“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1
Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli
Përktheu: Dr. Musli Vërbani
–
Për shkak të cytjeve të shejtanit është përhapur ide e gabuar në mesin e njerëzve se siguria është në shtëpi dhe në qytet, ndërsa dalja në udhëtim dhe jashtë shtëpie ose në front ose në betejë (luftë) edhe në udhëtime tregtie e të ngjashme tregohet si pasiguri. Kush lufton dhe vritet, po të kishte qëndruar në shtëpinë e tij do të jetonte dhe nuk do të vdiste në atë moment në të cilin ka qenë në luftë ose në udhëtim. Allahu i Madhërishëm në Kur’anin fisnik e ka hedhë poshtë këtë bindje të keqe dhe e ka sqaruar esencën e vdekjes dhe se është vetëm në dorën e Tij, dhe se rënia dëshmor në rrugën e Allahut është rrugë e faljes së gabimeve dhe fitimit të mëshirës së Tij. Allahu Famëlartë thotë:
Ajetet 156-158:
O besimtarë, mos u bëni si ata që nuk besuan dhe, për vëllezërit e tyre që kishin dalë në udhëtim (tregtie e gjallërimi) ose që kishin shkuar në luftë thoshin: “Sikur të kishin ndenjur pranë nesh (e të mos dilnin), atë (bindje), Allahu ua bëri një dëshpërim në zemrat e tyre. Pse Allahu është Ai që jep jetë dhe jep vdekje dhe Allahu sheh atë që ju punoni. (156) E sikur të ishit mbytur në rrugën e Allahut, ose t’u kishte zënë vdekja, do të gëzonit falje e mëshirë prej Allahut, që është shumë më e dobishme se ajo çka ata grumbullojnë. (157) Ti ishe i butë ndaj atyre, ngase Allahu të dhuroi mëshirë, e sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë, ata do shkapërderdheshin prej teje, andaj ti falua atyre dhe kërko ndjesë për ta, e konsultohu me ta në të gjitha çështjet, e kur të vendosësh, atëherë mbështetu në Allahun, se Allahu i do ata që mbështeten. (158)
Allahu i Madhërishëm në këto ajete i ka hedhë poshtë cytjet e shejtanit se udhëtimi apo xhihadi ndikojnë në vrasje apo vdekje.
O ju të cilët keni besuar në Allahun dhe në të dërguarin e Tij, mos u bëni sikurse hipokritët pabesimtarë, të cilët nuk shpijnë në mendimin e drejtë dhe në besimin e shëndoshë. Ata për çështjen e vëllezërve të tyre në fe, të cilët udhëtojnë për tregti ose që luftojnë në rrugë të Allahut dhe vdesin apo vriten thonë: Po të ishin duke qëndruar me ne dhe po të mos e lëshonin vendin e tyre nuk do të vdisnin dhe nuk do të vriteshin.
Kjo bindje është gabim i qartë. Dëshirat nuk janë të pallogaritura. Vdekja do të ndodhë si në udhëtim, si në luftë, si për hipokritin, ashtu edhe për frikacakun, ani pse mendojnë se po të qëndronin në shtëpi nuk do të vriteshin dhe se mendojnë se humbin apo shkatërrohen nëse do të udhëtonin apo do të luftonin. Përderisa besimtari guximtar, ai është i bindur se çdo vdekje dhe çdo vrasje është e paracaktuar dhe çështjen e dorëzon te Allahu.
Dorëzimi i çështjes te Allahu i Madhërishëm është qetësim dhe flladitje e zemrës. Allahu i Madhërishëm thotë: “Asnjë shpirt nuk mund të vdesë pa lejen e Zotit në librin e përcaktimit të vdekjeve.” (Ali Imranë: 145)
O ju besimtarë, keni kujdes, mos u bëni sikurse pabesimtarët dhe hipokritët. Besoni në Allahun dhe besoni me besim të sinqertë se Allahu është Ai i Cili bën që të jetojnë dhe të vdesin krijesat. Allahu sheh se çka veproni. Nuk mund t’i fshihet asgjë prej fshehtësive që i mbani në zemrat dhe mendjet tuaja.
Në këtë shihet shpresdhënia për besimtarët, të cilët çështjet i dorëzojnë tek Allahu, ndërsa në anën tjetër kërcënim për pabesimtarët, për shkak të bindjes së keqe të tyre.
O ju besimtarë, për Zotin, po nëse vriteni në rrugë të Allahut ose do vdisni, falja e mëkateve prej Allahut dhe kënaqësia e Tij është më e mirë se sa të mblidhni gjithçka ka në këtë botë kalimtare. Çdo i vdekur ose çdo i vrarë, tek Allahu do të kthehet dhe do të tubohet, dhe në botën tjetër do të jep llogari për atë çka ka punuar dhe përgatitur në këtë botë dhe në këtë jetë dhe do të kuptojë qartë esencën e jetës dhe vdekjes.
Ky përmirësim i gabimeve të njerëzve për paracaktimin e vdekjes, e motivon njeriun për të sakrifikuar jetën dhe për të qenë i përgatitur për të kënaqur Allahun dhe për ngritjen e flamurit islam dhe mbrojtjen e atdheut të çmuar. Ai i cili vritet në rrugë të Allahut është i gjallë dhe furnizohet me të mira te Zoti i Tij, po ashtu është i gjallë te gjuhët e njerëzve, pasi që përmendet për të mirë dhe lavdërohet prej njerëzve.
Frika dhe dobësia te njerëzit dhe frika nga vdekja, në shoqëri dhe në qytete shkakton përulje dhe nënçmim, i bën njerëzit robër, ose sikurse robin e fuqishëm të nënshtruar dhe zotërinë e padrejtë. Vendet arabe dhe muslimane e kanë përjetuar kolonizimin nga të huajt dhe me përvojë të hidhur e kanë kuptuar egërsinë e padrejtësisë dhe nënshtrimit, e cila na ka zhveshur nga krenaria, edukata dhe shfrytëzimi i pasurive natyrore. A ka kush i cili merr mësim nga vështirësitë të cilat shkaktohen prej sionistëve në vendet tona dhe kolonialistëve të rinj në Gjirin Arabik nën ombrellën e të ashtuquajturës rend i ri botëror.