“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1
Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli
Përktheu: Dr. Musli Vërbani
–
Jeta e njeriut është fakultet dhe arenë e garimit për vepra të mira dhe konkurrencës, veprim dhe begati, vuajtje dhe ndërtim. Patjetër se faqja e jetës së njeriut duhet të ketë fundin dhe të përfundojë me vdekje:
– Kush vepron mirë është i lumtur në këtë botë dhe në botën tjetër.
– Kush nuk i kryen detyrat, ai është vetmashtruar dhe vettradhtuar.
Nuk mund të ketë jetë pa vështirësi dhe pa fatkeqësi, pa sprova dhe pa telashe.
Nuk mund të ketë jetë pa sprova në pasuri dhe në fëmijë.
Besimtarët vazhdimisht ballafaqohen me lloj-lloj vështirësi, me lloj-lloj ofendime, mirëpo patjetër duhet të durojë dhe të mbështetet në Allahun, i Cili i cakton çështjet dhe vepron siç dëshiron.
Për këtë arsye, Kur’ani fisnik ka tërhequr vërejtjen që të mos lëshohet rasti para se ta befasojë vdekja. Allahu i Madhërishëm thotë:
Ajetet 185 dhe 186:
Secili njeri do të shijojë vdekjen, e shpërblimet tuaja u plotësohen Ditën e kijametit, e kush i shmanget zjarrit e futet në Xhenet, ai ka arritur shpëtim, e jeta e kësaj bote nuk është tjetër pos një përjetim mashtrues. (185) ۞ Ju patjetër do të sprovoheni si në pasurinë tuaj, si në veten tuaj, madje do të dëgjoni ofendime të shumta prej atyre që u është libri para jush, e edhe prej idhujtarëve, po në qoftë se duroni dhe ruheni, ajo është gjëja më vendimtare. (186)
Këto ajete fisnike, në njërën anë janë këshillë për pejgamberin a.s. dhe për umetin e tij, për çështjet e kësaj bote dhe të familjeve të tyre dhe në anën tjetër janë premtim fisnik për botën tjetër. Çështjet lehtësohen kur të kujtohet vdekja. Askush të mos brengoset nëse në këtë botë i ndodhin vështirësi, probleme dhe ofendime. Çdo njeri shkon drejt vdekjes.
Cilitdo që i ndodhë ndonjë e keqe në çështje të vetes së tij, në çështje të fesë së tij dhe në çështje të shoqërisë së tij, ajo e keqe është e kufizuar dhe e përkohshme, nuk ka nevojë të digjet dhe të ndiejë dhimbje sepse do të shpërblehet me shpërblim të mirë.
Kush është besimtar i cili vepron të mira, e fiton shpërblimin e merituar dhe nuk i pakësohet në botën tjetër.
Kush shpëton nga zjarri dhe hyn në xhenet, ai ka arritur fitore të madhe nga shkaku se shpirti i tij është stolisur me cilësi të mira dhe ka dominuar mbi të këqijat dhe me vepra është orientuar në kënaqësinë e Allahut të Madhërishëm.
Jetën të cilën e jetojmë dhe angazhohemi përbëhet prej pijes dhe ushqimit dhe prej çështjeve abstrakte si fama, pozita. Vetëm çështjet shpenzuese mund t’i shfrytëzosh dhe t’i përjetosh dhe pastaj me shpejtësi asimilohen. Ai i cili zhytet në këtë botë dhe elementet e saj, ai gjithmonë është i vetmashtruar dhe vettradhtuar, nga shkaku se jeta e kësaj bote dhe çdo gjë tjetër në të si, pasuria dhe kënaqësia, janë të pakta, kësisoj njeriu mashtrohet dhe e dëshiron të pavlefshmen. Njeriu i logjikshëm duhet të mos mashtrohet në këtë botë dhe mos të dashurohet tepër në të sepse e godet e keqja kur të ndahet prej saj. Kjo botë është ura e botës tjetër. Kush e kalon këtë urë me vepra të mira për veten e tij dhe për umetin e tij, ai ka qëlluar në cak dhe ka treguar zgjuarsi.
Kjo botë nuk është pa lodhje, pa vështirësi dhe pa fatkeqësi. Njeriu ballafaqohet me lloj-lloj ofendimesh dhe me lloj-lloj vështirësish si brenda umetit dhe atdheut, si nga armiqtë jashtë atdheut. Patjetër duhet kaluar testin e vështirë të jetës në pasuri dhe familje. Testi në pasuri është të shpenzohet për Allahun duke shpenzuar pasurinë në të gjitha nevojat dhe në të gjitha llojet e bamirësisë.
Testi i jetës (shpirtit) është kur kërkohet mbrojtja dhe lufta në rrugë të Allahut, ku mund të ndodhë vdekja ose vrasja në luftë dhe në forma tjera për t’i ndihmuar umetit.
Në çdo gjeneratë muslimanët ballafaqohen me sprova dhe komplote prej idhujtarëve dhe pasuesve të librit, përjetojnë vuajtje të shumta në familje, nderë dhe duke u kritikuar për fenë, për Kur’anin dhe për pejgamberin, siç shohim nga deklaratat e udhëheqësve të vendeve armike të ndryshme, në libra, në revista dhe në mjete elektronike, mirëpo arma më e mirë dhe më e dobishme është durimi dhe devotshmëria.
Durimi nga kurthet dhe shpëtimi prej tyre. Devotshmëria në Allahun fshehurazi dhe haptazi duke zbatuar urdhrat dhe duke u larguar nga ndalesat. Kush duron dhe bëhet i devotshëm, Allahu me mëshirën e Tij e shpërblen dyfish. Durimi dhe devotshmëria janë bazë e çështjeve, pra çka duhet vendosmëri në çështje. Ky është argument i vullnetit të fortë, të urtësisë, i logjikës dhe i maturisë.
Me një fjalë, qëllimi i jetës është veprimi dhe ndërtimi, faktorët e suksesit në këtë botë janë: Durimi dhe vullneti, devotshmëria dhe sinqeriteti në punë.