BAMIRËSIA

Dr. Musli Vërbani

 

 

 

 

 

 

 

 

 

BAMIRËSIA

 

 

 

 

                          

                                                                           

 

 

 

 

 

 

 

 

                       Kaçanik, 2011

Autor:

Dr. Musli VËRBANI

 

 

 

 

Titulli:

BAMIRËSIA

 

 

 

 

Korrektura:

Burim Bunjaku

 

 

 

 

Radhitja kompjuterike,

kopertina dhe dizajni grafik

Mumin Shehu

 

 

 

Botues: Autori

 

 

 

 

Shtypi:

“FokusPrint”

 

 

 

 

Të drejtën e ribotimit e rezervon autori

BAMIRËSIA

Islami kërkon prej njeriut të gjitha cilësitë e mira morale.

Mirësi do të thotë që kur të veprosh një punë ta bësh si është më së miri. Po ashtu mirësi do të thotë çdo rregull e pëlqyer logjikisht, çdo vepër që e bën njeriun të lumtur fizikisht dhe shpirtërisht.

Morali i bamirësisë është bazë e besimit dhe plotësimit të tij.

Mirësia ka dy kuptime:

  • Mirësinë që bën njeriu ndaj Zotit të tij dhe të tjerëve;
  • Mirësinë që ka kuptimin e kryerjes së obligimit si është më së miri, pra përsosmërinë e veprimit. Kjo do të thotë: Kryerjen e veprimit si është më së miri, duke qenë i bindur thellë se Allahu e përcjell, duke iu frikësuar Zotit, fshehurazi dhe haptazi.

Emër i Allahut është “I MIRË”. Po ashtu, Allahu dëshiron që kur të punoni diçka, që atë ta plotësoni në mënyrën më të përsosur. Nëse dëshiron të fitosh dashurinë e Allahut, sjelljet e tua plotësoji dhe kryeji në mënyrën më të bukur.

Bamirësia është një nga veprat e pëlqyera të Allahut.

Të gjitha obligimet hyjnë nën sferën e mirësisë. Jeta në fe është jeta në bamirësi, kurse Zoti për këtë jetë shpërblen shumëfish:

            “Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t’i japim atij një jetë të mirë. Do t’u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre.”

(En-Nahl, 97)

BAMIRËSIA NË KUR’AN

 

            “Nuk është bamirësi të kthyerit e fytyrës suaj kah lindja dhe perëndimi, por mirësi është kur (njeriu) beson në Allahun, Ditën e Kijametit, melekët, librin, pejgamberët dhe të cilit me dashurinë e vet u japin nga pasuria të dashurve të tyre, të afërmve, jetimëve, varfanjakëve, udhëtarëve (që kanë mbetur pa mjete udhëtimi), lypësve dhe të robëruarve (për t’i liruar nga robëria); e (mirësi) është po ashtu falja e namazit, dhënia e zekatit, kryerja e obligimeve premtuese kur premtojnë; e (mirësi) është durimi i durimtarëve në kohëra të vështira të skamjes e të sëmundjes dhe durim i tyre në kohëra të luftës. Këta janë besimtarët e vërtetë dhe të sinqertë. Këta janë të devotshmit.”

(El-Bekare, 177)

Zoti i Lartmadhëruar thotë:

            “Ata, të cilët japin në kushte të lira dhe në kushte të vështira, (po ashtu edhe të cilët) frenojnë mllefin, që u falin (të keqen) njerëzve, e Allahu i do bamirësit.”

(Ali Imran, 134)

Fjala “i do bamirësit (Allahu)” në Kur’an përmenden në pesë vende. E kjo dëshmon se sa janë të dashur tek Allahu bamirësit.

BAMIRËSIA NË SUNET

 

            “Bamirësia është ta adhurosh Allahun sikur kur e sheh, e në çoftë se ti nuk e sheh, Ai padyshim të sheh ty.”

(Buhariu dhe Muslimi)

Pejgamberi s.a.v.s. është lutur:

            “O Zoti im! Më bën që të bëjë punë të mira, të cilat më ofrojnë pran Teje.”

Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë:

“Jini të vërtetë, sepse vërtetësia të dërgon në bamirësi, e bamirësia të dërgon në Xhenet.”

 

Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë:

“Çdo vepër e mirë konsiderohet sadaka, kurse ai që udhëzon kah një emirë është sikur ai që e bën atë të mirë.”

(Buhariu dhe Muslimi)

DYERT E BAMIRËSISË

 

Dyert e bamirësisë janë të shumta, prej tyre do t’i përmendim disa:

  • Adhurimi dhe madhërimi i Allahut;
  • Këshillimi për vepra të mira;
  • Këshillimi për largim nga veprat e këqija;
  • Ndihma e të verbërve;
  • Ndihma ndaj nevojtarëve (të dobëtëve);
  • Heqja e gurëve dhe pengesave nga rruga;
  • Të drejtuarit në rrugë të mbarë atë që ka devijuar rrugën;
  • Të vizituarit e të sëmurëve.

BAMIRËSIA NË ADHURIM

 

Xhibrili e pyeti Pejgamberin s.a.v.s.:

            “Ç’është bamirësia?”

Muhamedi s.a.v.s. iu përgjigj:

“Bamirësia është ta adhurosh Allahun sikur e sheh, sepse, edhe pse ti nuk e sheh (gjatë adhurimit), pa dyshim se Ai të sheh ty.”

(Buhariu dhe Muslimi)

URDHËRESA PËR BAMIRËSI TË PËRGJITHSHME

 

إِنَّ اللَّهَ يَأْمُرُ بِالْعَدْلِ وَالإِحْسَانِ وَإِيتَاءِ ذِي الْقُرْبَى وَيَنْهَى عَنْ الْفَحْشَاءِ وَالْمُنكَرِ وَالْبَغْيِ يَعِظُكُمْ

 لَعَلَّكُمْ تَذَكَّرُونَ

“Vërtet Allahu urdhëron drejtësi, mirësi, ndihmë të afërmve, kurse ndalon nga imoraliteti nga e neveritura dhe dhuna. Ju këshillon, ashtu që të merrni mësim.”

(En-Nahl, 90)

Bamirësia është fjalë që përfshin të gjitha veprimet, duke filluar nga gjërat e vogla, e deri te gjërat më të mëdha.

Bamirësia fillon nga vetvetja, kjo do të thotë që secili duhet t’i bëjë mirë vetes, duke e larguar veten nga punët e këqija, si p.sh.: alkooli, bixhozi, prostitucioni dhe veset e këqija; e duke e angazhuar veten në përkujtim ndaj Allahut, i Cili e qetëson shpirtin e njeriut, në ibadet ndaj Allahut dhe në të gjitha veprat e mira; duke u ndihmuar të dobëtëve, të varfërve, jetimëve; duke bërë lidhjen farefisnore; duke i pajtuar besimtarët mes vete; duke qenë i sjellshëm në shoqëri, në ndërtimin e urës, e cila i sjell lumturi njerëzimit.

MIRËBËRËSI

Mirëbërësi është Allahu, i Cili me bamirësinë e Tij ka përfshirë të gjitha krijesat. Allahu gjithnjë është bamirës. Çdo njeri ka nevojë për bamirësinë e Allahut, në çdo çast.

Bamirësia e Tij është dy llojesh: E përgjithshme dhe e veçantë. Zoti i Lartmadhëruar thotë:

“Dhe çdo të mirë që e keni, ajo është prej Allahut.” (En-Nahl, 53)

 

Sa i përket bamirësisë së përgjithshme, ajo përfshinë të gjithë banorët e qiejve dhe të tokës. Zoti i Lartmadhëruar thotë:

“E mëshira Ime ka përfshirë çdo send.” (El-Earafë,156)

 

Ndërsa, sa i përket bamirësisë së veçantë, ajo është mëshira, të cilën e kanë kërkuar pejgamberët, të cilët e kërkojnë njerëzit e mirë. Përpos që është mëshirë për në botën tjetër, është mëshirë edhe për këtë botë, për të korrur sukses në besim, në dituri, në punë dhe lumturi në jetë. Zoti i Lartmadhëruar thotë:

“Dhe çdo të mirë që e keni ajo është prej Allahut.” (En-Nahl, 53)

Lusim Zotin e Lartmadhëruar që të na shtie në mesin e robërve të mirë.

BAMIRËSIA ME PRINDËR

 

Bamirësia ndaj prindërve është prej punëve më të dashura tek Allahu, është shkak i pranimit të lutjes në këtë botë dhe shkak për të fituar Xhenetin.

Sa herë që shtohet mirësia ndaj prindërve, shtohet afërsia ndaj Allahut të Lartmadhëruar.

Zoti i Lartmadhëruar në Kur’anin fisnik thotë:

            “Ka urdhëruar Zoti yt që të mos adhuroni tjetër, pos Tij dhe që ndaj prindërve të silleni me mirësi. E, nëse njërin prej tyre ose që të dy i ka kapur pleqëria pranë kujdesit tënd, atëherë mos u thuaj atyre as “of”, mos iu bërtit atyre, po thuaju atyre vetëm fjalë të bukura dhe të mira. Dhe në shenjë mëshire shtrije pranë tyre krahun përulës dhe thuaj: “Zoti im! Mëshiroji ata dy, siç janë përkujdesur për mua në vegjëli.”

Në një hadith, Pejgamberi s.a.v.s. tregon për tre persona se si për shkak të shiut janë strehuar në një shpellë, mirëpo dridhet toka dhe hyrja e shpellës bllokohet. Të tre personat luten për shkak të punëve të mira të tyre që hyrja e shpellës të lirohet. Njëri prej tyre lutet:

“O Zoti im! I kam pasur prindërit pleq dhe asnjëherë para tyre nuk ju kam dhënë të hanë e as të pinë fëmijëve, e as punëtorëve të tjerë. Një ditë më hutoi kërkimi i kullosës për kopenë time, e nuk ju erdha me kohë dhe ata kishin fjetur. Unë tubova qumështin në enë dhe e dërgova tek ata, por ata veç kishin fjetur. Më edhi keq t’i trazoj, por nuk desha që para tyre t’i ushqej të tjerët, andaj i kam pritur me enë në dorë duke shikuar se kur po zgjohen, e kjo pritje ka zgjatur deri në agim. Fëmijët e mi aty te këmbët e mia kërkonin (qumësht), të cilëve u kam dhënë qumësht, vetëm pasi që prindërit janë zgjuar dhe kanë pirë qumështin, të cilin ua kam sjell.

O Zoti im! Nëse këtë e kam bërë vetëm për Ty, e për askënd tjetër, atëherë na e largo këtë shkëmb nga hyrja e kësaj shpelle, në të cilën gjendemi.” Allahu ua lëvizi shkëmbin aq sa të shohin qiellin …”.

(Buhariu)

BAMIRËSIA NDAJ PRINDIT TË SJELLË TË MIRA NË JETË

 

Një djalosh i ri punonte me zell, ai kujdesej shumë për të atin e tij. Me një fjalë, ishte bamirës ndaj babait të tij. Të hollat, të cilat i fitonte, i vinte turp t’ia jepte babait në dorë, sepse duhej që babai ta zgjaste dorën dhe t’i merrte të hollat nga ai. Kështu që i vendoste të hollat në tavolinë. Babai çdo herë kur i merrte këto të holla lutej për këtë djalosh:

“O Zoti im, furnizoje birin tim me dituri të Kur’anit dhe bëje pasues të tij.”

Pas disa vitesh, ky djalosh takohet me një dijetar, i cili e pyet:

–     Çfarë po bëni?

–     Punoj për të fituar bukën.

–     A ke mundësi që të vish tek unë që të ta mësoj Kur’anin?

Djali pa u hamendur pranoi. Me kalimin e kohës ky djalosh arrin shkallë të lartë të diturisë, sa që edhe e mbron temën e doktoraturës në shkencën e tefsirit.

Ky djalosh, përpos që kishte arritur shkallën më të lartë të diturisë në shkencën e tefsirit, ishte i devotshëm, i sjellshëm dhe bamirës, por ishte edhe i dhimbshëm ndaj të tjerëve. Kështu që, pasi e mbrojti temën e doktoraturës filloi të qajë. Kur e pyesin për shkakun e të qarit, ai përgjigjet: “Qaj, se unë jam fryt i duasë së babait tim, i cili është lutur për mua: “O Zoti im, furnizoje birin tim me dituri të Kur’anit dhe bëje pasues të tij!”

Kjo dua i është pranuar babait, pasi që djali i tij ishte bamirës ndaj tij.

SHEHADETI

 

Prindërve u takon bamirësia ideale, për këtë arsye duhet pasur kujdes që të bëhemi të sjellshëm dhe bamirës ndaj tyre. Duhet t’i respektojmë, t’i nderojmë dhe të bëjmë dua për ta, e asnjëherë mos t’i hidhërojmë, sepse hidhërimi ndaj prindërve mund të jetë shkak që të mos mundim ta shqiptojmë edhe shehadetin.

Në Medine, në kohën e Muhamedit s.a.v.s., ka ndodh një ngjarje interesante:

Ishte një sahab, ai quhej Alkame, ishte sëmurë aq rënd, sa që nuk mund ta thoshte as shehadetin. Duke pasur parasysh se ai falej, agjëronte, jepte zekatin, të afërmit habiteshin për shkakun që ai nuk mund ta thoshte shehadetin. Për këtë arsye shkojnë te Muhamedi s.a.v.s. dhe i lajmërojnë për gjendjen e tij. Muhamedi s.a.v.s. menjëherë i pyet: “A ka Alkame prindër?” Ata i përgjigjen: “I ati i tij ka vdekur, e nënën e ka të moshuar.” Muhamedi s.a.v.s. shkon te nëna e tij dhe e pyet: “Si kanë qenë raportet dhe sjelljet e tij ndaj teje?” Nëna e

Alkames përgjigjet: “E ka çmuar dhe i ka dhënë përparësi gruas së tij ndaj meje. Për këtë arsye, unë jam e hidhëruar me të.”

Atëherë Pejgamberi s.a.v.s. i thotë Bilallit: “Shko e sillni disa dru, ta ndezi një zjarr dhe ta djeg Alkamen.” Kur dëgjoi këtë, nëna tha: “O i Dërguar i Allahut, a dëshiron ta djegësh birin tim, lulen e zemrës sime, në praninë time?!” “Si mund ta bartë këtë zemra ime?” Pejgamberi s.a.v.s. i shkon buza në gaz, pasi që dëshironte që nëna e Alkames t’ia falte gabimin birit të saj, dhe i thotë: “Nëse dëshiron që Zoti të jetë i kënaqur dhe ta shpëtojë birin tënd, falja gabimin, pajtohu dhe bëhu e kënaqur ndaj tij.” Atëherë nëna e Alkames thotë: “Unë ia fala gabimin dhe jam e kënaqur me të.”

Pas kësaj, kur shkoi Bilalli r.a. te dera e Alkames, dëgjoi Alkamen duke thënë: “Eshhedu en la ilahe il-lall-llah ve eshhedu enne Muhameden abduhu ve resuluhu”. Bilalli u kthye dhe e lajmëroi Pejgamberin s.a.v.s. se Alkame e ka thënë shehadetin.

Kështu pra, nëse nuk sillemi me bamirësi ndaj prindërve, mund të ndikojë në pamundësinë e shqiptimit të shehadetit.

BAMIRËSIA ME FËMIJË

 

Në hadith Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë:

            “Çdo njeri që ka dy vajza ose motra dhe ju bën mirë atyre do të hyjë në Xhenet. “

(Ibni Maxhe)

Shembullin më të mirë të bamirësisë ndaj fëmijëve femra e kemi te Pejgamberi s.a.v.s. Ai sa herë që Fatimja r.a. hynte në dhomat ku ishte Pejgamberi s.a.v.s. ngihej dhe e puthe atë në ballë. Kur Fatimja është martuar për Aliun r.a. ata banonin larg nga shtëpia e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. I Dërguari a.s. i thotë një sahabiu, i cili e kishte shtëpinë afër tij: “Nuk po mund ta përballoj largësinë e bijës sime, Fatimes, andaj shitma këtë shtëpi”. Sahabiu i thotë: “O i Dërguar i Allahut, edhe unë edhe shtëpia ime janë në shërbim të Allahut dhe të Dërguarit të Tij.”

Kështu pra, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dëshironte të jetë pranë shtëpisë së fëmijëve.

Edhe ne duhet ta marrim Muhamedin s.a.v.s. shëmbëlltyrë në mirësi ndaj fëmijëve.

BAMIRËSIA NË TË FOLUR DHE DIALOG

 

Gjithmonë kur kemi të bëjmë me të folurit, gjithmonë duhet pasur parasysh kur i ftojmë të tjerët në Islam.

Zoti i Lartmadhëruar thotë:

            “E Kush ka fjalë më të mirë, se sa fjala e atij që fton për tek Allahu, bën punë të mira dhe thotë: “Unë me të vërtetë jam prej muslimanëve.”

Në ajet tjetër Zoti i Lartmadhëruar thotë:

            “Fto në rrugën e Zotit tënd me urtësi dhe mençuri dhe me këshilla të bukura, e kur të bësh dialog, dialogo me ata në mënyrën më të mirë.”

(En-Nahl, 125)

Ja si e ka këshilluar Llukmani djalin e tij për mirësjellje:

“O Djali i m, nëse (vepra e punuar) është që peshon sa një kokërr hardeli (lloj kokrre, bime e imët) e ajo të jetë në shkëmb, ose në qiej ose në tokë, Allahu do ta nxjerr në shesh atë. Vërtet Allahu është i Butë dhe Njohës i të gjitha fshehtësive. O Djali im, fale namazin, urdhëro me të mirë për mirësi dhe mënjano nga të këqijat, dhe duro prej fatkeqësive që të kaplojnë, vërtet, kjo është prej çështjeve vendosëse. Mos e shmang fytyrën tënde nga njerëzit dhe mos ec nëpër tokë mburracak. Ke kujdes në ecje dhe ec me modesti, e fol me zë të ulët, se zëri më i urryer është zëri (pallja) e gomarit. “

(Lukman, 17-19)

BAMIRËSIA NË DHËNIE TË PASURISË

 

Për ata, të cilët bëjnë mirë dhe shpenzojnë pasuri, për t’u bërë mirë të tjerëve, Zoti i Lartmadhëruar thotë:

            “Ata që shpenzojnë pasurinë e vet në rrugë të Allahut janë si shembulli i atij që mbjell kokërr, nga e cila dalin shtatë kallinj, dhe në çdo kallinj nga njëqind kokrra. Allahu ia shumëfishon (shpërblimin) edhe më tepër atij që do, se Allahu është i Gjithëdijshëm dhe Bamirës i madh.”

(El-Bekare, 261)

            Po ashtu Zoti i Lartmadhëruar në një ajet tjetër thotë:

Ata, të cilët shpenzojnë (japin) kur janë në kushte të mira (të shlirë) dhe kur janë në kushte të vështira dhe që frenojnë mllefin, që u falin (gabimin) njerëzve,  e Allahu i do bamirësit.”

(Ali Imran, 134)

Një dijetar i njohur, Es-Sektiu thotë:

“Bëj mirësi kur të kesh mundësi, sepse në çdo kohë nuk ke mundësi të bësh mirësi.”

Një poet thotë kështu:

“Nxito me të mirën kur të kesh mundësi, që t’i përgatitësh veprat e bamirësve, e nëse ke mundësi nxito te bamirësia, se mund të ndodhë që do të kesh dëshirë të bësh mirësi, por nuk do të kesh mundësi.”

BËN MIRË ME ATË QË TA KA DHËNË ALLAHU

 

Në kohën e Pejgamberit Musa a.s. ishte një pasanik, Karuni, sa që pasuria e tij ishte aq e shumtë, sa që një grup i madh i njerëzve nuk mund t’i bartnin vetëm çelësat e depove të tij. Mirëpo, ai nuk e falënderonte Zotin, përkundrazi i pengonte të tjerët të bënin mirë.

Besimtarët kur e panë se Karuni i provokonte njerëzit me pasuri, vendosën që ta këshillojnë. Shkojnë te Karuni dhe i thonë:

“… mos u kreno aq fort, padyshim se Allahu nuk i do të shfrenuarit! Dhe me atë që ta ka dhënë Allahu kërko botën tjetër, por edhe mos lë mangët atë që të takon nga kjo botë, dhe bën mirë ashtu siç të ka bërë mirë Allahu ty, e mos bën të këqija në tokë, se Allahu nuk i do çrregulluesit.”

(El-Kasas, 76-77)

Por, Karuni nuk e pranoi këshillën e besimtarëve. Ai nuk bënte mirë, kështu që Zoti e dënoi atë në atë mënyrë, sa që ai vet dhe e tërë pasuria e tij u fundosën nën dhé.

Pra, ky është dënimi dhe përfundimi i atyre që nuk u bëjnë mirë të tjerëve.

BAMIRËSIA NDAJ TË VARFËRVE

 

Ebu Nasr Es-Sajad ishte një njeri shumë i varfër. Një herë kaluan disa orë pa ngrënë asgjë, as ai, as familja e tij. Pa ditur se ç’bënte del nga shtëpia dhe shkon te një dijetar, të cilit ia qan hallin. Dijetari thotë: “Më ndiç nga pas”. E merr rrjetën dhe shkojnë në bregdet. Fal dy rekate namaz. Pasi falet dijetari i thotë: “Thuaj: Bismil-lahirr-Rrahmanirr-Rrahim dhe hidhe rrjetën në det.” Pasi e thotë këtë dijetari largohet. Ebu Nasri e la pak kohë rrjetën në det dhe filloi ta tërheqë atë, kur pa se një peshk të madh ka kapur rrjeta. E mori peshkun, shkon në treg, e shet dhe me ato të holla blen bukë dhe ushqime.

Duke shkuar në shtëpi, i del para një grua me fëmijën e saj, të cilët mezi ecnin nga uria. Kur e panë Ebu Nasrin, sytë e tyre u ndalën në çantën ku mbante bukën dhe ushqimet. I hutuar nga ajo që po shikonte, ua jep të gjitha ato që kishte në çantë. Gruas i rrjedhën lotët nga gëzimi dhe fëmija filloi të buzëqeshë.

Ebu Sajadi vazhdon udhëtimin i mërzitur, dhe ashtu siç ishte i mërzitur dëgjon një zë që thërriste: “Kush e njeh Ebu Nasr Es-Sajadin?!” Vrapon drejt tij dhe i thotë: “Unë jam ai që e kërkon. Çfarë doni?” Ai i thotë: “Ka njëzet vjet që i kam marrë borxh babait tënd, një borxh prej 30 000 dërhemësh. Këtë borxh ia kam marrë dhe kam shkuar në kurbet dhe tani jam kthyer, e më thanë që babai yt ka vdekur dhe e ka lënë një djalë, me emrin Ebu Nasr Es-Sajad, kështu urdhëro borxhin që i kisha babait tënd.”

Pas kësaj më nuk jam bërë i varfër, por u bëra i pasur, e tëra kjo për shkak të bamirësisë ndaj asaj gruaje. Fillova të jepja sadaka vazhdimisht.

Një natë pashë ëndërr sikur ishte bërë Kijameti dhe ishte vendosur peshoja e veprave. Kur më erdhi radha e peshojës mua, pashë se të këqijat peshonin më shumë se të mirat!

  • Po ku janë paratë, të cilat i dhashë lëmoshë? – pyeta.

U vendosën, por peshorja nuk lëvizi fare.

Njëri nga melekët tha: “A ka mbetur gjë tjetër pa u vendosur në peshore?” “Po”, u përgjigj meleku tjetër, – “janë lotët e gruas së cilës i ka dhënë bukë dhe ushqimet.” U vendosën lotët në peshore dhe peshorja ra në ekuilibër dhe u barazuan veprat e mira. Meleku thirri: “A ka edhe diç tjetër?” “Po”, u përgjigj, – “është buzëqeshja e fëmijës.” Kur u vendos edhe buzëqeshja e fëmijës, atëherë meleku thirri i gëzuar: “Shpëtoi, shpëtoi …!”

BAMIRËSIA NDAJ GJALLESAVE

 

Abdullah Ibnu Abasi r.a. është një nga dhjetë të përgëzuarit me Xhenet. Ai çdo ditë i mblidhte thërrmijat e bukës dhe ua jepte milingonave, të cilat ishin në një fole pranë shtëpisë së tij.

Kur dikush e pyeti se përse e bënte këtë. Ai i tha: “Ata janë fqinjët e mi.”

Këtë cilësi të moralit Abdullah Ibn Abasi e kishte fituar nga Muhamedi s.a.v.s. pasi që kishte urdhëruar: “Silluni mirë me fqinjët.”

Pejgamberi s.a.v.s. na ka treguar edhe një ngjarje tjetër, ku një njeriu i janë falur gabimet për shkak të bamirësisë së tij ndaj një qeni.

Ja si e tregon ngjarjen Muhamedi s.a.v.s.:

I dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Deri sa një njeri po kalonte përgjatë një rruge, e kaplon  një etje e madhe. E sheh një bunarë, zbret në thellësi të tij, piu ujë dhe doli nga aty. Pasi që doli, e sheh një qen duke lehur dhe duke lëpirë lëmyshqe nga etjes. Thotë me vete: “Ky qen është i etur, ashtu siç isha unë më parë”. Kështu që zbret përsëri në bunar, e mbush këpucën e tij dhe e mbante me gojë deri sa u ngrit lart dhe i dha  të pijë ujë qenit. Për këtë mirësi që e bëri e falënderoi Allahu, e ia fali atij”.

                                (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

 

Në një transmetim të dy koleksioneve sahihë thuhet: “Përderisa qeni sillej rreth e rrotull bunarit, dhe ishte duke ngordhur nga etja, kur një mëkatar prej mëkatarëve beni Israil e sheh, e heq këpucën e tij, e mbush me ujë dhe i jep të pijë. Për këtë iu falën mëkatet”.

 

PËRFUNDIMI I BAMIRËSVE

 

Bamirësia përshinë të gjitha llojet e mirësive. Ndër to: të bërit mirë të tjerëve, respektimi dhe nderimi i të tjerëve, besimi dhe dëgjueshmëria, devotshmëria dhe modestia, durimi, sinqeriteti, drejtësia, butësia etj.etj.

Bamirësia mund të jetë edhe me fjalë edhe me vepra.

Të mirë janë besimtarët, të cilët janë të cilësuar me të gjitha vetitë e mira. Ata angazhohen për të mbisunduar paqja, qetësia dhe lumturia në këtë botë. Ndërsa për në botën tjetër Zoti i Lartmadhëruar thotë:

            “Me të vërtetë, të mirët do të jenë në Xhenet, e nga kanapetë-divanet do të shikojnë, në fytyrat e tyre do të njohësh shkëlqimin dhe freskinë e begative, atyre do t’u jepet të pinë nga enët e mbyllura dhe të ruajtura, përfundimi i tyre është misk (parfum) dhe për këtë le të garojnë garuesit.”

(El-Mutaffifinë, 22-26)

 

ÇKA PËRFITOJMË NGA KY LIBËR

Nga ky libër përfitojmë se:

  • Islami kërkon të gjitha cilësitë e mira morale;
  • Morali i bamirësisë është bazë e besimit;
  • Bamirësitë të mbrojnë nga fatkeqësitë;
  • Bamirësia ndaj prindërve është shkak i pranimit të lutjeve;
  • Bamirësia ndaj prindërve të sjellë të mira dhe lumturi në jetë;
  • Bamirësia ndaj vajzave është shkak për të fituar Xhenetin;
  • Fjala më e mira është thirrja n rrugë të Allahut;
  • Përfundimi i bamirësve është Xheneti;
  • Allahu ka urdhëruar për bamirësi;
  • Bamirësia ndaj të varfërve peshon dhe ka vlerë të madhe;
  • Muslimani duhet të jetë bamirës edhe ndaj gjallesave;
  • Të bërit keq bën që të shkatërrohesh.

PËRFUNDIM

Të  kujtojmë ajetin, në të cilin Allahu i Lartmadhëruar ka thënë: “Thuaj:

“Vetëm mirësisë së Allahut dhe mëshirës së Tij le t’i gëzohen, se është shumë më e dobishme se ajo që grumbullojnë ata.”

(Junus, 58)

Ndërsa, kujtimi  është për ata që kanë zemër, që përqendrojnë dëgjimin dhe dëshmojnë me sy të vërtetën.

Ndoshta kjo çka është e shkruar  në këtë libër i bën dobi  zemrës tënde  fëmijë i dashur, e dëgjon veshi yt dhe e dëshmon me tërë qenien tënde atë që është shkruar.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s