“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1
Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli
Përktheu: Dr. Musli Vërbani
–
Sqarimet e Zotit në Kur’anin fisnik në shumë vende udhëzojnë për meditim, analizë dhe studim, hulumtim, edhe në çështje më të thjeshta të gjithësisë.
Po ashtu edhe u sqaron njerëzve dhe u ka paraqitur argument të prerë se ekziston Zoti Krijues, i Cili ka krijuar qiejt dhe tokën. Krijesat në ekzistencë janë argument i qartë për shkencën. Është absurde të ekzistojë e krijuara pa Krijuesin. Është absurde që Krijuesi të mos jetë i Ditur, i pavullnet dhe as i gjallë. Allahu i Madhërishëm thotë:
Ajetet 190-195:
Në krijimin e qiejve e të tokës, në ndryshimin e natës dhe të ditës, ka argumente të qarta për ata që kanë arsye dhe intelekt. (190) Për ata që Allahun e përmendin me përkujtim kur janë në këmbë, kur janë ulur, kur janë të shtrirë dhe thellohen në mendime rreth krijimit të qiejve e të tokës (duke thënë): Zoti ynë, këtë nuk e krijove kot, i lartësuar qofsh, ruana prej dënimit të zjarrit! (191) Zoti ynë, atë ti e fute në zjarr, atë e ke poshtëruar; për mizorët nuk ka ndihmëtarë! (192) Zoti ynë, ne dëgjuam një thirrës që ftonte për besim (e që thoshte): Të besoni Zotin tuaj! E ne besuam! Zoti ynë, na i falë mëkatet tona, na i mbulo të metat dhe pas vdekjes na bashko me të mirët! (193) Zoti ynë, jepna atë që nëpërmjet të dërguarve Tu, na e premtove dhe në Ditën e kijametit mos na turpëro; vërtet Ti je Ai që nuk e shkel premtimin!” (194) Zoti i tyre iu përgjigj lutjes së tyre (e tha): Unë nuk ia humb mundin asnjërit prej jush, mashkull qoftë apo femër. Ju jeni njëri nga tjetri por ata që u dëbuan prej shtëpive të tyre dhe emigruan, u munduan vetëm pse ishin në rrugën Time, luftuan dhe u vranë, atyre patjetër do t’ua shlyej mëkatet e tyre dhe do t’i vejë në Xhenete në të cilët burojnë lumenj. Ai është shpërblim nga ana e Allahut, se më i miri i shpërblimeve është te Allahu. (195)
Ibn Habani transmeton në sahihun e tij dhe Ibn Ebi Hatemi nga Aishja r.a. se pejgamberi a.s. ka thënë: “Oj Aishe, a më lejon që të adhuroj natën Zotin tim?
Ndërsa unë i kam thënë: O i dërguar i Allahut, unë të kam lejuar ty, por dëshiroj të jem afër me ty dhe dëshiroj atë që dëshiron ti.
Shkon te uji i cili ishte në shtëpi, merr abdes, nuk shpenzoi ujë të tepërt, pastaj është falur. Pastaj ka lexuar pjesë të Kur’anit dhe ka qarë deri sa lotët i bien në tokë. Pastaj është ulur. E ka falënderuar dhe e ka lavdëruar Allahun. Pastaj ka filluar të qajë. Pastaj i ka ngritur duart lartë. Pastaj ka qarë deri sa e kam parë se lotët e tij e kishin përfshi tokën.
Ka ardhur Bilali që ta thërret ezanin për namazin e sabahut, e sheh duke qarë dhe i thotë: O i dërguar i Allahut, po qanë përderisa Allahu t’i ka falur gabimet e së kaluarës dhe gabimet e së ardhmes.
I përgjigjet: O Bilal, e pse të mos jem rob falënderues. Pastaj ka thënë: E pse të mos qajë kur në këtë natë Allahu i Madhërishëm ka zbritur ajetet: “Pa dyshim se në krijimin e qiejve dhe të tokës…” Pastaj ka thënë: Mjerë për ata të cilët i lexojnë këto ajete dhe nuk i mendojnë dhe nuk i analizojnë.”
Këto ajete udhëzojnë për te argumentet e ekzistimit të Zotit, e ato janë:
– Krijimi i qiejve dhe tokës;
– Zëvendësimi i natës me ditë;
– Në qiej qëndrojnë planetët, trupat qiellor, yjet dhe sistemet kozmike;
– Në tokë janë magazinat e furnizimit prej të lashtave, lisave, lumenjve, xeheve, të ngurta dhe të lëngëta;
– Nata dhe dita janë të organizuara dhe ndryshojnë varësisht prej stinëve, ndonjëherë më të gjata ndonjëherë më të shkurta. Ndryshojnë në ndriçim dhe në errësira.
Në të gjitha këto ka shenja për studiuesit se Zoti ekziston. Studiuesit (shkencëtarët) janë ata të cilët hulumtojnë dhe analizojnë çka ka në qiej, në tokë dhe në mes tyre. I mendojnë begatitë e Allahut dhe të mirat e tij në çdo mënyrë, si në këmbë, ulur, në shoqëri por edhe individualisht. Ata përkujtojnë me zemër dhe me mendje derisa të qetësohen shpirtërisht: “Pra, duke përmendur Allahun qetësohen zemrat.” (Err-Rraëd: 28)
Pastaj bindjen e tyre e përkthejnë me gjuhë. E përmendin Allahun shpesh, e Lavdërojnë dhe e madhërojnë ditë e natë.
Këta, të cilët e përmendin Allahun dhe zemrën e kanë të mbushur me fakte deklarojnë: Zoti ynë, këto nuk i ke krijuar kot, por patjetër se për këto krijesa ka përfundim dhe pastaj llogaridhënie dhe shpagim.
Zoti ynë, mos na ndëshko me dënim të zjarrit, me dëshirën dhe përkujdesjen Tënde na largo prej zjarrit, atë të cilin e vendos në zjarr, e ke poshtëruar dhe nënçmuar, për pabesimtarët kriminel nuk ka përkrahje dhe ndihmë.
Zoti ynë, ne kemi dëgjuar pejgamberin udhëzues i cili thërret në besim, ne kemi besuar në Zotin tonë dhe kemi dëshmuar dhe kemi vërtetuar shpalljen e pejgamberit.
Zoti ynë, na fal mëkatet tona dhe fshiji të këqijat tona, na bën që të vdesim dhe na tubo me njerëzit e mirë, të dobishëm dhe të qëndrueshëm. Na bën prej tyre në të gjitha urtësitë dhe veprimet e tyre.
Zoti ynë na ndihmo neve kundër armiqve tanë, na jep çka na ke premtuar, shpërblimin e mirë, fitoren në këtë botë dhe begatitë në botën tjetër. Ti i realizon premtimet dhe mos e vono kohën e realizimit të premtimit.
Allahu u është përgjigjur lutjes së këtyre besimtarëve dhe për çdo vepër jep shpërblim të plotë, pa e munguar aspak dhe nuk ka dallim se a është mashkull apo është femër, por shpërblimi është i drejtë, i barabartë dhe i plotë.
Burri është i lindur nga femra, gruaja është nga lloji i burrit në krijimtari dhe formësim.
Muhaxhirët (emigrantët) të cilët i kanë lënë shtëpitë dhe pasurinë dhe janë ballafaquar me vështirësi dhe me rrezik të jetës, e kanë të siguruar se do t’u fshihen të këqijat e tyre dhe do t’u falen mëkatet e tyre dhe do të vendosen në xhenetet me begati të shumta.
Kjo është mirësi dhe begati e Allahut. Përfundimi është se, shpërblimi shkon paralelisht me veprën dhe nuk ka dallim në mes të mashkullit dhe femrës në punë dhe në shpërblim.