HISTORIA E TË DITURIT DHE PËRULSHMËRIA NË NAMAZ

“HISTORI TË SEHABEVE DHE NJERËZVE TË MIRË”

Autor: Muhamed Mutevel-li Sharavi.

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Namazi është të prezantohesh dhe të qëndrosh para Zotit.

Kur robi qëndron para Zotit, patjetër se duhet ta largon nga vetvetja kryelartësinë. Patjetër se duhet të veshë rrobën e devotshmërisë dhe të përulshmërisë ndaj Zotit Famëlartë.

Kryelarti e neglizhon çështjen e qëndrimit para Zotit, dhe nuk beson në pejgamberin, të cilit i është bë obligim namazi për umetin e tij. Ai nuk qëndron ashtu siç duhet të qëndrojë në namaz para Zotit, dhe ashtu siç e ka bë obligim Zoti Famëlartë nga shtatë qiejt. Në fakt, ai e refuzon zbatimin e urdhrave të Allahut.

Namazi, në vetvete e lufton kryelartësinë, për këtë arsye, ai i cili e falë namazin duhet të përqendrohet dhe të jetë i përulur me tërë qenien e tij.

Përulshmëria është që njeriu ta konsiderojë veten sikurse të jetë  para Madhështisë së Allahut Famëlartë, dhe që ta di vlerën e tij para Zotit Famëlartë, ta di se është i paaftë para Krijuesit në këtë gjithësi. Dhe ta di se çdo gjë që posedon Allahu mund të ia humb në çdo çast. Kjo nga shkaku se ne jetojmë në botën e ndryshimeve.

Për këtë arsye, t’i nënshtrohemi Atij i Cili nuk ndryshon. Dhe ta dimë se, çdo gjë që e arrin njeriu është prej Zotit dhe nuk e arrin prej vetes së tij.

Ata të cilët mashtrohen ndaj ekzistimit të shkaqeve, u themi: Adhurojeni dhe nënshtrojuni Dhuruesit të shkaqeve dhe Krijuesit të atyre shkaqeve. Kjo nga shkaku se shkaqet nuk funksionojnë vetvetiu.

Zoti Famëlartë i bën ndryshimet e ditëve. Pra, ndryshojnë te njerëzit:

– Njeriu krenohet me forcën e tij, pastaj vjen një tjetër edhe më i fortë dhe e mposhtë atë.

– Njeriu krenohet me pasurinë e tij, pastaj për një moment i humb ajo pasuri.

Lexo ajetin Kur’anor:

“Në qoftë se juve u preku çka u dhemb (në Uhud), edhe atë popull (armikun) e pat prekur dhembje si kjo e juaja (në Bedr). Ne, këto ditë i ndërrojmë (u japim në përdorim) mes njerëzve për t’u ditur te Allahu ata që besuan dhe për t’i zgjedhur disa prej jush për dëshmorë (ose dëshmues). Allahu nuk i do zullumqarët.” (Ali Imranë: 140).

Për këtë arsye duhet ta kuptojmë se njeriu i cili ngritet nëpërmjet shkaqeve, do të vijë një kohë që shkaqet nuk i japin asgjë. Njeriu i cili arrin në kulminacion nëpërmjet shkaqeve para njerëzve, dhe në bazë të mendimit të tij, ai mashtrohet me atë mendim.

Ne i themi: Mos u mashtro me të arriturat tua, nëse sot je lartë, nesër mund të ndryshojë situata. Frikë respekti i takon vetëm Allahut.

Kush janë frikë respektuesit?

Frikërespektuesi është ai i cili respekton Allahun, ndalohet nga ndalesat dhe duron në caktimet e Zotit. Ai është i cili ka bindje të thellë se çështjet janë vetëm në kompetencë të Zotit, dhe të asnjë force tjetër. Frikësohet prej Atij i Cili e ka krijuar atë dhe i Cili e ka krijuar gjithësinë.

Të frikërespektuarit janë ata të cilët bëjnë krahasimin e respektit me shpërblim të mëkatit, me dënim dhe ndëshkim. Kjo nga shkaku se ai i cili largohet nga obligimet për shkak të vështirësisë, e mënjanon obligimin i cili sjell shpërblim dhe obligimi bëhet i rëndë.

Ai i cili shkon për të bërë mëkat, nuk e mendon se mëkati sjell dënim, ashtu që mëkatet i duken të lehta. Kështu, besimtari vështirësitë e obligimeve i kryen me dashuri, e pastaj Zoti Famëlartë ia lehtëson dhe e bën që të ndiej kënaqësinë e kryerjes së obligimeve, që t’i lehtësohen vështirësitë. Po ashtu Allahu e mbështetë.

Frikërespektuesi dhe ai i cili i përulet Allahut ndjen ëmbëlsi. Për këtë arsye, kur ishte koha e namazit, pejgamberi a.s. i thoshte Bilallit: “Na qetëso me thirrjen e ezanit të namazit o Bilall”.

Sa i përket namazit, Zoti Famëlartë na ka mësuar se është thelbi i adhurimit. “Dhe ajo është e rëndë, përpos për frikërespektuesit” (Bekare: 45).

Kështu pra, obligimet fillimisht janë të rënda. Përderisa janë të rënda, nevojitet besim i fortë dhe bindje e thellë, ashtu që ai i cili i kryen ato obligime edhe pse janë të rënda, Allahu do t’i jep lumturi të madhe.

Për këtë arsye, kur të grumbullohen shpërblimet në zemrën e besimtarit, ai i kryen detyrat me dashuri.

Për këtë arsye, disa të devotshëm kanë thënë: Zoti im, frikësohem se ndoshta nuk shpërblehem për kryerjen e detyrave, ngase më janë bërë të dashura në veten time.

Zoti Famëlartë thotë:

“ Është e sigurt se kanë shpëtuar besimtarët: ata të cilët janë të përulur dhe janë të kujdesshëm gjatë faljes së namazit.” (Muëminunë: 1-2).

Fjala “shpëtim” është për të mirën më të madhe të cilën e realizon shpirti i njeriut. Prej shkaqeve të para të shpëtimit për besimtarin është frikërespekti gjatë namazit. Pa të, çështja e namazit është e zbrazët. Kjo nga shkaku se namazi është shenjë e besimit.

Sa i përket asaj se namazi është shkak i fitimit, kjo varet prej përqendrimit në namaz dhe jo vetëm në kryerjen e namazit, varet prej faljes së namazit në formën e duhur për ta kënaqur Atë për të Cilin falesh, duke plotësuar rukunë, sexhden dhe qëndrimin në këmbë në namaz.

Fjala “fitim-shpëtim” burimin e ka nga të punuarit e tokës. O ju muslimanë, ta dini se, sikurse mundoheni duke e punuar tokën nga e cila përfitoni të mira të shumta, po ashtu, nëse mundoheni në kryerjen e adhurimeve në këtë botë, Zoti do t’u jep të mira të shumta në botën tjetër.

Shenja e parë e fitimit është namazi.

Lidhja e besimtarit në namaz nuk është vetëm me shprehjet në namaz. Ai i cili nuk falet nuk është besimtar. Namazi është atribut i pandashëm i atributeve të besimtarit. Mirëpo, Zoti Famëlartë dëshiron të na e sqarojë se fitimi i besimtarit nuk është vetëm në kryerjen e namazit, por në frikërespektin në namaz. Frikërespekti realizohet duke qetësuar dhe siguruar zemrën si dhe ndjenjën se je duke qëndruar para Zotit.

Frikërespekti e ka kuptimin e qetësimit të zemrës, ndërsa qetësimi i zemrës e ka kuptimin e përqendrimit në kryerjen e namazit, ashtu që të mos bëhet angazhim në diçka tjetër. Kjo nga shkaku se Allahu nuk e ka bë njeriun me dy zemra. Zoti i Madhërishëm thotë:

“Allahu nuk krijoi dy zemra në gjoksin e asnjë njeriu.” (Ahzabë: 4).

Përderisa je para Zotit, atëherë angazhimi le të jetë me Allahun, saqë të devotshmit kanë thënë: Ai i cili tenton të dijë se cilin e ka në krahun e djathë të rreshtit dhe cilin e ka në krahun e majtë të rreshtit, atij i prishet namazi.

Omeri r.a. kur ka hy në xhami dhe e ka pa një njeri duke u falur dhe ai e lëvizte dorën në mjekrën e tij, i ka ra në dorë dhe i ka thënë: “Po të frikësohej zemra jote, do të frikësoheshin edhe pjesët tjera të trupit”. Kjo nga shkaku se pjesët e trupit lëvizin nga dirigjimi i zemrës, e cila shpërndan gjakun në trup. Zemra, po të angazhohej në diçka tjetër, edhe mendja do të shkonte diku tjetër dhe jo te pjesët e trupit.

Lini një koment