“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1
Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli
Përktheu: Dr. Musli Vërbani
–
Dihet se, porosia islame është porosi e shpëtimit dhe e prosperitetit shoqëror, mbjellë vlerat dhe atributet fisnike në shpirtra, forcon lidhjet e besueshmërisë në mes të individëve dhe forcon vullnetin për t’i kryer obligimet dhe synon për t’i siguruar dhe garantuar të drejtat e përgjithshme dhe të veçanta të secilit njeri.
Prej parimeve dhe vlerave më të rëndësishme janë:
– Sigurimi dhe mbrojtja e të drejtave të përbashkëta;
– Sigurimin e amanetit dhe ndalimin e tradhtisë, pa marrë parasysh a është pasuri e luftës apo pasuri shoqërore;
– Pasimi i çështjeve për të fituar kënaqësinë e Allahut dhe
– Përmbajtja e urdhrave të Allahut dhe largimi i asaj çka e hidhëron Allahun dhe meriton dënim.
Në xhenet, njerëzit nuk do të jenë të të njëjtit nivel, por do të ketë nivele të shumta.
Detyra e pejgamberit janë komunikimi i ligjeve të sheriatit për popullin e tij, leximin e ajeteve të Kur’anit fisnik dhe shpjegimin e tyre, mësimin e çdo çështje të Kur’anit dhe të sunetit të tij. Nëse zbatohen këto mësime, atëherë ata janë shembull i shoqërisë me vlera (ideale) dhe i japin fund degjenerimeve të injorancës dhe devijimeve të trashëguara. Ndërtojnë civilizimin e ri të bazuar në të drejtën, barazinë, mirësinë dhe në vlera të moralit.
Duke shpjeguar këto vlera Allahu i Madhërishëm thotë:
Ajetet 161-164:
Asnjë pejgamberi nuk i takoi të bëjë hile dhe kush bën hile (në ndarjen e plaçkës së luftës), ai në Ditën e kijametit vjen i ngarkuar me atë që ka bërë, pastaj secilit njeri i jepet ajo që e ka fituar, duke mos iu bërë e padrejtë. (161) A është i njëjtë ai që iu bind Allahut dhe kërkoi kënaqësinë e Tij, si ai që tërhoqi kundër vetes hidhërim të madh nga Allahu dhe e ardhmja e tij është Xhehenemi, që është përfundim shumë i keq? (162) Ata kanë dallim te Allahu, e Allahu sheh shumë mirë ata që veprojnë. (163) Është e vërtetë se Allahu u dha dhuratë të madhe besimtarëve, kur ndër ta nga mesi i tyre dërgoi të dërguar që atyre t’u lexojë shpalljen e Tij, t’i pastrojë ata, t’ua mësojë Kur’anin dhe sheriatin, edhe pse, më parë ata ishin krejtësisht të humbur. (164)
Shkaku i zbritjes së ajeteve të mashtrimit
Shkaku i zbritjes së ajeteve të mashtrimit është se janë pyetur shigjetarët të cilët i kishin lëshuar pozicionet në betejën e Uhudit: Pse i keni lëshuar pozicionet?
Ata janë përgjigjur: Kemi menduar (frikuar) se mos pejgamberi a.s. po thotë: “Pasuria e betejës i takon atij që e merr.” dhe kësisoj nuk do të na jepej pasuri e luftës, ashtu siç nuk është ndarë në betejën e Bedrit.
Pejgamberi a.s. u thotë: A nuk u kam thënë të mos i lëshoni pozicionet deri sa të vjen urdhri im.
Ata përgjigjen: I kemi lënë të qëndrojnë në pozicione vëllezërit tjerë.
Pejgamberi a.s. u thotë: Përkundrazi, ju keni menduar se ne do të ju mashtrojmë (tradhtojmë) dhe nuk do të ju japim pjesë prej pasurisë së luftës.
Koncepti i ajeteve
Allahu i ka mbrojtur pejgamberët që të mos bëjnë disa gabime. Nuk lejohet dhe nuk është detyrë e pejgamberit që të merr diç nga pasuria e luftës. Sepse pejgamberi është shembulli më i mirë për moral dhe fisnikëri për të gjithë. Kush në këtë botë e merr një dinarë pa të drejtë, do të ndëshkohet në botën tjetër. Allahu nuk i bën padrejtësi askujt duke e dënuar pa bërë ndonjë mëkat.
Në kandarin e së drejtës dhe barazisë është e palogjikshme që të barazohet i dëgjueshmi me arrogantin, i miri me të keqin:
“A është i njëjtë ai që iu bind Allahut dhe kërkoi kënaqësinë e Tij, si ai që tërhoqi kundër vetes hidhërim të madh nga Allahu dhe e ardhmja e tij është Xhehenemi, që është përfundim shumë i keq?” (Ali Imranë: 162)
Po ashtu, drejtësi nënkupton që të dallohen të mirët në nivele dhe në shkallë të tyre. Vendet e tyre në xhenete, disa janë më të larta se të tjerat, në gjerësi apo në nderim.
Po ashtu, drejtësi nënkupton që të këqijtë në xhehenem dënohen në forma të ndryshme, varësisht prej veprimeve të këqija, të ndyta dhe amorale. Ato do të dallohen me shkallë të xhehenemeve.
Prej begative më të mëdha të besimtarëve është se, u është dërguar pejgamberi a.s. mëshirë për të gjithë botët. Ishte arab, pra prej popullit të tyre, prej fisit të tyre, arab nga pasardhësit e Ismailit, andaj populli arab duhet të shpejtojë në islam dhe në pranimin e pejgamberisë së Muhamedit dhe shpalljes e cila është shpëtim për ta dhe për të gjithë njerëzimin, e cila i udhëzon në besimin e vërtet në Zotin e Lartmadhëruar dhe i nxjerrë nga errësirat e besëtytnive dhe veseve të këqija në dritën e udhëzimit në rrugën e Allahut, në cilësitë fisnike dhe në parime të shëndosha, ju lexon atyre ajetet e Kur’anit të cilat tregojnë për fuqinë e Allahut të Madhërishëm, se Ai është i Vetmi Zot, në diturinë e Tij dhe në atributet e përsosura të Tij, siç është ajeti.
“Në krijimin e qiejve e të tokës, në ndryshimin e natës dhe të ditës, ka argumente të qarta për ata që kanë arsye dhe intelekt.” (Ali Imranë: 190)
Pejgamberi i pastron zemrat dhe i pastron nga çdo lloj ndyrësire, degjenerimi dhe nga çdo mëkat. Ia ka arritur qëllimit që t’i nxjerr arabët injorant në shoqëri të organizuar, me sistem gjyqësor, politik dhe administratë e cila ua ka tejkaluar sistemeve të mëparshme.
Pejgamberi ua ka mësuar Kur’anin, shkrim-leximin dhe sunetin e tij, saqë prej tyre kanë rezultuar shkrimtarë, dijetarë, udhëheqës dhe kanë prirë në të gjitha fushat shkencore edhe pse më herët ishin në humbje të sigurt.
Përfundim
Shpallja qiellore kërkon nga njerëzit t’i mbrojnë të drejtat, të ndalohet hajnia dhe tradhtia. Ata janë umet i modernizimit dhe civilizimit, kjo nëse pasojnë mësimet e Kur’anit dhe i kuptojnë fshehtësitë e ligjësimit dhe veprojnë me programin e pejgamberit a.s. dhe traditën e tij të mrekullueshme.