Udhëzimi i besimtarëve dhe sqarimi i të këqijave të hipokritëve

“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1

Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Disa njerëz gabojnë kur mendojnë se ndihma ndaj armikut duhet të jetë gjithmonë në anën e muslimanëve, pa marrë parasysh qëndrimin dhe gjendjen e tyre dhe pa marrë parasysh a i kundërshtojnë a jo urdhrat e fesë së tyre.

Po ashtu, edhe tjerët gabojnë kur mendojnë se mbrojtja e vendit dhe çlirimi i vendeve të okupuara (uzurpuara) nga okupatori nuk është xhihad në rrugë të Allahut dhe se dëshmorët në raste të tilla nuk janë dëshmorë të cilët shkojnë në xhenet.

Kur’ani ka reaguar për këto dy mendime (opinione) të gabuara. Ka sqaruar këto dyshime se çka ka ndërmjet të vërtetës dhe të drejtës, në mes të iluzionit dhe realitetit, dhe udhëzon në detyrën e besimtarëve që t’i pasojnë shkaqet dhe t’i përmirësojnë gabimet.

Allahu i Madhërishëm, duke e sqaruar të vërtetën, duke dhënë mësim dhe duke treguar për përfitimet nga ngjarjet, duke ua bërë të ditur se, pikëllimi i cili ju ka ndodhur pas betejës së Uhudit ka qenë shkak i tyre, ka thënë:

Ajetet 165-168:

E kur juve u goditi një dështim (në Uhud) e që ju ia patët dhënë atë dyfish (armikut në Bedër), thatë: “Prej nga kjo?” thuaj: “Ajo është nga vetë ju!” S’ka dyshim se Allahu është i plotfuqishëm për çdo send. (165) Ajo që ju goditi juve ditën e ballafaqimit të dy grupeve (besimtarë dhe idhujtarë), ishte me lejen e Allahut, për t’u dalluar besimtarët e sinqertë. (166) Dhe, për t’u ditur ata që ishin hipokritë. E atyre u është thënë: “Ejani e luftoni në rrugën e Allahut ose mbroni vetën!” E ata thanë: “Sikur të dinim se do të luftohej, ne do të vinim pas jush!” Në atë moment ata ishin më afër mosbesimit se besimit. Flisnin me gojët e tyre atë që nuk e kishin në zemrat e tyre, po Allahu e di mirë për atë që fshehin. (167) Dhe ata që nuk luftuan dhe atyre të vetëve u thanë: “Sikur të na dëgjon neve (e të ktheheshin siç u kthyem ne), nuk do të mbyteshim!” thuaju: “Largoje pra vdekjen prej vetes suaj, nëse jeni të sigurt çka thoni?” (168)

Këto ajete fisnike, nëpërmjet qortimit qiellor i udhëzojnë besimtarët dhe të drejtët për shkaqet e disfatës në Uhud. O ju besimtarë, nëse keni pësuar disfatë në Uhud dhe janë vrarë 70 persona, ju i keni mundur idhujtarët në betejën e Bedrit dhe i keni vrarë 70 idhujtarë dhe i keni zënë robër 70 të tjerë. Për disfatën tuaj në Uhud, shkaktarë jeni ju, siç thotë i Madhërishmi: “Thuaj, ajo është për shkakun tuaj.” (Ali Imranë: 165) duke pasur parasysh se Allahu ka pasur mundësi të ju ndihmojë sepse Allahu ka mundësi për gjithçka, asgjë nuk mund të ndodhë jashtë fuqisë së Tij, mirëpo Allahu ka dashur që të ju mësojë nga pësimi i disfatës suaj ashtu që të mos i anashkaloni shkaqet në betejat tjera. Ajo çka ju ka ndodhur në Uhud prej fatkeqësive dhe pikëllimit dhe vrasja e 70 muslimanëve, në ditën kur u takuan dy taborët – dhe dy ushtritë – ushtria e muslimanëve dhe ushtria e idhujtarëve, është me lejen e Allahut, me dëshirën e Tij dhe me përcaktimin e Tij, sepse çdo gjë në ekzistencë i nënshtrohet dëshirës dhe urtësisë së Tij.

Disfata në betejën e Uhudit ka ndodhë:

– Që të kuptohet besimi i besimtarëve dhe hipokrizia e hipokritëve.

– Që të del në pah dhe në praktikë qëndrimi i besimtarëve dhe qëndrimi i hipokritëve.

– Që të dallohet identiteti i besimtarëve dhe identiteti i hipokritëve.

U është thënë hipokritëve: Ejani luftoni në rrugë të Allahut dhe përpiquni të mbroni fenë, të vërtetën dhe të drejtën, për të fituar kënaqësinë e Allahut dhe jo për përfitime të kësaj bote, me fjalë tjera, ejani luftoni që të mbroni veten, familjen dhe atdheun, mirëpo hipokritët zvarriteshin dhe thoshin: sikur ta dinim se ju do të luftoni, do të ju pasonim dhe do të shkonim pas jush, mirëpo ne e dimë se ju nuk do të luftoni. Me këto mendime ata dëshironin të largoheshin nga ushtria muslimane, ata në këtë mënyrë janë më afër pabesimit se sa besimit. Ata të cilët nuk luftojnë në rrugë të Allahut dhe nuk e mbrojnë atdheun nuk janë besimtarë.

“Besimtarë janë vetëm ata që besuan Allahun, të dërguarit e Tij, e mandej nuk dyshuan dhe për hir të Allahut luftuan me pasurinë dhe me jetën e tyre. Të tillë janë ata të vërtetit.” (El-Huxhuratë: 15)

Ata ishin të cilët nuk iu bashkuan radhëve në betejën e Uhudit, ata vetëm me gjuhë thoshin se besojnë, a në fakt ata nuk besonin në islam, ata ishin hipokritë. Ata u thoshin hipokritëve tjerë të cilët kishin marrë pjesë në luftë dhe vet nuk kishin shkuar: Po të na dëgjonin dhe po të mos shkonin me muslimanët nuk do të ishin vrarë. Dhe kjo i bie që, në bazë të mendimit të tyre, vdekja dhe shkatërrimi, kanë ndodhur për shkak se kanë shkuar në vijën e frontit të luftës. Ata janë frikacakë. Po të ju ndodhte vdekja në paqe, derisa ata qëndrojnë në shtëpitë e tyre, a do të kishin mundësi që ta largonin vdekjen nga vetja e tyre. Jo! Ata kudo që të shkojnë vdekja do të ju ndodhë, edhe poqese qëndrojnë në fortifikatat më të forta.

Përfundim

Nuk është e patjetërsueshme që fitorja gjithmonë të jetë në anën e muslimanëve, posaçërisht nëse kundërshtojnë urdhrat e fesë së tyre. Xhihadi, siç mund të jetë për të lartësuar fjalën e Allahut, të fesë dhe të së vërtetës, mund të jetë edhe për mbrojtje të pragut të shtëpisë, qytetit dhe atdheut dhe për çlirimin nga kriminelët.

Lini një koment