Dënimi për të devijuarit

“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1

Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Allahu ka krijuar qiejt dhe tokën dhe ka vendosur që në ta të ketë drejtësi dhe barazi. Drejtësia nuk pranon krimin dhe mohimin e begative, por Allahu kërkon që robërit e Tij të jenë të drejtë, falënderues për begatitë e shumta dhe të mos i mohojnë ato të mira, të besojnë në Zotin, ngase Ai është Krijuesi dhe Shpikësi dhe të mos e përgënjeshtrojnë ekzistencën e Tij, drejtësinë e Tij dhe besimin se është i vetmi Zot.

– Sa i përket besimtarit, ai beson me besim të sinqertë, deklaron ekzistencën e Zotit, falënderon për begatitë e Allahut sepse Ai i ka dhuruar ato begati, e ka furnizuar dhe i ka siguruar jetën.

– Sa i përket pabesimtarit, i cili mohon ekzistimin e Zotit ose se është i vetmi Zot dhe nuk e falënderon për begatitë e Allahut, ai është në kundërshtim me natyrshmërinë e vet, ai nuk posedon peshoren për të peshuar të mirën dhe për të përcaktuar begatitë.

Kur’ani, në të shumtën e rasteve bën krahasime në mes të besimit dhe pabesimit, të devotshmëve dhe mëkatarëve, rregulluesve dhe çrregulluesve, me qëllim që t’ua tërheq vërejtjen besimtarëve dhe t’u tregojë se duhet të jenë të kujdesshëm. Dëshiron që njerëzit të jetojnë të zhvilluar dhe të largohen nga pabesimi dhe arroganca.

Pabesimtarët në të shumtën e rasteve krenohen duke thënë: Ne kemi më shumë fëmijë dhe pasuri dhe stoli të kësaj bote dhe ne nuk do të dënohemi.

Pabesimtarë janë ata të cilët nuk e besojnë Allahun Zot, një të Vetëm, pa ortak, i Cili nuk ka të ngjashëm, i Cili nuk ka babë dhe as fëmijë dhe asnjë krijesë nuk i ngjanë Atij. Të gjithë këtyre, Allahu u është kundërpërgjigjur me sqarimin se do të ndëshkohen në botën tjetër, ku thotë:

Ajetet 116 dhe 117:

S’ka dyshim se atyre që nuk besuan, nuk do t’u bëjnë dobi ndaj (dënimit të) Allahut as pasuria e as fëmijët e tyre. Ata janë banues të zjarrit dhe aty janë përgjithmonë. (116) Shembulli i asaj që ata e japin në këtë jetë (për t’u lavdëruar e përmendur) është si i një ere me breshër që godet dhe shkatërron të mbjellat e një populli që e ka lëshuar rrugën në dëm të vetes. Allahu nuk u bëri zullum atyre, por ata ishin që i bën padrejtësi vetes së tyre. (117)

Koncepti i ajetit

 Pabesimtarëve nuk u bën dobi as pasuria dhe as fëmijët e tyre që të mos ndëshkohen nga Allahu në Ditën e gjykimit. I Madhërishmi ka thënë: “Ditën kur nuk do të bëj dobi as pasuria as fëmijët.” (Esh-Shuaraë: 88)

Në ajetin tjetër Allahu i Madhërishëm thotë:

“Nuk është pasuria juaj, e as fëmijët tuaj ajo që ju afrojnë pranë Nesh, është vetëm besimi dhe veprat e mira; të tillët shpërblehen shumëfish për atë që vepruan dhe ata janë në dhoma të larta të shpëtuar.” (Es-Sebeë: 37)

Pabesimtarëve nuk do t’u bën dobi as pasuria e tyre dhe as fëmijët e tyre, ata do të jenë në zjarr të xhehenemit, nuk mund t’i shpëtojnë zjarrit asnjëherë, aty do të qëndrojnë përgjithmonë. Allahu e di më së miri.

Pastaj, Allahu paraqet një shembull të shkëlqyeshëm, ku pabesimtarët shpenzojnë pasuri duke menduar se është afrim (me Allahun), duke menduar se u llogaritet adhurim, por në fakt shpenzimi asaj pasurie bëhet për famë, syfaqësi, për lavdërim dhe për të pasur autoritet ose për të penguar nga rruga e Allahut. Pasurinë të cilën e shpenzojnë është sikurse era në kohë acari i cili bie mbi të lashta, e cila i shkatërron të pjekurat dhe të papjekurat. Pasuria ua ka çrregulluar mendjet e tyre dhe nuk kanë analizuar drejtë dhe nuk e kanë shikuar rezultatin përfundimtar. Ata edhe pse kanë shpenzuar, i kanë bërë padrejtësi vetes së tyre, pasi që nuk e kanë dëgjuar Allahun, atëherë fatkeqësia për ta është më e shpejtë dhe më e madhe.

Kështu pra, ata kanë shpenzuar pasuri në rrugë të shejtanit, sipas epshit të tyre dhe për të çrregulluar dhe pastaj shpresojnë dobi dhe shpërblim. Në botën tjetër ata do të shohin para vetes së tyre vetëm dështimin dhe pendimin. Shembulli i tyre i ngjanë njeriut i cili mbjellë të lashta dhe shpreson të ketë dobi nga të korrurat, pastaj paraqitet një erë e fortë e cila e shkrumbon plantacionin dhe mbetet i dështuar, duarthatë.

Allahu pranon nga besimtarët e devotshëm dhe i shpërblen të sinqertit.

Allahu nuk ju ka bërë padrejtësi pabesimtarëve, por veprat e tyre të këqija i shpaguan me të keqe. Ata i kanë bërë padrejtësi vetes të tyre.

Devijimi nga udhëzimi i Allahut dhe besimi i devijuar është baza e fatkeqësisë së njeriut në botën tjetër. Po ashtu është shkak i dështimit të rezultateve të veprave të mira të cilat i vepron individi në tokën e pasigurt. Në atë rast përfundimi është nënçmimi, poshtërimi, pendimi dhe ndëshkimi me zjarr të xhehenemit, ku do të jenë përgjithmonë.

Lini një koment