“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1
Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli
Përktheu: Dr. Musli Vërbani
–
Ndërtimi i identitetit Islam, civilizimi i umetit, mbrojtja e saj, mbrojtja e krenarisë së saj dhe nderit të saj, kërkon anën e rëndësishme të jetës praktike, e ajo është shpenzimi në rrugë të Allahut dhe largimi nga lakmia dhe koprracia, po ashtu kërkon sakrifikimin e një pjese të pasurisë, ashtu sikurse sakrifikohet një pjesë e trupit apo ashtu siç sakrifikohet jeta.
Shpenzimi për interes të përgjithshëm është vlerë dhe domosdoshmëri.
Koprracia dhe neglizhenca për të marrë pjesë në çështje të interesit të përgjithshëm është e patolerueshme, poshtërim, bile edhe sëmundje neveritëse. Për këtë arsye, Kur’ani fisnik ka kërkuar të shpenzohet dhe ka ndaluar për koprracinë, ka premtuar që ata të cilët janë koprrac dhe bllokojnë ekonominë (duke mos investuar) do të dënohen me zjarr të xhehenemit. Allahu i Madhërishëm thotë:
Ajetet 180-184:
Ata, të cilët bëjnë koprraci me atë që nga të mirat e veta u dha Allahu, të mos mendojnë kurrsesi se ajo është në dobi të tyre. Jo, ajo është në dëm të tyre. Ajo e mirë me çka bënë koprraci, në ditën e kijametit do t’u mbështillet në qafën e tyre. Allahut i mbesin trashëgim qiejt dhe toka, Allahu është i njohur mirë me atë që veproni. (180) Allahu ka dëgjuar fjalën e tyre që thanë: “Allahu është i varfër e ne jemi të pasur!” Ne do të shënjojmë atë që thanë ata dhe që i mbytën pejgamberët pa kurrfarë faji, e do t’ju themi: “Vuani mundimin e djegies së zjarrit. (181) Kjo është meritë e duarve tuaja, se Allahu nuk zullumqarë ndaj robërve. (182) Ata janë që thanë: “Allahu na ka porositur që të besojmë asgjë të dërguar derisa ai të na sjellë një kurban që do ta ngrënë zjarri. Thuaju: “Para meje juve u erdhën të dërguar me argumente dhe me atë që e thatë, e përse i mbytet ata, nëse thoni të vërtetën?” (183) Po nëse ata ty të përgënjeshtrojnë, janë përgënjeshtruar edhe para teje të dërguar që u erdhën me argumente të prera, me shkrime qiellore dhe me libër të ndritshëm. (184)
Ibn Abasi dhe të tjerët kanë thënë: Ajetet kanë zbritur për pasuesit e librit dhe për koprracinë (neglizhencën) e tyre dhe për të sqaruar atë që Allahu ua kishte mësuar për çështjen e Muhamedit a.s.
Koncepti
Asnjëri të mos mendojë se koprracia dhe mbledhja e pasurisë është e dobishme dhe se bujaria varfëron. Asnjëri të mos mendojë se koprracia dhe mbledhja e pasurisë nuk ndikon për luftë. Jo! Koprracia është e keqe edhe për shoqërinë edhe për individin. Kush nuk e jep zekatin obligativ ose neglizhon detyrën e tij për të ndihmuar interesin e përgjithshëm të umetit, ai meriton dënim të dhimbshëm në zjarr të xhehenemit në botën tjetër. Mosdhënia e zekatit është subjekt që duhet të kritikohet, të nënçmohet dhe të poshtërohet nga pjesëtarët e shoqërisë në këtë botë. Muhamedi a.s. na ka lajmëruar se ai i cili ka pasuri dhe nuk e jep zekatin, në Ditën e gjykimit do të afrohet një gjarpër i madh dhe do të thotë: Unë jam sundimtari yt, unë jam sundimtari yt, unë jam thesari yt.
Si mund të lejohet koprracia, përderisa gjithçka ka në qiej dhe në tokë është e Allahut, e edhe furnizimi i cili del në pah me punën e robërve të Tij. Atij nuk mund t’i fshihet asgjë. Për këtë arsye, Allahu ka urdhëruar për shpenzime kur thotë:
“Besoni Allahut dhe të dërguarit të Tij dhe jepni nga ajo që Ai u bëri trashëgues në të, se ata që besuan prej jush dhanë për hir të Zotit, ata kanë shpërblim të madh.” (El-Hadidë: 7)
Pastaj thotë:
“Të cilët e besojnë të fshehtën, e kryejnë faljen dhe prej asaj që Ne i kemi furnizuar, japin.” (El-Bekare: 3)
Allahu i ka mallkuar jehudët kur kanë thënë: “Allahu është i varfër, ndërsa ne jemi të pasur.” Ibn Abasi ka treguar se kur ka zbritur ajeti:
“Kush është ai që i huazon Allahut një hua të mirë, e Ai t’ia shtojë atij shumëfish atë? Allahu shtrëngon (varfëron) dhe çliron (begaton) dhe kthimi juaj është vetëm te Ai.” (El-Bekare: 245)
Jehudët kanë shkuar te Muhamedi a.s. dhe i kanë thënë: O Muhamed, a mos është i varfër Zoti yt, që po kërkon huazim nga robërit e tij? Atëherë ka zbritur ajeti: “Allahu ka dëgjuar thënien e atyre të cilët kanë thënë: Vërtetë Allahu është i varfër, ndërsa ne jemi të pasur.”
Po ashtu, Allahu i ka mallkuar për krimet e tyre të fëlliqura e ajo është: Vrasja e pejgamberëve pa kurrfarë faji. Në Ditën e gjykimit do t’u thuhet atyre: “Shijoni dënimin e dhimbshëm.” që do të thotë: djegës, përvëlues dhe lëndues dhe kjo për faktin se kanë bërë mëkate dhe imoralitet. Allahu nuk i bën padrejtësi askujt që ta dënojë pa kurrfarë mëkati.
Jehudët, po ashtu kanë tentuar ta vrasin edhe pejgamberin a.s., kur e kanë helmuar ushqimin e tij në ditën e Hajberit. Ata ndalonin dhënien e zekatit duke thënë gënjeshtra se: Allahu na ka premtuar neve që të mos besojmë asnjë pejgamber përderisa të sjellë një kurban të cilin e përflakë zjarri. Ata trillojnë shpifje për Allahun, duke pretenduar se Allahu u ka shpallur ashtu në Tevratë. Allahu u reagon atyre për atë mrekulli duke ju thënë se, më herët u janë dërguar pejgamberë të shumtë dhe ata kishin mrekulli mbinatyrore dhe u kanë sjellë atyre argumente të qarta të cilat kanë dëshmuar vërtetësinë e tyre, e atëherë pse i keni përgënjeshtruar dhe nuk u keni besuar. Pse i keni mbytur ata, pasi që ju po thoni se e flitni të vërtetën.
O pejgamber, nëse pas gjithë kësaj të përgënjeshtrojnë, atëherë edhe shumë pejgamberë para teje i kanë përgënjeshtruar. Ju kanë sjellë mrekulli mbinatyrore dhe libra të zbritura prej Zotit, siç ishte Tevrati, i cili ishte udhëzim dhe dritë, po ashtu edhe Inxhili që ishte libër ndriçues, me gjithë këtë, prapë nuk kanë besuar me besim të vërtetë.
Po, dhënia e zekatit është farz, ndërsa shpenzimi me ndihma vullnetare është rrugë e qartë për të ndihmuar njëri-tjetrin duke u bazuar në realizimin e përkrahjes shoqërore e cila është detyrë logjike, fetare dhe ligjore.
Koprracia është sëmundje shkatërruese e shoqërisë, e pengon zhvillimin dhe e rrënon krenarinë dhe fisnikërinë e shoqërisë.