Morali i pejgamberit

“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1

Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Allahu i Madhërishëm e ka përgatitur Muhamedin a.s. mirë, me edukatë të mirë, ashtu që të jetë në harmoni me rolin e pejgamberisë dhe politikës së thirrjes, bamirës ndaj njerëzve dhe që t’i afrojë në islam dhe këtë e ka bërë duke ia zbutur zemrën pejgamberit dhe duke ia mbjellë cilësinë e mëshirës në zemrën e tij, me përdorimin e sistemit konsultativ me shokët e tij, duke ua dëshiruar të mirën me lutje, me kërkim falje për ta dhe faljen e gabimeve të tyre, duke u mbështetur në Allahun dhe duke kërkuar ndihmë dhe përkrahjen nga Zoti Famëlartë:

Ajetet 159 dhe 160:

Ti ishe i butë ndaj atyre, ngase Allahu të dhuroi mëshirë, e sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë, ata do shkapërderdheshin prej teje, andaj ti falua atyre dhe kërko ndjesë për ta, e konsultohu me ta në të gjitha çështjet, e kur të vendosësh, atëherë mbështetu në Allahun, se Allahu i do ata që mbështeten. (159) Nëse Allahu dëshiron t’ju ndihmojë, s’ka kush që mund t’ju mposhtë, e nëse Ai iu lë pa ndihmë, atëherë kush është ai pas Tij, që do t’ju ndihmojë? Pra vetëm Allahut le t’i mbështeten besimtarët. (160)

Këto ajete tregojnë vlerat e cilësive për të korrur sukses në thirrjen pejgamberike dhe bazat e ligjit islam dhe të urtësisë islame dhe mënyrën e të vepruarit me njerëz.

Cilësia e parë: Butësia dhe mëshira gjithëpërfshirëse e pejgamberit a.s. me njerëzit. Allahu i Madhërishëm e ka bërë pejgamberin a.s. konstruktiv, fjalëbutë dhe udhëzues të mëshirshëm sepse po të ishte i ashpër dhe zemërgurë, njerëzit do të largoheshin prej tij, mirëpo Allahu e ka bërë mëshirë dhe udhëzim për njerëzimin: “Ne të kemi dërguar ty mëshirë për botët.” (El-Enbija: 107). E ka bërë shembull tipik për edukatë dhe sjellje me njerëzit, saqë Zoti i tij e ka lavdëruar kur ka thënë:“Dhe, padyshim se ti (o Muhamed) je në shkallën më të lartë të moralit.” (El-Kalem: 4)

Prej këtyre vlerave është se, Allahu e ka urdhëruar pejgamberin e tij, që t’ua falë gabimet dhe lëshimet popullit të tij, të mos i ndëshkojë për veprimet e tyre jo të mira, por t’i pranojë ato me mirësi dhe të kërkojë falje prej Zotit për lëshimet dhe gabimet e bëra.

Prej këtyre vlerave islame dhe thirrjes në islam është konsultimi. Është prej rregullave të sheriatit dhe urtësive dhe ligjeve. Ai i cili nuk konsultohet me dijetarët dhe me dijetarët e fesë është obligim të larguarit prej tij. Allahu i ka lavdëruar besimtarët kur ka thënë: “Çështja e tyre është se konsultohen në mes vete.” (Shura: 38)

Pejgamberi a.s. ka thënë: “Nuk ka dështuar ai i cili përzgjedhë dhe nuk është penduar ai i cili konsultohet.” Po ashtu pejgamberi a.s. ka thënë: “Konsultuesi është i siguruar.” Konsultimi është i kërkuar në të gjitha çështje e kësaj bote dhe të botës tjetër. Sa i përket çështjeve të fesë, Kur’ani është bazë, përderisa sa i përket çështjeve të kësaj bote: logjika, eksperienca, analiza dhe simpatia (vullneti) janë bazë.

Prej vlerave të besimit islam: Mbështetja në Allahun dhe dorëzimi i çështjeve te Allahu, mirëpo me kushtin që të pasohen shkaqet. Mbështetjes në Zotin duhet t’i bashkëngjitet serioziteti dhe devotshmëria, puna dhe angazhimi, varësisht prej nevojës së çështjeve dhe sa kërkohet angazhim për atë çështje.

Pastaj, Allahu ka treguar për besimin në besimin e fitores, kur thotë: “Nëse Allahu ju ndihmon, askush nuk mund të fitojë kundër jush.” Që do të thotë: përmbajuni çështjeve për të cilat ju ka urdhëruar t’i përmbaheni dhe ju ka premtuar fitore prej tyre. Fitorja rezulton prej Allahut të Urtë. Nga shkaku se të gjitha çështjet në gjithësi janë prej planifikimit, projektimit dhe dëshirës së Tij. Nëse Allahu e poshtëron një popull dhe heq dorë prej tij dhe i lë në vështirësi dhe në rrezik, pos Tij, ai popull nuk mund të ketë ndihmëtarë. Kështu që, pas pasimit të shkaqeve është obligim mbështetja në Zotin sepse nuk ka ndihmëtar pos Tij. Nuk ka mbështetës pos Tij. Ndihma e Allahut varet prej ndihmës ndaj fesë së Allahut, ku thotë: “O ju besimtarë, nëse i ndihmoni Allahut, Allahu ju ndihmon juve dhe ju bën të qëndrueshëm.” (Muhamed: 7)

Këto vlera të moralit kur’anor dhe pejgamberik llogariten bërthama e parë për ndërtimin e shoqërisë dhe për ruajtjen e atdheut të shenjtë.

 Përderisa, pejgamberi a.s. është edukuar me moralin kur’anor, ai është argument praktik i moralit praktik për garantimin e krenarisë së njerëzimit, lirisë, barazisë dhe drejtësisë.

Lini një koment