HISTORIA E EBU HANIFES DHE HUADHËNËSIT

“HISTORI TË SEHABEVE DHE NJERËZVE TË MIRË”

Autor: Muhamed Mutevel-li Sharavi.

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

 O njeri, nëse do nderë dhe krenari, atëherë atë nderë dhe krenari bëje që të jetë krenaria më e lartë, kërkoje krenarinë tek Allahu. Për këtë arsye Zoti Famëlartë na ka nderuar, deri sa ne jemi krijesat e Tij. Kjo përshkruhet me atë se Zoti Famëlartë nuk e ka bërë që të varfrit t’i jepet hua, por Zoti Famëlartë thotë:

“Ai i cili i jep Allahut hua të mirë, Ai ia shton atij (atë huazim).” (Bekare: 245).

Këtu, Allahu e ngritë njeriun e varfër në nivelin më të lartë të krenarisë. Nuk i jepet hua njeriut, por Allahu ka kërkuar t’i jepet hua Atij (Allahut).

Edhe pse pasuria është pasuria e Allahut, Zoti e ka nderuar njeriun duke i dhënë pasuri dhe pastaj ka kërkuar që një pjesë të asaj pasurie të ia jep vëllait nevojtar për të fituar kënaqësinë e Allahut. Këtë vepër Zoti e llogarit si huazim Allahut Famëlartë. Dhe kjo i bie se ai i cili i jep pasuri Allahut, ai i ka dhënë hua Allahut.

Në këtë, specifikohen dhe dallohen edhe i pasuri edhe i varfri:

–    I pasuri dallohet dhe nderohet me atë se i ka dhënë hua Allahut.

–    I varfri dallohet dhe nderohet me atë se Allahu ka marrë hua për atë të varfër.

Në esencë pasuria nuk është qëllim, por është mjet. Nëse i pasuri nuk i jep të varfrit, ai, atë pasuri e ka bë qëllim i cili nuk i sjellë dobi. Mirëpo, nëse i pasuri një pjesë të pasurisë ia jep të varfrit, atëherë asaj pasurie ia ka dhënë rolin e saj në atë se është mjet prej mjeteve të saj. Ti, me pasuri blen atë çka mendon se të bën dobi, dhe ti dëshiron atë që më së shumti të bën dobi, e ajo është kënaqësia e Zotit Famëlartë dhe shpërblimi prej Tij.

Zoti Famëlartë e ka cilësuar se huaja është “e mirë”, ashtu që të mos të bëhet ajo hua kamatë. Shembullin më të mirin e shohim te Ebu Hanife, i cili ishte ulur nën hijen e shtëpisë së një njeriu.

Pastaj, i njëjti njeri i merr Ebu Hanifes hua një shumë të hollash.

Ditën tjetër, huadhënësi shkon te shtëpia, kur e sheh se Ebu Hanife ishte ulur larg nga hija e shtëpisë. Pronari i shtëpisë i thotë: Pse po qëndron larg?

Ebu Hanife i thotë: Frikësohem se mos po bëhet si lloj kamate.

Pronari i shtëpisë i thotë: Mirëpo para borxhit qëndroje këtu?

Ebu Hanife i thotë: Kam qëndruar se ti më ke nderuar me hijen e shtëpisë tënde, ndërsa tani frikësohem të ulem nga shkaku se ndoshta më nderon se të kam dhënë borxh.

Borxhi i mirë është borxhi i cili nuk njolloset me nënçmim, ose me ndonjë interes. Kjo nga shkaku se borxhi ka rëndësi. Zoti Famëlartë ka vendosur rregulla:

“O ju besimtarë, nëse jepni borxh për një kohë të caktuar, regjistrojeni.” (Bekare: 282).

Zoti Famëlartë e siguron vet borxhmarrësin. Kjo nga shkaku se e di se borxhi është i regjistruar dhe angazhohet maksimalisht për ta larë atë borxh. Në këtë mënyrë përfiton edhe shoqëria.

Kur të regjistrohet borxhi, kjo është një çështje e cila nxitë dhe motivon për t’u larë ai borxh. Përderisa nëse borxhi nuk regjistrohet, mund të rrjedhin gjëra të cilat ndikojnë që ai borxh të harrohet.

Po të ndodhte kjo, atëherë nuk do të kishte njeri që do të ndihmonte në çfarëdo rast vështirësie. Zoti Famëlartë dëshiron që shkaqet e punës dhe të aktivitetit të jenë permanente.

Për këtë arsye në gjuhën popullore thuhet: “Kush merr dhe jep, pasuria e botës bëhet pasuri e tij dhe çdo gjë bëhet e tij.”

Për këtë arsye Zoti Famëlartë thotë:

“Dhe mos përtoni për ta shkruar atë dhe afatin e tij, i vogël qoftë ose i madh, sepse kjo është më e drejtë te Allahu, më e fortë për dëshmi dhe më afër mosdyshimit.” (Bekare: 282).

Kështu mbrohet njeriu nga xhelozia dhe në të njëjtën kohë Zoti nuk e pengon besimin e ndërsjellët ku thotë:

“E nëse i besoni njëri-tjetrit, atij që i është besuar le ta zbatojë atë (amanetin) që i është besuar.” (Bekare: 283).

Kështu, Zoti Famëlartë e siguron ekonominë në shoqërinë Islame.

Lini një koment