Vlera e devotshmërisë dhe e durimit në beteja dhe në çështje tjera

“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1

Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Allahu i Madhërishëm ka krahasuar dy beteja të ndryshme të besimtarëve, ka krahasuar betejën e Bedrit dhe të Uhudit:

Në betejën e Bedrit – e cila ka ndodhur në datën 17 Ramazan, në ditën e xhuma, pas 17 muajve të migrimit – besimtarët e paktë duruan para taborit të madh të idhujtarëve. Në këtë betejë, besimtarët ishin të përkushtuar dhe të penduar te Allahu, ishin të devotshëm dhe kanë kërkuar ndihmën e Allahut, atëherë Allahu i Madhërishëm ju ndihmoi radhëve të tyre, ua shtoi 5000 melekë si ndihmë.

– Në betejën e Uhudit – e cila ndodhi në mes muslimanëve dhe idhujtarëve të Mekes, në vitin e tretë, 31 muaj pas migrimit, ditën e enjte, më datën 12 sheval – në të cilën betejë pejgamberi a.s. organizoi dhe rregulloi pozicionet e ushtrisë në vende të caktuara, mirëpo besimtarët nuk duruan, nuk ishin të devotshëm me devotshmëri të sinqertë, nuk u përmbajtën dhe nuk dëgjuan udhëheqësin pejgamber por e kundërshtuan, për këtë arsye, Allahu nuk i mbështeti me melekë ashtu siç u kishte premtuar pejgamberi në fillim të luftës. Kjo nga shkaku se, nuk është përmbushë kushti i kërkuar për fitore. Në këtë betejë muslimanët pësuan disfatë para idhujtarëve.

 Po të kishte dërguar Allahu melekë sikurse në betejën e Bedrit, pabesimtarët do t’ia mbathnin me të katërtat dhe do të pësonin disfatë, por Allahu i ka kritikuar besimtarët për çështjen e Uhudit dhe ua përkujtoi vlerën e tyre dhe begatinë e Tij në betejën e Bedrit. Për këtë arsye, i ka zbritur këto ajete, duke filluar ligjërimin për pejgamberin a.s.:

Ajetet 121-129:

Përkujto (O i dërguar) kur dole nga familja jote që t’ua përcaktosh besimtarëve vendet për luftë, e Allahut është që dëgjon (fjalët) dhe që kupton (qëllimet). (121) Kur dy grupe prej jush gati u treguan të dobëta, po Allahu ishte që u ndihmoi atyre (që të mos largoheshin), andaj besimtarët le t’i mbështeten vetëm Allahut. (122) Allahu u ndihmoi juve në Bedër kur ju ishit pak në numër, e për të qenë mirënjohës, keni frikë nga Zoti. (123) Kur ti u thoshe besimtarëve: “A nuk është mjaft për ju që Zoti juaj t’ju vazhdojë ndihmën me tre mijë engjëjt e zbritur?” (124) Po, nëse jeni të qëndrueshëm e të matur, e ata (armiqtë) t’ju vinë tash në këtë moment, Zoti juaj ua vazhdon juve ndihmën me pesë mijë engjëj të ushtruar (për luftë) ose të shënuar. (125) E atë (ndihmë) Allahu nuk e bëri për tjetër por vetëm për t’ju gëzuar dhe me të të qetësojë zemrat tuaja, përndryshe ndihma vjen vetëm prej Allahut, ngadhënjyesit, të urtit. (126) (u ndihmoi) Që ta këpusë një grup nga ata që nuk besuan (duke i mbytur a zënë robër), ose për t’i demoralizuar dhe ashtu të kthehen të dëshpëruar. (127) Ty nuk të takon asgjë rreth çështjes se a do t’u pranojë Ai pendimin apo do t’i dënojë ata, në të vërtetë ata janë zullumqarë. (128) Vetëm e Allahut është gjithçka në qiej e në tokë, Ai i fal atij që do dhe Ai dënon atë që do. Allahu është mëkatfalës, mëshirues. (129)

Koncepti i përgjithshëm i ajeteve

O Muhamed, përkujtoje momentin kur ju ke folur besimtarëve ditën e Uhudit – kur u zmbrapsën hipokritët, ku nën udhëheqjen e Abdullah bin Ubejes ishin 300 – se Allahu do t’i shtojë 3000 melekë në radhët tuaja. Allahu realizon premtimin e premtuar për ju nëse duroni në luftë dhe dëgjoni urdhrin e pejgamberit tuaj.

 Dy grupe të medinasve, e ato ishin grupi i beni Selmetes dhe beni Harithit nuk dëshironin që të dilnin në front në betejën e Uhudit, pastaj u pajtuan me pejgamberin se do të rreshtoheshin në front. Ky premtim i pejgamberit për besimtarët ishte lajm i mirë për t’i qetësuar zemrat tuaja dhe të ju forcojë juve me premtimin e triumfit. Ndihma i takon vetëm Allahut, pasi që të përmbushen shkaqet dhe më të rëndësishmet prej tyre, përqendrimi në betejë dhe uniteti në betejë dhe anashkalimi i ndarjes dhe i përçarjes, dëgjueshmëria ndaj udhëheqësit dhe moslakmia në vetvete. Moszbatimi i këtyre çështjeve ka shkaktuar disfatën në betejën e Uhudit, ndërsa e kundërta ishte në betejën e Bedrit, ku u realizua fitorja prej Allahut, pasiqë besimtarët u ndihmuan me melekë, që Allahu të shkatërrojë dhe që t’i ndërpret disa kryesues të pabesimit dhe idhujtarisë, duke u vrarë ata ose duke u zënë robër ose duke i përulur dhe nënshtruar dhe kësisoj të dëshpëruar janë kthyer mbrapa nga kishin ardhur. Allahu ose do të pranonte pendimin e tyre, poqese pranonin islamin dhe i drejtoheshin Allahut ose do t’i dënonte, nëse insistonin në pabesim dhe arrogancë. Ata i kanë bërë padrejtësi vetes së tyre.

Sa të përket ty o Muhamed, në këtë çështje nuk ke asgjë në dorë, ti e ke obligim vetëm komunikimin, ndërsa llogaritjen e bën Allahu. Mos u pikëllo dhe mos u lëndo për ta, mos u lut për ta se ndoshta Allahu do të pranon pendimin e disave prej tyre ashtu siç e ka pranuar pendimin e Ebu Sufjanit dhe të tjerëve. Të gjitha çështjet janë në kompetencën e Allahut. Të Allahut janë gjithçka ka në qiej dhe në tokë. Me begatinë e Tij e falë cilin do Ai. Me urtësinë dhe me drejtësinë e Tij e ndëshkon cilin do Ai.

Realizimi i fitoreve në beteja varet:

– Nga durimi dhe

– Qëndrueshmëria në ballë të frontit.

Nëse ekziston frika që ushtarët nuk duan të sakrifikojnë shpirtin, atëherë dobësohen forcat dhe humb kuptimi i luftës. Për këtë arsye, ikja nga fronti (dezertimi) – në ligjin e Allahut – llogaritet mëkat i madh. Kjo, nga shkaku se, ndihma është në dorë të Allahut, Ai është Krijues i fitores, ndërsa ushtarët dhe mjetet ushtarake janë shkaqe të fitores.

Për të korrë fitore dhe për të triumfuar në beteja është e patjetërsueshme përqendrimi në urdhrat e Allahut dhe largimi nga mëkatet. Allahu i Madhërishëm thotë:

“(U lejuan të luftojnë) Ata, të cilët vetëm pse thanë: “Allahu është Zoti ynë!” u dëbuan pa kurrfarë të drejte. E sikur Allahu të mos i zmbrapste disa me disa të tjerë, do të rrënoheshin manastiret, kisha, havrat e edhe xhamitë që në to përmendet shumë emri i Allahut. E Allahu patjetër do ta ndihmon atë që ndihmon rrugën e Tij, se Allahu është shumë i fuqishëm dhe gjithnjë triumfues.” (El-Haxh: 40)

Lini një koment