“HUTBE NGA TREGIMET E SURES KEHF DHE SPROVAT E KOHËS DHE REALITETI I SOTIT”
Autor: Dr. Musli Vërbani
–
Falënderojmë Allahun, i Cili i ka bërë tregimet ushqim të mendjes dhe shpirtit.
Përshëndetjet dhe selamet qofshin për pejgamberin a.s., për familjen e tij, shokët e tij të mirë e të pastër dhe për ata të cilët i pasojnë ata deri në Ditën e Gjykimit.
Besimtarë të nderuar!
Mendja dhe shpirti ushqehen siç ushqehen trupat. Mendja dhe shpirti mbushen siç mbushen trupat. Mendja dhe shpirti forcohen ashtu siç forcohet hekuri. Për këtë arsye, patjetër duhet mësuar tregimet Kur’anore dhe ngjarjet historike Kur’anore me urtësi.
Tregimet Kur’anore janë ushtri prej ushtrive të Allahut të Madhërishëm. Zoti i Madhërishëm, me tregimet nga jeta e pejgamberëve dhe me tregime Kur’anore, forcon zemrat e besimtarëve, siç thotë Zoti i Madhërishëm: “Të gjitha këto që t’i tregojmë ty nga lajmet e pejgamberëve, janë që të forcojnë zemrën tënde”. (Hudë, 120)
Surja Kehf është me plot mësime e këshilla.
Surja Kehf është një sure jashtëzakonisht prekëse dhe mbresëlënëse.
Kjo sure trajton tema të ndryshme, por temat kryesore janë katër tregime.
Secili tregim më interesant se tjetri.
Surja Kehf është sure e cila përmbledh katër teste me të cilat ballafaqohet njeriu.
Surja Kehf është sure e cila përmbledh katër sfida me të cilat ballafaqohet njeriu.
Surja Kehf është sure e cila përmbledh katër sprova me të cilat ballafaqohet njeriu, të cilat janë:
1. Sprova e fesë;
2. Sprova, testi dhe sfida e pasurisë;
3. Sprova, testi dhe sfida e diturisë dhe
4. Sprova, testi dhe sfida e pushtetit.
Në Suren Kehf janë përmendur bazat dhe themelet e të gjitha sprovave me të cilat ballafaqohet njeriu në këtë botë.
Surja Kehf fillon me tregimin e disa djelmoshave të rinj të cilët kërkuan mbrojtje në shpellë nga sistemi shtypës i asaj kohe. Ata kanë kërkuar strehim dhe mbrojtje për të shpëtuar nga torturat e mbretit mizor, i cili nuk iu jepte mundësi të shprehnin pikëpamjet e tyre, të thonin të vërtetën dhe t’i thërrisnin njerëzit në fenë e Allahut. Si pasojë, ata janë distancuar nga shoqëria e tyre.
Besimtarë të nderuar!
Sot do të flasim vetëm për sprovën e parë e cila trajtohet në këtë sure.
Sot do të flasim vetëm për sprovën e fesë me të cilën sprovë fillon surja Kehf.
Sprova e parë e cila trajtohet në këtë sure është sprova e besimit me të cilën ballafaqohen besimtarët.
Sprova e parë e cila trajtohet në këtë sure është sprova e fesë me të cilën ballafaqohen muslimanët.
Surja fillon me sprovën e besimtarëve të cilët janë sprovuar nga një diktator idhujtar.
Surja fillon me sprovën e besimtarëve të cilët janë sprovuar nga një popull pabesimtar.
Besimtarët kanë përzgjedhur të qëndrojnë në shpellë vetëm e vetëm që të ruajnë besimin e tyre.
Edhe ju duhet të përzgjidhni sigurimin e fesë ndaj çdo çështjeje tjetër.
Djelmoshat besimtarë janë larguar nga qytetërimi antifetar vetëm e vetëm të ruajnë fenë e tyre.
Djelmoshat besimtarë janë larguar nga degjenerimi total për të siguruar fenë e tyre. Siç thotë Zoti i Madhërishëm: “Kur djelmoshat u strehuan në shpellë e thanë: ‘O Zoti ynë, na dhuro nga ana Jote mëshirë dhe na përgatit udhëzim të drejtë në tërë çështjen tonë!’”. (Kehf, 10)
Kështu pra,
- Sprova e fesë është sprova më e madhe.
- Sprova e fesë është sprova më serioze.
- Sigurimi i fesë është çështja më e rëndësishme.
- Sigurimi i fesë është çështja më prioritare.
Për këtë arsye edhe ky tregim në këtë sure është radhitur tregimi i parë.
Besimtarë të nderuar!
Tregimi i djelmoshave tregon për djelmoshat që kanë ikur nga mbreti i padrejtë për të ruajtur besimin dhe fenë e tyre dhe kështu ia mësynë shpellës.
Djelmoshat kanë ikur nga mbreti mizor i cili kishte kërkuar nga ata që ta braktisin fenë e tyre.
Djelmoshat kanë ikur që ta braktisin besimin e idhujtarëve, kanë shkuar në shpellë që të largohen nga adhurimi i fesë së idhujtarëve.
Mbreti kishte kërkuar nga ata që ta braktisin fenë e tyre monoteiste.
Sot ndoshta nuk kërkohet në mënyrë të drejtpërdrejtë largimi nga feja, por në mënyrë indirekte veprohet për të penguar apo për të izoluar veprimin e shumë çështjeve të cilat janë bazë në fe, siç është namazi.
Sot ndoshta nuk kërkohet në mënyrë të drejtpërdrejtë largimi nga feja, por në mënyrë indirekte veprohet për të izoluar veprimin e shumë çështjeve të cilat janë bazë në fe, siç është mbulesa.
Sot ndoshta nuk kërkohet në mënyrë të drejtpërdrejtë largimi nga feja, por në mënyrë indirekte veprohet për të penguar apo për të izoluar veprimin e shumë çështjeve të cilat janë bazë në fe, siç janë obligimet themelore islame.
Këto çështje kanë ndikuar ashtu që:
Shohim se si një besimtar, për shkak të një interesi politik, të një karriere politike, në fillim e lë namazin.
Pas një kohe thotë se nuk agjëron nga shkaku se është në detyrë ose se është deputet në parlament etj., etj.
Pas një kohe ekspozohet haptazi në drekë gjatë ditës së Ramazanit.
Në fund paraqitet agnostik, ateist!!!!
Shohim se si një besimtare, për shkak të emancipimit ose për shkak të një pozite politike, në fillim nuk mbulohet me mbulesën islame.
Pas një kohe thotë se nuk agjëroj nga shkaku se nuk ia lejon pozita, ose për shkak se është deputete në parlament.
Pas një kohe ekspozohet haptazi në drekë gjatë ditës së Ramazanit.
Në fund paraqitet agnostike, ateiste!!!!
Këto çështje kanë ndikuar ashtu që:
Ndonjëri kërkon që të ndalohet thirrja e ezanit me pretendimin se është ndotje akustike e ambientit.
Këto çështje kanë ndikuar ashtu që:
Laicistët e krahasojnë ezanin me zhurmën e muzikës dhe me zhurmën e cila e ndot ambientin.
Shohim se si laicistë muslimanë brengosen për kafshët vetëm kur të jetë dita e Bajramit të Kurbanit.
Shohim se si laicistët muslimanë brengosen për shkolla vetëm atëherë kur të ndërtohen xhamia.
Shohim se si laicistët muslimanë brengosen për të drejtat e grave vetëm kur të jetë 8 Marsi, e kështu me radhë.
Besimtarë të nderuar!
Sprovë e fesë është edhe atëherë kur një reper musliman një herë e lë muzikën e pastaj i rikthehet muzikës.
Pra, kësaj sprove nuk i ka shpëtuar edhe ndonjë djalosh.
Kjo ngase më vonë, ai reper prapë i kthehet muzikës.
Pas një kohe thotë se e ka lënë muzikën dhe kurrë nuk do t’i kthehet muzikës dhe tregon se është bërë i devotshëm.
Pastaj herë bëhet i devotshëm dhe “pesëvaktëli”, e herën tjetër vazhdon si reper. Qëndron në një këmbë në një anë e me këmbën tjetër në anën tjetër.
Kësaj sprove nuk i ka shpëtuar edhe ndonjë hoxhë!!!.
Pra, kësaj sprove nuk i ka shpëtuar ai hoxhë i cili, duke menduar se bëhet patriot duke u bërë hoxhë modern, duke i dhënë përparësi çështjeve të cilave nuk duhet t’u jepet përparësi, ashtu që fenë e konsideron çështje dytësore, ndërsa shumë çështje tjera parësore e pastaj, me kalimin e kohës, kalon në agnostik!
Po ashtu, kësaj sprove nuk i ka shpëtuar as edhe ndonjë hoxhanicë, ashtu që ndonjëherë e mohon sunetin, e më pastaj edhe Kur’anin, e pastaj në emër të fesë flet kundër fesë Islame.
Për këtë arsye Pejgamberi a.s. ka thënë: “Pajisuni me vepra të mira para sprovave, të cilat vijnë si vetëtima në errësirë, ashtu që një njeri zgjohet në mëngjes si besimtar e pastaj në mbrëmje e braktis fenë dhe bëhet pabesimtar ose (e kundërta) në mbrëmje është besimtar, ndërsa në mëngjes bëhet pabesimtar. E shet fenë njeriu për një plaçkë të kësaj bote.” (Muslimi).
Besimtarë të nderuar!
Kësaj sprove nuk i ka shpëtuar edhe ndonjë përfaqësues, apo përfaqësues të institucioneve Islame, ashtu që për të ruajtur pozitën e tij (të tyre) më afër qëndrojnë me laicistë dhe agnostikë se sa me shtresën e devotshme, të cilët tërë jetën ia kushtojnë fesë dhe tërë jetën angazhohen për të mirën e fesë, përkundër gjendjes së vështirë ekonomike të tyre. Për këtë arsye, pikërisht në këtë sure Zoti i Madhërishëm i ka thënë Muhamedit a.s. (dhe po ashtu na thotë edhe neve): “Përkufizoje veten tënde me ata që lusin Zotin e tyre mëngjes e mbrëmje, e që kanë për qëllim kënaqësinë e Tij”. (Kehf, 28)
Dihet se ky ajet ka zbritur atëherë kur idhujtarët e kanë konsideruar veten e tyre si shtresë e lartë shoqërore, ndërsa shokët e Muhamedit a.s. i kanë konsideruar si shtresë e ulët shoqërore.
Ibn Mesud, Suhejbin, Amarin, Bilalin e të tjerët i kanë konsideruar si shtresë e ulët shoqërore, kështu që kurejshët idhujtarë i kanë thënë Muhamedit a.s.: “Nuk pranojmë të qëndrojmë me ty, sepse atëherë do të pasojmë ata (të cilët kanë qenë të varfër)”.
Zoti i Madhërishëm i ka thënë Muhamedit a.s. (dhe po ashtu na thotë neve): “Dhe mos i hiq sytë e tu prej tyre e të kërkosh bukurinë e kësaj bote”. (Kehf, 28)
Zoti na ka treguar se ata me punën e tyre kërkojnë shikimin e Allahut ditën e gjykimit, që do të thotë se kërkojnë shpërblimin e ahiretit, madje shpërblimin më të madh të ahiretit dhe jo shpërblimin e kësaj bote.
Pastaj, Zoti i Madhërishëm i thotë Muhamedit a.s. dhe neve: “Dhe mos iu bind atij që ia kemi shmangur zemrën e tij prej përkujtimit ndaj Nesh dhe i është dhënë epshit të vet, pse puna e tij ka mbaruar”. (Kehf, 28)
Pra,
Mos iu bind atij që ia kemi shkujdesur zemrën nga përkujtimi ynë, pason epshin e tij dhe çështja e tij çorientohet (shpërndahet)].
Zoti i Madhëruar, pasi që urdhëroi pejgamberin e Tij për të qëndruar me besimtarët të cilët e përkujtojnë Zotin duke dashur fytyrën e Tij, e ndalon atë nga e kundërta e kësaj gjëje, të cilën e shpreh në dy forma:
E para: Të mos i largojë qoftë edhe sytë nga besimtarët.
E dyta: Të mos u bindet jobesimtarëve në asgjë që ka lidhje me përbuzjen e besimtarëve apo veprave të tyre të mira.
Zoti i Madhërishëm i ka thënë pejgamberit a.s. dhe neve për të qëndruar me ata që përkujtojnë Allahun dhe të mos harrohen apo të nënvlerësohen.
Pastaj Zoti i Madhërishëm thotë: “E ti thuaj: ‘E vërteta është nga Zoti juaj, e kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë’.” (Kehf, 28-29)
Përfundim
Pasi tregohet sprova e besimit në suren Kehf, tregohet edhe mënyra e shpëtimit. Tregohet sigurimi nga kjo sprovë.
Sa i përket sigurimit të fesë, bëhet:
Me besimin e sinqertë dhe jo me besim të proklamimit, jo me besim të dyfytyrësisë dhe të hipokrizisë.
Sa i përket sigurimit të fesë, bëhet:
Me falënderim, pra, duke e falënderuar dhe duke e përkujtuar Zotin vazhdimisht.
Sa i përket sigurimit të fesë, bëhet me devotshmëri dhe me përkushtueshmëri.
Sa i përket sigurimit të fesë, bëhet duke bërë mirësi.
Sigurimi dhe mbrojtja nga sprova në fe arrihet me shoqëri të shëndoshë dhe me përkujtim të botës tjetër.
Zoti ynë!
Na e mundëso ta perceptojmë të vërtetën dhe të veprojmë me të!
Na e mundëso ta kuptojmë të pavërtetën dhe të largohemi prej saj!
Zoti ynë!
– Na forco në fenë tonë, e cila është mbrojtje dhe siguri e çështjes sonë;
– Na e rregullo këtë botë në të cilën është jeta jonë;
– Na përgatit për jetën tonë në botën në të cilën është kthimi ynë;
– Na e bëj jetën ambient të përshtatshëm për çdo punë të mirë dhe
– Na e bëj vdekjen qetësi, pushim dhe shpëtim nga çdo e keqe.