“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1
Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli
Përktheu: Dr. Musli Vërbani
–
Prej obligimeve të shenjta është që dijetarët e fesë të jenë besnik në veprat e tyre nga dituritë e përfituara nga librat e Zotit. T’u transmetojnë njerëzve dhe të veprojnë vet dhe të mos fshehin asgjë sepse ato janë dispozita dhe ligje të Allahut të cilat i ka zbritur për zhvillim dhe lumturi, sigurimin e paqes dhe të qetësisë, sigurimin e të drejtave të përgjithshme dhe të veçanta. Ky është besatimi i dijetarëve sikurse janë besatimet dhe marrëveshjet të cilat i lidhin njerëzit në mes vete.
Zbatimi i marrëveshjeve është obligativ. Allahu i Madhërishëm thotë:
Ajeti 187:
Dhe kur Allahu mori zotimin nga ata që iu pat dhënë libri: që gjithqysh t’ua publikoni atë njerëzve, e të mos e fshihni, por ata e lanë pas dore atë për pak send të kësaj jete; pra, bënë punë të keqe. (187)
Këto ajete i drejtohen pasuesve të librit bashkëkohanikë të pejgamberit a.s., por në të njëjtën kohë është komunikim i përgjithshëm për ata dhe për të tjerët pas tyre.
Përmbajtja e saj është që, Muhamedi a.s. të ua përkujtojë atyre marrëveshjen e Besës. Ajo besë ka qenë marrëveshje (besë) të cilën e ka marrë Allahu nga pasuesit e librit nëpërmjet pejgamberëve, ku janë përbetuar se librin e Allahut do t’ua paraqesin njerëzve dhe do t’ua sqarojnë dhe nuk do ta deformojnë nga tematika e saj, ashtu që njerëzit ta kuptojnë dhe të veprojnë me të.
Mirëpo, pasuesit e librit, këtë marrëveshje e kanë hedhur pas shpine dhe e kanë ndryshuar për çmim të vogël të kësaj bote kalimtare si f.v. për pozitë, për pasuri të harxhueshme dhe kanë humbur nga kjo marrëveshje, ashtu që të përgjithmonshmen e kanë këmbyer me të përkohshmen. Nuk ka tregti më të keqe dhe nuk ka këmbim më të keq se këmbimi i tyre. Në hadithin të cilin e ka transmetuar Ahmedi dhe të tjerët nga Ebu Hurejre r.a. Muhamedi a.s. ka thënë: “Kush pyet për diçka të diturisë (profesionit) së tij dhe ai e fsheh, në Ditën e gjykimit ai do të gjuhet me gaca të gacave të xhehenemit”.
Nëse një dijetar fetar informohet për një ligj të sheriatit, ai duhet të jetë besnik në transmetimin e asaj informate, i mprehtë në perceptimin e saj, nuk duhet ta devijojë as ta ndryshojë dhe të mos falsifikojë asgjë, të mos i fsheh çështjet dhe faktet, të mos kërkojë lavdërim për atë veprim duke e shtrembëruar apo duke e ndryshuar atë informatë. Nëse vepron ashtu, ai është dexhall gënjeshtar. Ajetin e lartpërmendur Allahu e pason me ajetet në vijim:
Ajetet 188 dhe 189:
Mos mendo se janë të shpëtuar ata që gëzohen për atë që bënë (e fshehën çështjen tënde) dhe dëshirojnë të jenë të lavdëruar për atë që nuk e punuan, mos llogarit shpëtim për ta (nuk e thanë të vërtetën), ata kanë një dënim të dhimbshëm. (188) Vetëm Allahut i takon sundimi i qiejve e i tokës dhe Allahu është i gjithëfuqishëm për çdo send. (189)
Siç transmeton Buhariu dhe Muslimi hadithin nga Ebi Seid el-Hudriji se disa hipokritë i janë besatuar pejgamberit a.s. se do të marrin pjesë në luftë. Kur ka përfunduar lufta ata janë arsyetuar duke thënë: Kemi pasur angazhime tjera. Pejgamberi a.s. ua ka pranuar arsyetimin dhe është lutur për ta. Pastaj Allahu ka zbritur këtë ajet sepse gëzoheshin kur nuk merrnin pjesë në luftë dhe arsyetoheshin. Ata dëshironin t’u thuhej: Ata janë në rangun e luftëtarëve, mirëpo angazhimi i kishte penguar nga lufta dhe kishin arsyetim për mospjesëmarrje.
Një pjesë e komentatorëve kanë thënë: Ky ajet ka zbritur për shkak të pasuesve të librit, pra të rabinëve jehudë. Këtë e kanë bazuar nga Ibni Abasi i cili ka thënë: Ajeti (në fjalë) ka zbritur për disa njerëz të cilët pejgamberi a.s. i ka pyetur për diçka, mirëpo ata e kanë fshehur të vërtetën dhe kanë thënë diçka tjetër. Për këtë veprim janë gëzuar dhe kanë dashur që të lavdërohen. Ata kanë menduar se përgjigjja e tyre është pranuar si e drejtë dhe se Muhamedi është dakorduar me atë përgjigje.
Ata pjesëtarë të pasuesve të librit gëzoheshin se u është dhënë rasti të interpretonin dhe të ndryshonin librin. E shihnin veten si të nderuar sepse ata ishin prijatarë për t’u drejtuar sipas tyre. Ky gëzim ishte i pavend sepse i ndryshonin faktet dhe i shtrembëronin ato. Për këta ka lajmëruar Kur’ani fisnik se ata do të ndëshkohen në botën tjetër, dënimi për ta do të jetë i rreptë dhe i dhimbshëm.
Dijetarët duhet t’ua sqarojnë njerëzve të vërtetën e librit të Allahut dhe ligjin e drejtë të sheriatit. Nëse e kryejnë detyrën dhe e tregojnë të vërtetën dhe realitetin, Allahu i shpërblen për detyrën e tyre dhe u ndihmon kundër armiqve dhe i shpërblen për atë qasje të drejtë të tyre, ata janë më meritorët dhe duhet nderuar dhe respektuar. Ai i cili i shpërblen për punën e tyre është Allahu, Sundimtar i qiejve dhe i tokës. Jep dhe pengon, përul dhe lartëson. Ai ka mundësi për çdo gjë. Ka mundësi t’i ndihmojë atij i cili i ndihmon fesë dhe ligjit të Tij dhe e shkatërron atë i cili mundohet ta dobëson fenë dhe ligjin e Tij.
U bë e qartë se detyra e dijetarëve është e shenjtë, e ajo është sqarimi i fesë dhe t’u tregohet realiteti i fesë jomuslimanëve, me metodologji të lehtë dhe të qartë. Ta mësojnë dhe ta kuptojnë esencën e ligjësimeve, derisa të udhëzohen, po ashtu edhe besimtarëve t’u sqarohet derisa të orientohen dhe të kuptojnë esencën e ligjeve pa e shtrembëruar, pa lënë mangë, por duke e sqaruar drejtë dhe me sinqeritet.