“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1
Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli
Përktheu: Dr. Musli Vërbani
–
Frika është ndjenjë njerëzore, ajo shtohet kur ndodhë ballafaqimi me armikun në beteja, mirëpo besimi në Zotin mbjellë qetësi të shpirtit, i forcon zemrat e besimtarëve. E sheh besimtarin të fortë, të fuqishëm. Pabesimtari është i dobët dhe frikacak. Kjo situatë nuk ndryshon, është e njëjtë si në të kaluarën, ashtu edhe në të sotmen. Ata të cilët kanë besim kanë guxim, ndërsa zakonisht ata të cilët nuk besojnë janë frikacakë.
Kur’ani ka zbritur për t’i edukuar zemrat e besimtarëve dhe për të larguar frikën e ndeshjes me armiqtë, mbjelljen e vetbesimit, vullnetit dhe forcën në radhët e thirrësve në rrugën e Allahut sepse dëshira e Zotit triumfon. Allahu i Madhërishëm është i Fuqishëm, Mbizotërues. Në bazë të vullnetit të Tij, i dallon besimtarët nga të tjerët, që të dihet pozita dhe niveli i tyre tek Allahu i Madhërishëm. Duke sqaruar radhët e besimtarëve dhe radhët e pabesimtarëve. Allahu i Madhërishëm thotë:
Ajeti 176-179:
E ty të mos të brengosin ata që përpiqen për mosbesim, ata kurrsesi nuk mund të dëmtojnë asgjë Allahun. Allahu me urtësinë e vet dëshiron që atyre të mos u takojë kurrfarë e mire në botën tjetër dhe ata kanë një dënim të madh. (176) Ata që në vend të besimit pranuan kufrin, nuk i bëjnë asgjë dëm Allahut, ata i pret një dënim i hidhët. (177) Të mos mendojnë ata që nuk besuan se afatin që u dhamë Ne atyre të jetojnë, është në dobi të tyre. Ne i lamë të jetojnë vetëm që të shtojnë edhe më shumë mëkate, se ata i pret një dënim nënçmues (178) Allahu nuk jua zbulon juve të fshehtat (e të dini se ç’mbajnë në zemrat e tyre). Por Allahu është Ai që nga të dërguarit e vet zgjedh atë që do (e i zbulon ndonjë të fshehtë). Prandaj, besojini Allahut dhe të dërguarit të Tij, e në i besofshi dhe nëse ruheni, atëherë ju keni një shpërblim të madh. (179)
Qëllimi i këtyre ajeteve është, porosia për pejgamberin a.s. dhe umetin e tij pas tij se si duhet të veprojnë kur ballafaqohen me armikun. O pejgamber, mos u pikëllo nga qëndrimi i atyre të cilët dëshirojnë që të fitojnë pabesimtarët. Ata as nuk mund të ju luftojnë dhe as të ju dëmtojnë. Ata janë duke tentuar të luftojnë me Allahun. Ata aspak nuk mund ta dëmtojnë Allahun, por në fakt e dëmtojnë veten e tyre, ata do të shkatërrohen. Allahu dëshiron që të mos kenë shpërblim në botën tjetër dhe natyrshmëria e tyre është e brishtë, ata anojnë në të keqen dhe në të dëmshmen, ata në botën tjetër do të dënohen ashpër për shkak të përkrahjes, mbështetjes dhe ndihmës që ua kanë dhënë pabesimtarëve.
Ata të cilët e kanë këmbyer besimin me pabesimin, me një fjalë kanë zgjedhë pabesimin dhe janë larguar nga besimi, ata nuk mund ta dëmtojnë aspak Allahun por dëmi bie mbi ta, ata do të kenë dënim të dhimbshëm në botën tjetër. Ata pabesimtarë nuk mund ta pengojnë dënimin në botën tjetër. Vonimi i dënimit për botën tjetër nuk është e mirë për ta, përkundrazi është keq për ta, nga shkaku se afatizimi për një kohë tjetër është që të shtohen mëkatet pas mëkateve dhe të thellohen në devijim dhe në të padrejtën, për ta është përgatitur dënim i madh dhe poshtërim i keq.
Allahu nuk do t’i lejonte besimtarët në atë gjendje, përderisa të dallohet besimtari i sinqertë nga hipokriti gënjeshtar, ngase nëpërmjet këtij dallimi kuptohen të sinqertit dhe pastrohet shoqëria nga fara e keqe, nga qëllimkëqijtë dhe trazirat. Ky dallim i teston besimtarët në kohë të vështira dhe të rreziqeve. Allahu i Madhërishëm thotë:
“Ne do t’u sprovojmë juve, derisa t’i njohim (të dihen konkretisht) luftëtarët dhe ata që ishin të qëndrueshëm nga mesi juaj, po edhe do të sprovojmë veprat tuaja. “ (Muhamed: 31)
Allahu nuk ua mëson brendinë tuaj nëpërmjet njohurisë së panjohur për ju, por ua mëson nëpërmjet fakteve në fushën e eksperiencës, praktikimit dhe obligueshmërisë. Kjo fushëbetejë është argument i prerë për sinqeritetin e besimtarit dhe luhatjen e hipokritit dhe frikën e tij.
Në skenën e kësaj bote është e patjetërsueshme që njerëzit të kalojnë në faza të testimeve dhe sprovave, që të zbulohen të drejtit nga gënjeshtarët, përderisa sa i përket shpalosjes së të padukshmes, ajo është posaçërisht për ata të cilët i përzgjedh Allahu prej njerëzve nëpërmjet shpalljes dhe pejgamberëve.
Nëse Allahu ia shpalos pejgamberit një çështje dhe ai i lajmëron njerëzit, atëherë asaj çështjeje të fshehtë disa i besojnë dhe disa nuk i besojnë. Besimi në Allahun dhe në pejgamberët e Tij, devotshmëria ndaj Allahut dhe të padukshmeve, meriton shpërblim të madh dhe kënaqësinë e Allahut. “Gajb” konsiderohet çdo gjë të cilën nuk e sheh njeriu, ajo e cila është dituri e Allahut se çka do të ndodhë dhe çka nuk do të ndodhë dhe sekretet të cilat i fshehin hipokritët dhe fjalët të cilat i flasin në mungesë të njerëzve tjerë.
Na është sqaruar se, aleanca e tyre (hipokritëve) me armiqtë kundër besimtarëve nuk ka dobi, mirëpo kjo është pasojë e frikës së tyre përballë ballafaqimit me besimin. Besimi dhe devotshmëria janë dy çështje bazë për të realizuar fitore dhe ndihmë në këtë botë dhe shpërblim të madh në botën tjetër.