Udhëzimi i besimtarëve për të mirën

“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1

Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Ajetet e Kur’anit fisnik përmbajnë udhëzime dhe këshilla për besimtarët, tregojnë se çka është vlerë dhe e dobishme.

Ajetet e Kur’anit fisnik ndalojnë çka është e keqe dhe e shëmtuar dhe urdhërojnë mposhtjen e të padrejtës dhe ndërtimin e shoqërisë me vlerë. Këto ajete përmbajnë urdhëresa dhe ndalesa duke sqaruar shpërblimin fisnik për ata të cilët i zbatojnë urdhrat dhe largohen nga ndalesat. Allahu i Madhërishëm thotë:

Ajetet 130-136:

O ju të cilët besuat, mos e hani kamatën që po e shumëfishoni dhe kijeni frikë (dënimin e) Allahun ashtu që të gjeni shpëtim. (130) Dhe ruajuni zjarrit që është përgatitur për pabesimtarët. (131) E binduni Allahut dhe të dërguarit, ashtu që të mëshiroheni. (132) ۞ Dhe ngutuni (me punë që meritoni) në falje mëkatesh nga Zoti juaj dhe për në një Xhenet, gjerësia e të cilit është si gjerësia e qiejve dhe e tokës, i përgatitur për të devotshmit. (133) Të cilët japin kur janë shlirë edhe kur janë në vështirësi dhe që e frenojnë mllefin, që u falin (keqen) njerëzve, e Allahu i do bamirësit. (134) Edhe ata të cilët kur bëjnë ndonjë (mëkat) të shëmtuar ose i bëjnë zullum vetes së tyre, e përmendin Allahun dhe kërkojnë falje për mëkatet e tyre – e kush i falë mëkatet përveç Allahut? – dhe që duke ditur, nuk vazhdojnë në atë që kanë punuar (në të keqen). (135) Shpërblimi i të tillëve është falja nga Zoti i tyre dhe Xhenetet nëpër të cilët rrjedhin lumenj e aty do rrinë përgjithmonë. Sa i mirë është shpërblimi i atyre që punojnë. (136)

Në sipërfaqe të këtyre ajeteve, Allahu i ndalon besimtarët që t’u ngjajnë jehudëve dhe arabëve të injorancës, të cilët vepronin me sistemin e shumëfishtë të fajdeve. Kur skadonte afati i borxhit dhe borxhliu nuk mund ta kryente borxhin, borxhdhënësi i thoshte borxhmarrësit ose do ta kryesh borxhin ose do t’i nënshtrohesh fajdesë. Atëherë borxhliu detyrohej që të pranonte që t’i shumëfishohej kamata ose të paguante shtesë të borxhit dhe e shtynte borxhin për një vit.

Ky veprim është i shëmtuar dhe shfrytëzim i keq i rastit. Allahu i ka ndaluar të gjitha llojet e kamatës, qofshin të pakta apo të shumta, çdo borxh nga i cili përfiton borxhdhënësi për shkak të vonimit llogaritet kamatë, pa marrë parasysh a është përfitim në vlerë apo kundërvlerë dhe pa marrë parasysh a është e paktë apo e shumtë. Kjo, në bazë të thënies së Zotit të Madhërishëm:

“O bijtë e israilit, kujtoni (jini mirënjohës për) të mirat e Mia, të cilat ua dhurova juve dhe zbatoni premtimin që më keni dhënë Mua. Unë zbatoj atë që u premtova dhe të më keni frikë vetëm Mua.” (El-Bekare: 40)

Pastaj Allahu i Madhërishëm ka urdhëruar që të ruhemi nga zjarri, i cili është përgatitur për mëkatarët dhe pabesimtarët.

Mbrojtja nga xhehenemi realizohet duke dëgjuar Allahun dhe duke i zbatuar urdhrat e Tij dhe duke u larguar nga mëkatet dhe të këqijat.

Zjarri është shtatë nivele:

– Niveli i parë është xhehenemi për mëkatarët, pastaj,

– Pesë nivele janë të pabesimtarëve dhe,

– Niveli më i ulët dhe më poshtri është për hipokritët, të cilët e proklamojnë islamin, ndërsa e fshehin pabesimin.

Pastaj Allahu urdhëron të respektohet Ai dhe i dërguari i Tij. “Respektimi” nënkupton që, urdhëresa të jetë në harmoni siç dëshiron urdhëruesi, ashtu që Allahu të na mëshiron në këtë botë, që të na përmirësohet gjendja, të na rregullohen çështjet dhe të fitohet shpërblim i mirë në botën tjetër. Pejgamberi a.s. ka thënë: Kush më respekton mua, e ka respektuar Allahun, kush nuk më respekton mua, nuk e ka respektuar Allahun.

“Respekti” nënkupton, veprimi i veprave të cilat e fitojnë faljen e gabimeve.

Shpërblim për respektuesit janë xhenetet e gjera, të cilat kanë hapësirë sa të qiejve dhe tokës, të cilat xhenete janë përgatitur për të devotshmit, të cilët me vepra të mira e kanë mbrojtur veten e tyre nga dënimi i Allahut.

Cilësitë e të devotshmëve janë:

– Ata të cilët shpenzojnë fshehtazi dhe haptazi, në kohë të vështira dhe në kohë të mira,

– Ata të cilët e sundojnë veten në rast hidhërimi,

– Ata të cilët e përmbajnë veten nga zemërimi,

– Ata të cilët nuk i sulmojnë të tjerët dhe nuk hakmerren kur kanë forcë (mundësi) ose pozitë.

Pejgamberi a.s. ka thënë: Ai i cili e përmban veten nga zemërimi dhe nuk hakmerret kur ka mundësi të hakmerret, Allahu i siguron qetësi dhe lumturi.

Po ashtu, ata i falin njerëzit të cilët u bëjnë keq atyre, i anashkalojnë gabimet që u bëhen kundrejt tyre me mirësi dhe me vullnetin e lirë të tyre. Faljen e gabimeve ndaj njerëzve e bëjnë për shkak të mirësjelljes së tyre.

Po ashtu, ata u bëjnë mirë atyre prej të cilëve u është bërë e keqe.

Allahu i do bamirësit.

Ata të devotshëm, nëse bëjnë ndonjë vepër imoraliteti ose ndonjë mëkat të madh i cili i dëmton si f.v.: prostitucion ose kamatë, përgojim apo shpifje ose ndonjë mëkat të vogël, nuk e shpërndajnë te të tjerët, por e kujtojnë dënimin prej Allahut dhe se çfarë do të përjetojnë kriminelët, ndalen dhe pendohen te Allahu. Pendohen për veprimet e tyre, largohen nga veprimet e shejtanit dhe veprojnë me veprimet e mira të të Mëshirshmit, siç cilësohen ata janë: Të plotët dhe në harmoni me urdhrat e Allahut.

Shpërblimi i tyre është si vijon: janë të falur prej Allahut dhe fitojnë kënaqësinë e Tij. Xhenetet në të cilat rrjedhin lumenj, ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Ata përjetojnë begati të përgjithmonshme. Nuk ka shpërblim më të mirë se sa shpërblimi për të sinqertit.

Përfundim

Ndonjëherë një grup i devijantëve korrin sukses, e ai sukses i tyre është si testim për besimtarët, e që ajo fitore duhet të jetë sinjal për besimtarët që të stopohen dhe t’i përmirësojnë gabimet, që të mendojnë seriozisht në ndërtimin e shoqërisë, mbylljen e shtigjeve dhe eliminimin e faktorëve të dobët dhe të disfatës dhe formimin e gjeneratës së re, të fuqishme, e cila duhet t’i kuptojë rreziqet dhe t’i përmbahet ligjeve të cilat sjellin ndihmën dhe fitoren e Allahut, e cila bazohet në drejtësi. Që të realizohet udhëheqja në tokë nga ata të cilët janë të mirë, të unifikuar dhe në mbështetje të njëri-tjetrit. Allahu i Madhërishëm thotë:

“Ne e kemi shënuar në Zebur (në librat e shenjtë) pas shënimit (në Lehvi Mahfudh), se me të vërtetë tokën do ta trashëgojnë robërit e Mi të mirë.” (El-Enbija: 105)

Lini një koment