“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1
Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli
Përktheu: Dr. Musli Vërbani
–
Triumfi i ka shkaqet e veta, ashtu siç edhe disfata i ka shkaqet e veta. Besimtari vizionar e percepton situatën se si duhet vepruar në të dy rastet.
Kur’ani i ka sqaruar shkaqet e disfatës së muslimanëve në betejën e Uhudit, duke u reaguar hipokritëve të cilët dyshonin në pejgamberinë e të dërguarit a.s. Muhamed bin Keabi el-Kardhiju ka thënë: Kur Muhamedi a.s. u kthye në Medine dhe kishin përjetuar çka kishin përjetuar në ditën e Uhudit, disa prej sahabëve kanë parashtruar çështjen: Prej nga ndodhi kjo disfatë, Allahu na kishte premtuar fitore?! Atëherë, Allahu e zbriti ajetin:
Ajeti 152:
Allahu përmbushi premtimin e vet ndaj jush, ngase me vullnetin e Tij i korrët ata (me shpata) deri kur u dobësuat dhe u përçatë ndërmjet vete, në çështjen e vendit (që u pat caktuar Pejgamberi) dhe pasi vërejtët atë që e dëshironit (prenë e luftës), e atëherë kundërshtuat (urdhrin e Pejgamberit). Pati prej jush që e deshën këtë jetë (ata që u ngutën pas presë) e pati prej jush që e deshën botën tjetër. Pastaj, për t’ju sprovuar u zmbrapsi juve nga ata. Po Allahu u fali juve; Allahu është dhurues i madh ndaj besimtarëve. (152)
Allahu i Madhërishëm ka treguar se në fillim të betejës u ka ndihmuar besimtarëve, deri në momentin kur vriteshin idhujtarët dhe shpartalloheshin radhët e tyre, mirëpo më pastaj besimtarët lakmuan në plaçkën e luftës dhe janë ndarë përgjysmë:
– Kur idhujtarët humbën dhe u zmbrapsën, gjysma e shigjetarëve të cilët ishin vendosur në kodër, lëshuan pozicionet e tyre.
– Gjysma (e shigjetarëve) qëndruan në pozicione dhe thoshin: Kurrë mos e kundërshtoni urdhrin e pejgamberit a.s., prej tyre ishte udhëheqësi Abdullah bin Xhubejri dhe një pjesë e shokëve të tij.
Grupi i parë i gjuetarëve e kanë dashur këtë botë dhe i kanë lëshuar pozicionet duke kërkuar plaçkë të luftës.
Grupi i dytë e kanë dashur botën tjetër dhe kanë qëndruar në pozicionet e tyre dhe nuk e kanë kundërshtuar urdhrin e pejgamberit a.s.
Pastaj triumfi është shndërruar në disfatë, ndërsa Allahu i ka falë edhe kundërshtuesit dhe pozitën e besimtarëve e ka ndërruar me pozitën e idhujtarëve, që ta testojë besimin tuaj dhe t’i veçojë besimtarët nga hipokritët. Allahu me vlerën e Tij të madhe i ka falë besimtarët.
Pastaj, Allahu tregon për besimtarët të cilët edhe pse kanë pësuar disfatë, nuk kanë shikuar mbrapa. Çështja ishte se, i dërguari i tyre i thërriste për fitoren (në finalen e betejës) duke thënë: Ejani me mua o robër të Allahut. Ejani me mua o robër të Allahut, unë jam i dërguar i Allahut, ai i cili vjen me mua e ka shpërblim xhenetin. Allahu i Madhërishëm thotë:
Ajeti 153:
Dhe kur largoheshit e nuk përfillshi as njëri-tjetrin, ndërsa i dërguari ju thërriste mbrapa. Atëherë u goditi me dëshpërim për dëshpërim (që i shkaktuat Pejgamberit), ashtu që mos pikëlloheni për atë që u shpëtoi (preja e luftës) e as për atë që u goditi. Allahu është i njohur hollësisht me atë që veproni. (153)
Nënkuptohet se, Allahu ua ka shpaguar atë që kanë vepruar. Ka hedhur mbi ju hidhërimin dhe pikëllimin, që të jetë mësim për besimtarët tjerë në rast se e kundërshtojnë mendimin dhe urdhrin e tij. Allahu ka vepruar në këtë mënyrë që të ju edukojë dhe arsimojë në raste të rreziqeve dhe që të mos pikëlloheni për diçka që ju kalon dhe çka ju godet nga armiku juaj. Allahu është i informuar me veprat tuaja dhe ju jep çka e meritoni. Pastaj Allahu sqaron për të mirat e Tij për besimtarët e sinqertë dhe të devotshëm, të cilët kanë qëndruar rreth të dërguarit, ku e ka lëshuar një puhi gjumi mbi ta dhe e ka zbuluar fytyrën e hipokritëve të cilët nuk kanë besuar në ndihmën e Allahut kur kanë thënë: Nuk do të na ndihmohet, Muhamedi nuk është pejgamber, ngase po të ishte pejgamber nuk do të pësonte disfatë. Duke u fshehur pas pejgamberisë dhe ndihmës, e kanë fshehur urrejtjen dhe armiqësinë te pejgamberët tjerë. Allahu u përgjigjet se ndihma është prej Zotit dhe çdo çështje është prej Zotit. Allahu famëlartë thotë:
Ajeti 154:
Mandej, pas asaj tronditjeje të rëndë, Ai u lëshoi sa për qetësim, një kotje (gjumi të lehtë) që i kaploi një grup prej jush, kurse një grup i kishte preokupuar vetëm çështja e vetvetes. Ata formuan bindje të padrejtë ndaj Allahut, bindje injorante, e thoshin: “Ne nuk kemi në dorë asgjë nga kjo çështje!” Thuaj: “E tërë çështja është vetëm në duar të Allahut!” Ata fshehin në vetvete atë që ty nuk ta shprehin. Thoshin: “Sikur ne të kishim diçka në dorë në këtë çështje, ne nuk do të mbyteshim këtu!” Thuaj: “Edhe sikur të ishit në shtëpitë tuaja, atyre që është caktuar mbytja (vdekja), do të dilnin në vendin e flijimit të tyre!” Në mënyrë që Allahu të provojë atë që është në zemrat e tuaja (sinqeritetin, ose hipokrizinë) dhe që të pastrojë atë që është në zemrat tuaja. Allahu i di shumë mirë të fshehtat në zemra. (154)
Ndihma është prej Allahut. Ky reagim vjen ndaj deklaratave të hipokritëve si: A do të jemi edhe ne pjesë e çështjes dhe e fitores? Po të kishte ndonjë çështje për ne, ne nuk do të luftonim këtu, që do të thotë: Zhvillimi i kësaj lufte është gabim, po të mos zhvillohej kjo luftë nuk do të vritej asnjë njeri.
Pastaj, Allahu i Madhërishëm sqaron se ata të cilët i kanë lëshuar pozicionet e tyre ose që kanë pësuar, në fakt në atë gabim i ka shtyrë shejtani për shkak të gabimeve të tyre të mëparshme, mirëpo Allahu ua ka falur atyre për shkak të pendimit të tyre. Allahu i Madhërishëm thotë:
Ajeti 155:
Vërtet, ata që u zmbrapsën prej jush ditën e ndeshjes së dy grupeve (besimtarë dhe idhujtarë në Uhud), ata vetë djalli i shtyri të rrëshqasin me disa punë të tyre që i bënë, po Allahu ua fali atyre gabimin; Allahu është mëkatfalës dhe i butë. (155)
Shkaktar i disfatës së muslimanëve në Uhud ishte lakmia materialiste dhe pasuria e luftës, kundërshtimi i urdhrit të pejgamberit dhe nënshtrimi ndaj vesveseve të shejtanit dhe mëkateve të tyre.
Përfitimi nga mësimi prej disfatës është më i rëndësishëm dhe më me vlerë se ndihma dhe fitorja. Nuk mund të realizohet fitore dhe të fitohet ndihma pa u larguar nga mjetet e disfatës dhe të dobësimit.
Allahu me mëshirën e Tij ua tërheq vërejtjen mëkatarëve, që në të ardhmen të mos bëjnë mëkate të njëjta.