Vendi (pozita) e dëshmorëve, luftëtarëve dhe shpërblimi për ta

“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1

Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Konfliktet janë të vjetra, kanë ndodhur në mes të fetarëve, të drejtëve dhe armiqve të tyre të cilët i kundërvihen ftesës së pejgamberëve, të cilët lakmojnë t’i ruajnë interesat e kësaj bote, pozitat e tyre dhe dominimin e tyre dhe nuk lejojnë që të dobëtit të kenë fuqi dhe respekt, fisnikëri dhe pasuri. Për këtë arsye janë zhvilluar luftërat në mes të dy taborëve. Kështu që, xhihadi dhe mbrojtja nga armiku është bërë çështje obligative dhe e domosdoshme. Përgatitja për të rënë dëshmorë dhe për të sakrifikuar në shoqëri është proces i pashmangshëm dhe obligativ. Islami ka paraparë pozitë të veçantë për dëshmorët në këtë botë, duke i përkujtuar dhe duke e lavdëruar veprën e mirë të tyre dhe janë veçuar me furnizim të xhenetit në varrezat e tyre që nga momenti i vrasjes së tyre, ashtu që jeta e tyre të jetë e përgjithmonshme sepse vetëm i gjalli furnizohet:

Ajetet 169-175:

Kurrsesi të mos mendoni se janë të vdekur ata që ranë dëshmorë në rrugën e Allahut. Përkundrazi, ata janë të gjallë duke u ushqyer te Zoti i tyre. (169) Janë të gëzuar me atë që u dha Allahu nga të mirat e Tij, dhe atyre që kanë mbetur ende pa i bashkuar radhëve të tyre, u marrin myzhde se për ta nuk ka as frikë dhe as që kanë pse të brengosen. (170) ۞ Ata janë të gëzuar me begati e dhurata që ua dha Allahu, e s’ka dyshim se Allahu nuk ua humb shpërblimin besimtarëve. (171) Të cilët edhe pasi i goditi plaga iu përgjigjën Allahut dhe të dërguarit. E për ata prej tyre që bënë, mirë dhe u ruajtën, është një shpërblimi madh. (172) E atyre (shokëve të pejgamberit) që dikush u tha: “Populli idhujtar është tubuar t’ju sulmon, pra kini frikë!” Ajo, vetëm ua shtoi edhe më shumë besimin e thanë: “Neve na mjafton që kemi Allahun, Ai është mbrojtësi më i mirë!”. (173) Dhe atë pa i gjetur kurrfarë e keqe fituan begati e mirësi të mëdha nga Allahu dhe e arritën kënaqësinë e Tij, Allahu është dhurues i madh. (174) Po atë (propagandë) e bëri vetëm shejtani që dëshironte me miqtë e vet (idhujtarët), t’ju frikësojë, po ju mos u frikësoni prej tyre, frikësomuni Mua, nëse jeni besimtar. (175)

Këto ajete fisnike përmbajnë çështjen e pozitës së dëshmorëve, trimërinë e luftëtarëve në rrugë të Allahut dhe sinqeritetin e veprave të tyre për të fituar kënaqësinë e Allahut.

Transmeton Ahmedi se Ibni Abasi ka thënë: “Pejgamberi a.s. ka thënë: Kur vëllezërit tuaj u vranë në Uhud, Allahu shpirtrat e tyre i bëri me krahë fluturues. U bëri lumenj të xhenetit, ushqeheshin me frutat e xhenetit. Ndriçoheshin me kandila të arit të cilat ishin të varura në hije të Arshit. Kur përjetuan të mirat e ushqimit dhe pijes dhe kushtet e mira kanë thënë: Mjerë për vëllezërit tanë, po ta dinë se çfarë të mire na ka përgatitur Allahu për ne. Pastaj Allahu u ka thënë atyre: “Unë do t’ua kumtoj këtë lajm për ju.” Për këtë shkak kanë zbritur këto ajete.

Këto ajete të dëshmorëve i motivojnë besimtarët për luftë dhe fitoren islame dhe lartësimin e fjalës së Allahut dhe vullnetin për të rënë dëshmorë në rrugën e Allahut, nga shkaku se dëshmorët kanë pozitë të lartë te Zoti i tyre. Ata jetojnë te Zoti i tyre me jetë specifike në botën e panjohur për ne. Allahu i furnizon me të mirat e xhenetit. Në transmetimet e imam Ahmedit dhe të tjerëve, Ibn Abasi tregon se pejgamberi a.s. ka thënë: “Shpirtrat e dëshmorëve janë në një lum prej derës së xhenetit e cila derë quhet “Barik”, nëpërmjet asaj dere nga xheneti ata furnizohen, në mëngjes dhe në mbrëmje”.

Ata dëshmorë gëzohen kur të shohin të mirat e shumta, gëzohen kur ta përjetojnë nderin dhe respektin nga Allahu. Ata gëzohen për vëllezërit e tyre, të cilët kanë qenë pas tyre duke luftuar dhe duke pritur dëshmorinë kur të shohin shpërblimin e madh për ta. Ata jetojnë jetë të përgjithmonshme dhe furnizohen me të mira përgjithmonë, për ta nuk ka frikë nga asgjë dhe nuk pikëllohen për këtë botë. Ata përgëzohen për të mirat e tyre në jetën e tyre, për furnizimin që ju bëhet dhe sigurimin e shpërblimit të madh.

Luftëtarët të cilët e kanë fatin dhe nderin e dëshmorisë, janë ata besimtarë të cilët i janë përgjigjur Allahut dhe të dërguarit të Tij, pasi që kanë pasur dhimbje të mëdha nga plagët e tyre në betejën e Uhudit. Dhe menjëherë i janë përgjigjur ftesës së të dërguarit a.s. kur pas betejës së Uhudit ka kërkuar me shpejtësi për t’u ndeshur me Ebu Sufjanin në vendin Hamraul Esed. Ata kanë vepruar mirë, i janë frikësuar Zotit të tyre dhe i janë frikësuar dënimit. Për ta është përgatitur shpërblim i madh, i cili është në harmoni me angazhimin, përpjekjen dhe sakrificën e tyre. Ata janë të cilëve u thuhej (nga Neim bin Mes’udi)  se njerëzit tjerë, e ata ishin kurejshët, janë tubuar që të gjithë, andaj duhet të frikësoheni dhe mos dilni në front dhe kjo ndodhi ishte në betejën e Bedrit, por përkundrazi, fjalët e besimtarëve ishin edhe më të fuqishme, pasi që ata ishin me besim të fortë në Allahun dhe kishin bindje të fortë në fenë e tyre, ata i janë frikësuar Allahut dhe nuk janë frikësuar prej njerëzve. Ata kishin pikësynim ndihmën dhe përkrahjen prej Zotit dhe thoshin: “Na mjafton Allahu, nuk ka ndihmëtarë më të mirë.” që nënkupton që çështjet tona i ka në dorë Allahu dhe Ai është Ndihmëtari më i mirë.

Këtë shprehje e ka thënë Ibrahimi a.s. kur është hedhur në zjarr.

Këtë shprehje e ka thënë edhe pejgamberi a.s. kur njerëzit kanë thënë: Njerëzit janë rigrupuar kundër jush.

Kur këta luftëtarë i kanë vendosur çështjet në kompetencën e Zotit të tyre, Ai u dha katër të mira:

– Begatinë;

– Vlerën;

– Ua largoi të keqen; dhe

– Kënaqësinë e Allahut.

Allahu jep begati të shumta.

Pjesa e tekstit: “Ai shejtan”, ka për qëllim Neim bin Mes’udin, i cili ishte kundër muslimanëve para islamit, ose,

Pjesa e tekstit: “Ai shejtan”: është Iblisi, i cili ju frikëson juve o ju besimtarë, nëpërmjet përkrahësve të tyre, e ata ishin hipokritët dhe kurejshitët dhe pabesimtarët tjerë, mirëpo ju frikësohuni nga Unë dhe luftoni me pejgamberin tim, nëse jeni besimtarë të vërtetë.

Me një fjalë, besimtari i fortë nuk është frikacak. Dëshmorët janë të gjallë pas vrasjes së tyre, jetojnë jetë specifike të panjohur për ne.

Ata furnizohen në këtë botë nga furnizimet e xhenetit.

Duhet frikësuar vetëm Zotit dhe jo armiqve.

Besimtarët duhet t’i besojnë mbështetjes, përkrahjes dhe ndihmës së Allahut dhe duhet t’i shkelin të gjitha shkaqet e frikës përpos Allahut.

Lini një koment