Kritika ndaj të padëgjueshmëve në betejën e Uhudit dhe Bedrit

“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1

Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Allahu i Madhërishëm sqaron se formula e fuqisë, ndihmës dhe krenarisë në këtë botë dhe shpërblimi në botën tjetër është e ndërlidhur me luftë, xhihad, durim dhe sakrificë.

Jeta nuk është e lehtë dhe nuk është shtrat i shtruar me lule. Fitorja dhe ndihma nuk janë thjeshtë dhuratë prej Zotit pa punuar dhe pa u angazhuar. Patjetër se në këtë botë duhet fituar me punë të mira, dhe me qëndrueshmëri duhet ndihmuar fenë e Allahut dhe duhet vendosur drejtësi, duhet ndaluar të padrejtën dhe dukuritë negative. Ky është ligj i Allahut, i cili nuk ndryshon dhe nuk anashkalohet.

Këtë ligj na e ka sqaruar Allahu dhe kësisoj na e ka mësuar programin e drejtë. Allahu i Madhërishëm thotë:

Ajetet 142-144:

A mos menduat ju se do të hyni në Xhenetet e Allahut pa i ditur (pa u vërtetuar) në praktikë se cilët prej jush kanë luftuar, dhe pa u ditur cilët prej jush ishin të durueshëm. (142) Ju ishit ata që dëshironit vdekjen para se të ballafaqoheshit me të. Ja pra, atë e patë dhe e shikuat me sytë tuaj. (143) Muhamedi nuk është tjetër vetëm se i dërguar. Edhe përpara tij pati të dërguar (që vdiqën ose u vranë). E nëse ai vdes ose mbytet, a do të ktheheshit ju prapa (nga feja ose lufta)? E kushdo që kthehet prapa, ai nuk i bën dëm Allahut aspak, kurse Allahu do t’i shpërblejë mirënjohësit. (144)

Koncepti

O ju besimtarë, nuk është e drejtë që ju të vetmashtroheni dhe të mendoni se hyni xhenet pa xhihad në rrugën e Allahut dhe pa durim në betejat e ashpra.

Xhihadi është shumëllojtësh:

– Xhihadi ndaj armikut me armë dhe mjete luftarake për ta larguar nga atdheu.

– Xhihadi i nefsit (epshit) është kur ndalohet vetvetja nga epshi dhe dëshirat dhe e angazhon veten në punë të mira, në vlera dhe në dëgjueshmëri ndaj Krijuesit.

– Xhihadi i gjuhës: Lufta intelektuale, pra me angazhim studimor dhe shkencor.

– Xhihadi kundër dashurisë për pasuri, duke e shpenzuar pasurinë në vepra për interes të përgjithshëm.

Nëse Allahu e sheh se nuk ka xhihad dhe durim, atëherë kjo mund të llogaritet si argument se nuk ka besimtarë të sinqertë.

Pastaj, Allahu i ka kritikuar disa besimtarë të cilët jetonin me shpresa boshe. Ata të cilët nuk kishin shkuar në luftën e Bedrit kur luftonin idhujtarët me pejgamberin a.s., ata shpresonin se po të kishin shkuar do të arrinin grada të larta. Pastaj, pason lufta e Uhudit, përfundoi beteja, nuk u vërtetua shpresa e të gjithë besimtarëve, ata u ngjitën në kodrën e Uhudit, u fshehën atje, u barrikaduan atje dhe kur pejgamberi kërkonte që të forcoheshin dhe të luftonin, asnjëri nuk i është përgjigjur.

Hasan Basriju ka thënë: Më kanë treguar se disa shokë të pejgamberit, për luftën e Bedrit kishin thënë: Po të luftonim me pejgamberin a.s. do të vepronim kështu dhe kështu. Kur u sprovuan po me ato çështje në betejën e Uhudit, por, për Zotin nuk janë treguar të gjithë të sinqertë me thëniet (premtimet) e tyre. Për këtë shkak. Allahu ka zbritur ajetin:

“Ju ishit ata që dëshironit vdekjen para se të ballafaqoheshit me të. Ja pra, atë e patë dhe e shikuat me sytë tuaj.” (Ali Imran: 143)

Në betejën e Uhudit është përhapur lajmi se është vrarë pejgamberi a.s. Disa hipokritë kanë thënë: Po të ishte pejgamber nuk do ishte vrarë. Për ne nuk ka pasur pejgamber, por të shkojmë te Abdullah bin Ubeji dhe të marrim besë nëpërmjet tij tek Ebu Sufjani, ndërsa në anën tjetër Enes bin Nadri kërkoi nga Zoti që ta shfajësojë nga ato fjalë dhe luftoi deri sa u vra për këtë fe. Kjo propagandë shkaktoi disa luhatje te disa njerëz të cilët ngurruan ta ndihmojnë pejgamberin a.s., për këtë arsye Zoti i qortoi duke ju thënë se Muhamedi a.s. nuk është asgjë tjetër përpos sikurse pejgamberët tjerë, pa marrë parasysh a vdes – sikurse Musai apo Isai – dhe pa marrë parasysh a vritet – sikurse Zekerijai dhe Jahjai – feja e juaj ka mbetur ashtu siç ka qenë, pasuesit e tyre prapë u janë përmbajtur atyre. Është logjike që të kërkohet që të mbetemi besimtarë, luftëtarë dhe besimtarë të sinqertë, siç keni qenë të qëndrueshëm në parim, kështu duhet të vazhdohet edhe nëse vdes, po edhe nëse vritet, duke iu përmbajtur vazhdimisht shpalljes së tij.

Pejgamberi është njeri sikurse të gjithë pejgamberët, do të vdes sikurse kanë vdekur pejgamberët para tij. Në këtë botë, ai ka detyrë të caktuar (të përkohshme) dhe kjo përfundon me vdekjen e tij, ndërsa Allahu është i përgjithmonshëm. Kush e adhuron Allahun, Ai është i Gjallë dhe i përgjithmonshëm. Kush e beson Muhamedin, Muhamedi ka vdekur, ndërsa kush e tradhton fenë e vet, Allahu nuk i ndihmon dhe tradhtari e ka dëmtuar veten e tij. Kush qëndron stoik në fenë e tij, ai është prej durimtarëve dhe luftëtarëve falënderues. Allahu do ta shpërblejë me shpërblim të mirë për shkak të stoicizmit dhe përmbajtjes së fesë së Allahut.

Qortimi i Allahut është një formë e edukimit, përmirësimit dhe përmbajtjes së fesë së Allahut.

Qortimi i Allahut është një formë e edukimit, përmirësimit dhe përgatitjes morale për të ardhmen.

Ky është argument prej Allahut se Allahu i do robërit e tij dhe ai ua do të mirën:

– Nëse gabojnë, Allahu nuk hesht për gabimin e tyre.

– Nëse lënë mangut diçka, i përmirëson në atë çka është në dobi të tyre, deri sa të fillojnë ringritjen e shoqërisë me shpirt luftarak, të fuqishëm, me vendosmëri dhe me sinqeritet, me trimëri të rrallë, me pozitivitet, i cili nuk njeh luhatje apo hamendje.

 Kjo është rruga e fuqisë dhe krenarisë dhe e realizimit të qëllimeve sublime.

Lini një koment