“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1
Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli
Përktheu: Dr. Musli Vërbani
–
Në islam, nuk mund të haset asnjë nuancë e cila tregon se mbanë anën e muslimanëve në dëm të të tjerëve sepse islami është vlerë e përgjithmonshme në vetvete dhe shpallje e pastër e cila ndalon ndikimet ekstremiste ose të anohet tek pasuesit në dëm të së vërtetës apo të së drejtës.
Për këtë arsye, Kur’ani një pjesë të pasuesve të librit i ka ngritë në shkallë të lartë. Ajetet kur’anore kanë vërtetuar se ekzistojnë një grup paqësor nga pasuesit e librit të cilët besojnë pak ose shumë. Ajetet e Kur’anit deklarojnë se ekziston një grup besimtar, i mirë, i drejtë dhe i qëndrueshëm, beson në Allahun dhe në Ditën e gjykimit, kujdeset për të drejtat, respekton vlerat, urdhëron në të mirë, parandalon nga e keqja, vepron punë të mira. Këta të mirë janë ata të cilët kanë vdekur para islamit dhe miratimit të sheriatit ose kanë qenë në kohën e islamit dhe kanë hyrë në islam, të tjerët janë tabor mëkatar, të cilët i kanë tejkaluar kufijtë e Allahut.
Allahu i Madhërishëm thotë:
Ajetet 113-115:
Ata (ithtarët e librit) nuk janë të njëjtë. Nga ithtarët e librit ka që janë në rrugë të drejtë, gjatë natës lexojnë ajetet e Allahut duke u lutur. (113) I besojnë All-llahut dhe botës tjetër dhe kërkojnë të bëhen vepra të mira dhe pengojnë nga veprat e këqija, dhe shpejtojnë të bëjnë mirësi, eh, ata pra janë të mirë. (114) E çfarëdo të mire që bëjnë, ajo nuk u mohohet. Allahu i di shumë mirë të devotshmit. (115)
Sipas interpretimeve më të sakta, shkak i zbritjes së këtyre ajeteve është siç ka thënë Ibni Abasi r.a. se kur Abdullah bin Selami, Thuëlbete bin Sen’ate, Usejid bin Saejete, Esed bin Abidi e kanë pranuar islamin, po ashtu edhe të tjerët jehudë të cilët e kishin pranuar islamin, rabinët jehudë kanë thënë: Muhamedin e kanë pranuar vetëm të këqijtë tanë, po të kishin qenë prej të mirëve tanë nuk do të largoheshin nga feja e prindërve tanë. U kanë thënë atyre: Ju jeni tradhtarë prej momentit kur e keni ndërruar fenë tuaj me fe tjetër. Atëherë Allahu zbriti ajetin: “Nuk janë të njëjtë…” (Ali Imran: 113)
Koncepti
Në besim dhe veprime pasuesit e librit nuk janë të njëjtë. Prej tyre ka shoqëri të drejtë, të dëgjueshëm ndaj Allahut, janë të qëndrueshëm në çështjen e tyre, i lexojnë ajetet e Allahut, e lexojnë Kur’anin në orët e vona të natës, falen kur njerëzit flenë. I luten Zotit kur të tjerët e neglizhojnë lutjen, ata besojnë në Allahun dhe në Ditën e gjykimit me besim të drejtë dhe të sinqertë, i frikësohen Allahut, shpresojnë në Allahun dhe në fitimin e shpërblimeve të pallogaritshme. Ata janë besimtarë të vërtetë. Në fushën e moralit dhe të aktivitetit shoqëror urdhërojnë për vlera dhe për të mirën, ndalojnë imoralitetin dhe të keqen, shpejtojnë në veprimin e punëve të mira dhe nuk përtojnë, ata janë të mirë, siç ishte Abdullah bin Selami dhe shokët e tij të cilët e kanë pranuar islamin, të cilët e kanë përmirësuar gjendjen e tyre ekonomike dhe janë ngritur në pozita të larta. Me islamin e tyre, ata janë bërë më të mirët dhe jo më të këqijtë, siç pretendonin jehudët, të devotshëm dhe jo mëkatarë, të mençur dhe jo injorantë, pasi që e kanë përzgjedhë besimin dhe janë larguar nga devijimi.
Për veprimet të cilat i veprojnë, do të shpërblehen dhe nuk do të jenë të privuar nga shpërblimi. Në sheriatin islam kjo pasqyron drejtësinë. Drejtësia e Allahut është gjithëpërfshirëse. Allahu është falënderues ndaj robërve të devotshëm. I di ata, nuk i harron dhe nuk i anashkalon. Ata meritojnë shpërblim të mirë. Allahu ka mundësi për gjithçka. I sheh veprat e robërve. Teksti kur’anor: “Allahu i di të devotshmit” është edhe premtim shpërblimi edhe kërcënim për dënim.
Drejtësia gjithëpërfshirëse e Allahut paraqitet (rezulton) te më të mirët dhe te ata të cilët shkojnë pas tyre duke i mbështetur dhe duke u përkujdesur dhe i largon nga fusha arrogantët, të këqijtë dhe ziliqarët. Për këtë arsye, me Kur’an ka gjykuar për besimin e tyre dhe ka treguar se veprojnë vepra të mira, saqë identifikohen të mirë dhe aso që angazhohen për përmirësimin e të tjerëve dhe u kundërvihen devijimeve dhe çrregullimeve. Ata janë thirrës të së vërtetës dhe të dobishmes, rregullues të ambientit të mirë për shoqërinë e tyre dhe për prosperitetin e shtetit të së drejtës, të mirës dhe të besimit.