” (Buhariu). Muhamedi a.s. u ka thënë tjerëve që t’ia falin namazin e xhenazes, por vetë nuk ka prezantuar në atë namaz, e kjo për t’i treguar muslimanëve rëndësinë e larjes së borxhit edhe për së gjalli, por edhe pas vdekjes, sa që në një hadith ka thënë: “Shpirti i besimtarit është i varur (në mes qiellit dhe tokës) deri sa t’i lahet borxhi.”
E treta:
Zbatimi i testamentit.
Në kushtetutat njerëzore, fjala testament ka zënë vendin e fjalës trashëgimi edhe pse ka dallim të madh në mes të së drejtës trashëgimore dhe asaj testamentare. Në kohë të fundit thuhet trashëgimia testamentare, por trashëgimia është farz dhe në të nuk ka të drejt as i vdekuri, ndërsa testamenti është dhuratë e të vdekurit, i cili e ka lënë sa ka qenë gjallë, në mënyrë që ai testament (dhuratë) të zbatohet pas vdekjes së tij.
Me fjalë tjera, një e treta e pasurisë (mundet edhe më pak) është e drejtë testamentare, ndërsa dy të tretat janë e drejtë trashëguese dhe kjo zbatohet pasi që të kryhen borxhet e të vdekurit. Kështu pra, nëse i vdekuri ka lënë testament më shumë se një e treta, atëherë zbatohet si testament vetëm një e treta, më shumë jo. Zoti i Lartmadhëruar në ajetin e trashëgimisë thotë: “… pas testamentit të porositur ose borxhit, duke mos dëmtuar (trashëguesit)…” (En Nisa : 12)
E katërta:
Trashëgimia.
Trashëgimia prej të vdekurit është farz dhe mënyra e trashëgimisë sipas islamit quhet feraid (farz).
Pasi t’i kryhet borxhi dhe pasi t’i zbatohet testamenti, atëherë çka mbetet pas prej pasurisë së tij trashëgohet, me fjalë tjera, duhet të fillojë menjëherë procedura e trashëgimisë ashtu siç e ka paraparë Allahu i Lartmadhëruar në librin e Tij dhe të cilat i ka shpjeguar i dërguari i Allahut – Muhamedi s.a.v.s..
Mustehab është që nga pasuria e të vdekurit, para trashëgimisë me u dhënë dhurata apo sadaka të varfërve (jo trashëgimtarëve), të gjorëve dhe jetimëve.
Pasi të kryhen këto detyra dhe obligime ndaj të vdekurit, atëherë vazhdohet me sunetet dhe me mustehabet që kanë të bëjnë me të vdekurin.
Eselamualejkum, Hoxhë i nderuar, mësime shumë te dobishme. Allahu të shpërbleftë.
Ibrahim Kahrimani
Kahrimani@gmail.com
PëlqejeniPëlqejeni