HISTORIA E MISTIKUT DHE ÇËSHTJA E HARRESËS TE MISTIKËT

“HISTORI TË SEHABEVE DHE NJERËZVE TË MIRË”

Autor: Muhamed Mutevel-li Sharavi.

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Kur e kanë pyetur një mistik për sexhden e harresës ka thënë: Te fukahatë, harresa në namaz plotësohet me sexhden e harresës, mirëpo tek ne, te mistikët: “Kush harron në namaz, e vrasim”. Kjo nga shkaku se Zoti Famëlartë meriton që të mos anashkalohet gjatë një periode të shkurtë të namazit.

Zoti Famëlartë, të ka lënë të paangazhuar për 23 orë gjatë ditës, dhe nuk merr nga ti më shumë se gjysmë ore për falje të pesë kohëve të namazit. Kjo është koha e namazit kur ti qëndron para Zotit Famëlartë. Në këtë kohë të shkurtë ku qëndron para Allahut është për të mirën tënde sepse qëndron në vetmi me Zotin tënd, ashtu që të marrësh energji, mbështetje dhe rreze drite. E gjatë kësaj kohe të shkurtë, prej gjithë asaj kohe tjetër të mos i kushtosh vëmendje Zotit tënd!? Kjo nuk është e drejtë, dhe nuk lejohet kurrë! Për këtë arsye, përulshmëria në namaz është prej shenjave të të mirëve.

Zoti Famëlartë thotë:

“Thuaj: “I besuat ju atij ose nuk i besuat (atij nuk i bëhet dëm), e atyre që u është dhënë dijeni (nga librat e parë) para tij, kur u lexohet atyre, ata hidhen me fytyra (përdhe) duke i bërë sexhde”. Dhe thonë: “I lartësuar është Zoti ynë, premtimi i Zotit tonë është realizuar”. Dhe duke qarë hidhen me fytyra (kur e dëgjojnë Kur’anin) dhe ai ua shton edhe më përuljen (ndaj Allahut.” (Isra: 107-109).

Fjala “edhkanë” është shumës i fjalës “dhukn”.

Fjala “dhuknë” është pjesa e poshtme e nofullës (mjekrës).

Ata nuk nxitojnë vetëm me fytyrat, por me fytyrën, me hundën dhe me mjekrën. Ky është argument i të përqendruarit në sexhde.

“Dhe u shtohet përulshmëria”.

Pra, çdo herë kur dëgjojnë ajet prej ajeteve të Kur’anit, shtohet përulshmëria dhe frika ndaj Zotit.

Për ta, Zoti Famëlartë thotë:

“E, besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, të cilëve kur përmendet Allahu u rrëqethen zemrat e tyre, kur u lexohen ajetet e Tij u shtohet besimi, dhe që janë të mbështetur vetëm te Zoti i tyre.” (Enfalë: 2).

“Vixhl” është frika dhe dridhja e cila rezulton rrëqethje të trupit dhe të zemrës. Përmendja ndaj Zotit i nxitë besimtarët që të frikësohen. Kjo nuk është në kundërshtim me thënien e Zotit Famëlartë:

“Ata të cilët i qetësojnë zemrat e tyre duke përmendur Zotin. Pra, me përmendje ndaj Zotit, qetësohen zemrat.” (Raëd: 28).

E vërteta është se nuk ka kundërshtim në mes të dy thënieve. Kjo, ngase përmendja ndaj Zotit vjen në momente të ndryshme:

– Nëse njeriu e tepron me veten e vet, i dridhet zemra kur ta përmend Zotin, ngase e ka kundërshtuar programin e Tij.

– Nëse njeriu zbaton të drejtën e Allahut në çdo vepër varësisht prej kapacitetit, atij i qetësohet zemra që në momentin kur e përmendë Zotin. Kjo ngase e ka zbatuar programin e Zotit sa ka pasur mundësi.

Për këtë arsye, që të dy konceptet janë përmbledhur në një ajet, ku Zoti Famëlartë thotë:

“Allahu e shpalli të folmen më të mirë, librin, të ngjashëm në mrekulli, të përsëritur herë pas here (me këshilla e dispozita), që prej (dëgjimit të) tij rrëqethen lëkurat dhe zemrat e tyre.” (Zumer: 23).

Lëkurat rrëqethen nga frika dhe dridhen nga frika ndaj Allahut Famëlartë, pastaj zbuten dhe qetësohen në atributin përkëdhelës të Zotit Famëlartë.

Kështu e shohim se lëkurat rrëqethen nga kërcënimi me zjarr të xhehenemit që në momentin e leximit të asaj çka e përmend Kur’ani. Pas kësaj vjen mëshira, e në këtë rast nuk zbuten vetëm lëkurat e trupit, por zbuten dhe qetësohen edhe zemrat. Kjo nga shkaku se zemrat i japin siguri secilës pjesë të trupit.

Besimi i lëkund të gjitha pjesët e trupit të njeriut.

Lini një koment