KOSOVA ISLAME DHE ISLAMI NË KOSOVË
Prej epokës së themelimit të shteteve në botë, Kosova është një prej shteteve me të reja. Deri më sot ende nuk ka ulëse në OKB edhe pse e kanë pranuar më shumë se gjysma e shteteve të OKB-së. Si shtet, gjeografikisht është pjesë e Evropës. Edhe pse është shtet Evropian, Kosova është shtet me popullsi muslimane dhe këtë fakt askush nuk mund ta mohojë. Sistemi i ri botëror është i ndërtuar mbi bazën e ideologjisë Laiciste. Dihet se Laicizmi është i ndërtuar mbi bazën e ndarjes së fesë nga shteti. Laicizmi tenton që feja të mos e marrë qeverisjen shtetërore, por feja lejohet që të jetojë brenda shtetit.
Islami është ofertë dhe konkurrues i çdo sistemi në botë për rregullimin e dhe organizimin e jetës së njeriut sa më mirë në këtë botë dhe fitimin e lumturisë në botën tjetër dhe paraqitjen e ofertës e paraqet me argumente shkencore dhe në nivel shkencorë.
Është e vërtetë se islami mund të bashkëjetoj në shtet laik sepse Kur’ani na tregon për pejgamber të cilët kanë qenë vetëm pejgamber dhe jo udhëheqës, pra pejgamberi dhe përkrahësit e tij kanë jetuar në qeveri ku ai dhe përkrahësit e tij kanë qenë vetëm qytetarë.
Po ashtu Kur’ani na tregon edhe për pejgamber që kanë qenë edhe pejgamber edhe udhëheqës (Qeveritarë), pra pejgamberi ka qeverisur vendin.
Po ashtu Kur’ani na tregon edhe për pejgamber i cili ka qenë pejgamber, udhëheqës edhe inxhinier siç është rasti i Dhulkarnejnit.
Muhamedi a.s., i cili është i dërguari i fundit dhe vula e pejgamberëve gjatë periudhës së pejgamberisë së tij ka kaluar në dy etapa:
- Në etapën e Mekës ku ka qenë vetëm pejgamber pra nuk ka qenë qeveritar; dhe
- Në etapën e Medinës ku ka qenë edhe pejgamber, udhëheqës (Qeveritar), pra ka qeverisë në shoqërinë Medinase.
Feja Islame nuk është fe vetëm e adhurimit por është fe e adhurimit dhe veprimit, fe e jetës së të dy botëve.
Feja Islami i rregullon raportet:
– Njeri-Krijues (këtu hyjnë adhurimet);
– Njeri-Njeri (këtu hyjnë raportet brenda shoqërisë, e edhe raporti qeveri-qytetar)
– Njeri-Njeri-Krijues (këtu hyjnë raportet shoqëri-qeveri-Krijues).
Feja islame nuk është fe e cila manifestohet vetëm në privatësi, por është fe që përmban obligime si individuale po ashtu edhe shoqërore apo të përbashkëta.
Duhet cekur se të drejtat e njeriut për islamin janë detyrë dhe përgjegjësi qoftë nga qeveria qoftë nga qytetari. Kështu që detyrë e fesë islame është që të rregullon të drejtat dhe domosdoshmëritë vitale të njeriut, e ato janë:
- Ruajtja e integritetit fetar.
Këtu kemi të bëjmë me të drejtën elementare të lirisë fetare dhe sigurimit fetar; - Ruajtja e integritetit personal.
Këtu kemi të bëjmë me të drejtën elementare të sigurimit të jetës së njeriut. Me fjalë tjera sigurimin dhe garancinë jetës së qytetarit; - Ruajtja e integritetit të nderit dhe familjes.
Këtu kemi të bëjmë me të drejtën elementare të sigurimit familjar-kombëtar. - Ruajtja e integritetit të mendjes.
Këtu kemi të bëjmë me të drejtën elementare të sigurimit fiziko-psikik në politikën arsimore, kulturore, edukative. - Ruajtja e integritetit të pasurisë.
Këtu kemi të bëjmë me të drejtën elementare të sigurimit të pasurisë.
Parimet universale që burojnë nga feja islame janë: barazia, liria, toleranca dhe demokracia.
- Barazia – Kur’ani dhe Muhamedi a.s. na kanë mësuar se i gjithë njerëzimi buron prej një babe dhe prej një nëne. Kjo tregon se të gjithë njerëzit janë një familje e madhe. Islami nuk njeh racë apo etni superiore/inferiore. Njerëzit dallohen sipas veprave të tyre dhe jo sipas gjakut apo ngjyrës së tyre.
- Liria – Njerëzit, janë të lirë të lëvizin, shprehen, punojnë, shkollohen, martohen, etj., pavarësisht bindjeve të tyre fetare, etnisë, racës apo statusit shoqëror.
- Toleranca – Njerëzit janë të lirë të besojnë atë që duan të besojnë, e kjo argumentohet me ajetet kur’anore:
“Nuk ka dhunë në fe.” (El Bekare : 156);
“Ju e keni fenë tuaj dhe unë e kam fenë time.” (El Kafirunë : 7)
- Demokracia – Udhëheqësit shtetëror duhet të jenë të afërt me popullin. Të kujdesen se e kanë miratimin e tyre, dhe duhet që të konsultohen me to. Argument për këtë është thënia e Zotit të Lartmadhëruar: “…dhe konsultohen në mes vete.”, si dhe thënia e Muhamedit s.a.v.s.: “…dhe konsultohu për thellësinë e çështjes.”. E për këtë dëshmon edhe historia islame, ku vërejmë se udhëheqësit gati asnjëherë nuk kanë qenë të lirë në fushëveprim, por çdo herë janë varur nga dijetarët dhe reagimi qytetar.
Mendohet që feja islame duhet të merret vetëm me çështjet e adhurimit por e vërteta është se Feja islame nuk merret vetëm me adhurim por është edhe sistem i jetës. Islami nuk i rregullon vetëm marrëdhëniet e njeriut me Zotin e tij, ku bëjnë pjesë namazi, agjërimi, zekati, haxhi e të ngjashme. Por Islami është sistem i jetës në bazë të asaj se i rregullon marrëdhëniet reciproke ndërmjet njerëzve, raportet e individit me individin, raportet e individit me shoqërinë, si dhe raportet e një shoqërie me një shoqëri tjetër. Këto në fikhun islam quhen Muamelat.
Islami është fe absolute (gjithëpërfshirëse) që do të thotë nuk merret vetëm me njohjen e Krijuesit por edhe me nënshtrimin ndaj Tij.
Ka pasur shumë vende në të kaluarën sikurse do të ketë edhe në të ardhmen të cilat i ngjajnë rastit të tregimit të suretul Kehf pra tregimit të Musa a.s. me rastin e udhëtimit me shokun e tij (Hidrin), mirëpo, në fund, Hidri, ia tregoi fshehtësitë e tregimit, me fjalë tjera fshehtësinë e udhëtimit të jetës dhe jo vetëm fshehtësinë e atij udhëtimi. Hidri, e ka dëmtuar anijen e banorëve të cilët e siguronin jetesën me transport të njerëzve dhe me qarkullimin e mallrave me anije për ta shpëtuar tërësinë e anijës.
Musa a.s. i thotë: “Ti ke vepruar punë të keqe”.
Hidri (në kohë të sodit përdoret termi-Lidershipi) i përgjigjet : “Sa i përket anijes, po pas tyre ka qenë një mbret i cili uzurponte çdo anije në gjendje të mirë dhe e dëmtova.”
Hidri e ka dëmtuar me qëllim që mbreti ta shihte si anije të panevojshme dhe ta anashkalonte, e pastaj banorët ta riparonin dëmin e anijes dhe të vazhdonin sigurimin e jetesës po me atë anije. Për banorët e atij vendit më mirë do të ishte që të mbetej anija me defekte e cila mund të riparohej se sa të mbeteshin pa mjet transportimi dhe pa anije.
Nuk duhet të humbet tërë anija (vendi) duke mos lejuar kompromise. Në shumë raste diçka duket e keqe, por pas një kohe del se ka qenë në dobi të mëvonshme.
Po ashtu kemi rastin e Dhulkarnejnit a.s. i cili e ndërtoi pendën për të shpëtuar një popull nga një popull mizor. A thua a nuk ishte ky një veprim dhe si një mësim se si duhet vepruar dhe si duhet mbrojtur prej popullit kriminel!?.
Rast tjetër kemi edhe rastin e Ibrahimit a.s. i cili i kishte thënë popullit të vet se ishte i sëmurë edhe pse nuk ishte i sëmurë vetëm e vetëm për të mos shkuar për t’i adhuruar idhujt.
Në botë, në kohëra të ndryshme dhe në vende të ndryshme na paraqiten raste të ngjashme si të Ibrahimit a.s. me babën e tij, pastaj me familjen e tij, pastaj me popullin e tij. Jeta dhe veprimtaria e Ibrahimit a.s është mësim për tjerët sepse Kur’ani na mëson për jetën ashtu siç na ka mësuar për adhurimin.
Nëna e Musait a.s. është shembulli më i mirë, që tregon se si zgjidhjet ndonjëherë janë të dhimbshme. Ajo me dhembjen e saj të thellë e hodhi djalin e saj (Musa a.s) me sënduk në lum, e që sënduku të lundronte deri te kështjella e Firaunit, e që më pastaj të shkoj te Firauni dhe të lajmërohet për t’i dhënë gji fëmijës të saj pa e ditur Firauni se është fëmija i saj. Ajo e qetësoi veten e saj dhe e ushqeu fëmijën e saj. A thua, a nuk ishte kjo një veprim prej së cilës duhet të marrim mësim apo ndoshta ngjarjet e Kur’anit duhet treguar vetëm si ngjarje të rëndomta pa i analizuar dhe pa i logjikuar!?.
Zoti i Lartmadhëruar në Kur’an ka thënë:
“Dhe Ne në këtë Kur’an kemi sjellë shembuj për çdo rast.”
Kur’ani për çdo çështje ka paraparë zgjidhje.
Musa a.s. përfaqëson popullin i cili është ngritur kundër qeverisjes së keqe. Zoti i Madhëruar thotë:
“Ne Musain e kemi dërguar me mrekullitë Tona dhe me argumente të qarta te Firauni, Hamani dhe Karuni, por ata thanë: – Është magjistar dhe gënjeshtar.” (El-Muëminunë : 23, 24)
Feja Islame mundëson realizimin e të drejtave individuale dhe kolektive. Feja Islame ka të bëjë me njeriun, ambientin dhe natyrën.
Islami është sistem parlamentar. Parlamenti vepron në bazë të Kushtetutës ashtu edhe Parlamenti mund të veproj në bazë të Sheriatit. Duhet ditur se Sheriati është Kushtetutë por Kushtetuta e sheriatit bazohet në Kur’an dhe në argumentet tjera islame. Qeveria e ka për obligim që të konsultohet me ekspertët e të gjithë lëmenjve. Kuvendi dhe sistemi parlamentar është çështje themelore në Islam. Thotë Zoti i Lartmadhëruar: “…dhe konsultohen në mes vete.” Po ashtu edhe Muhamedit a.s. i cili ka qenë pejgamberi i fundit Zoti i Lartmadhëruar i ka thënë: “… dhe konsultohu për thellësinë e çështjes.”
Muslimanët në Kosovë mund të jetojnë në shtet jo islam, pra në Kosovën si shtet jo Islam ku muslimanët e zhvillojnë jetën fetare të tyre. Por, Muslimanët mund të jetojnë në shtetin islam pra në Kosovën islame pasi në këtë shtet e drejta e minoriteteve është e garantuar dhe liritë fetare të tyre janë të garantuara. Feja islame kurrë nuk ka qenë dhe kurrë nuk mund të jetë në kundërshtim me të drejtën, lirinë, barazinë e familjes njerëzore, por përkundrazi, siguron liri, barazi, drejtësi, për të gjithë qytetarët pa marrë parasysh përkatësinë e tyre fetare apo racore. Angazhimi ynë duhet të jetë për Integrim në fenë Islame dhe integrim në Evropën perëndimore por jo në Evropë pa islam por në Evropë me islam dhe kësisoj feja Islame të bashkëjetoj së bashku me fetë tjera në Evropë.